Dita e Pavarësisë, Krasniqi: Thaçi mungon fizikisht, por prania e tij në historinë tonë është më e fortë se kurrë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pas homazheve në Prekaz, Krasniqi tha se njeriu që shpalli Pavarësinë, Hashim Thaçi mungon fizikisht, megjithëse, ai shto se prania e tij në histori është më e fortë se kurrë. “Si çdo përvjetor të pavarësisë, rikthehemi në Prekaz, aty ku liria u lind

Dita e Pavarësisë, Krasniqi: Thaçi mungon fizikisht, por prania e tij në historinë tonë është më e fortë se kurrë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Pas homazheve në Prekaz, Krasniqi tha se njeriu që shpalli Pavarësinë, Hashim Thaçi mungon fizikisht, megjithëse, ai shto se prania e tij në histori është më e fortë se kurrë.

“Si çdo përvjetor të pavarësisë, rikthehemi në Prekaz, aty ku liria u lind nga gjaku, ku qëndresa u bë flamur dhe lufta heroike e familjes Jashari u kthye në themel të shtetit tonë. Me nderim dhe përulësi, kujtojmë më të merituarit për këtë ditë – dëshmorët dhe martirët e kombit – anembanë! Vizituam Drenicën e patriotëve dhe prijësve historikë, tokën e sakrificës dhe krenarisë kombëtare, prej nga nisi dhe u udhëhoq lufta jonë për çlirim”.

“Edhe në këtë përvjetor, Hashim Thaçi mungon fizikisht, por prania e tij në historinë tonë është më e fortë se kurrë. Në Hagë, ai dhe bashkëluftëtarët – Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët – mbrojnë të vërtetën e luftës sonë të drejtë, luftës që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot festojmë me krenari, por edhe me përgjegjësinë për ta bërë Kosovën më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë për të gjithë – si amanet të brezave që u flijuan ndër shekuj”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Lavdi dëshmorëve! Mirënjohje të gjithë popullit tonë! Rroftë Kosova e lirë dhe e pavarur! Gëzuar!”.