“Diçka duhet të ndryshojë”, Waltz: Duhet një udhëheqës ukrainas që dëshiron paqe
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë një paqe të përhershme mes Moskës dhe Kievit, që përfshin shkëmbim territoresh, në këmbim të garancive të sigurisë, të drejtuara nga Evropa. Ai shtoi se për këtë nevojitet një udhëheqës ukrainas që është i gatshëm për të [...]Read More...

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë një paqe të përhershme mes Moskës dhe Kievit, që përfshin shkëmbim territoresh, në këmbim të garancive të sigurisë, të drejtuara nga Evropa.
Ai shtoi se për këtë nevojitet një udhëheqës ukrainas që është i gatshëm për të arritur një paqe të qëndrueshme me Rusinë, por nuk është e qartë nëse zoti Zelenksiy është i përgatitur për një gjë të tillë.
I pyetur nëse zoti Trump dëshiron dorëheqjen e Pesidentit Zelenskiy, zoti Waltz tha për programin “State of the Union” të rrjetit CNN se “Ne kemi nevojë për një udhëheqës që mund të merret vesh me ne, mundësisht me Rusisë dhe t’i japë fund luftës”.
“Nëse bëhet e qartë se motivet personale ose politike të Presidentit Zelenskyy bien ndesh me dhënien fund të luftës në vendin e tij, atëherë mendoj se kemi përpara një problem real”, tha zoti Waltz.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, sugjeroi gjithashtu se Ukrainës mund t’i duhet një udhëheqës tjetër nëse Presidenti Zelensky nuk pajtohet me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
“Diçka duhet të ndryshojë. Ose ai duhet të vijë në vete dhe të kthehet në tryezë me mirënjohjeje, ose dikush tjetër duhet të udhëheqë vendin për ta bërë këtë”, tha zoti Johnson për programin “Meet the Press” të rrjetit televiziv NBC.
Takimi i së premtes në Zyrën Ovale shfaqi publikisht tensionet mes Presidentit Zelenskyy dhe zotit Trump. Si rrjedhojë, një marrëveshje mes dy vendeve për të shfrytëzuar së bashku mineralet e rralla të nëntokës ukrainase, nuk u firmos.
“Nuk ishte e qartë për ne që Presidenti Zelensky ishte gati për të negociuar dhe në mirëbesim për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha zoti Waltz.
Në programin “This Week” të rrjetit ABC, shefi i diplomacisë amerikane, Marco Rubio tha se nuk kishte folur që nga e premtja as me Presidentin Zelenskyy as me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha.
“Do të jemi gati të riangazhohemi kur ata të jenë gati për paqe”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Senatorja demokrate, Amy Klobuchar, tha për programin “This Week” se ishte “tronditur” nga përplasja në Zyrën Ovale dhe se ajo ishte takuar me Presidentin Zelensky të premten, përpara se ai të shkonte në Shtëpinë e Bardhë dhe se ai ishte entuziast për firmosjen e marrëveshjes për mineralet. “Ka ende hapësirë” për një marrëveshje paqeje, tha ajo.