Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 154 mijë dollarë

Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 154 mijë dollarë

Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontrolleve të një kamioni transportues në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, kamioni kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratës së pararritjes, por ishte përzgjedhur për kontroll shtesë bazuar në parametrat e menaxhimit të riskut.

Gjatë kontrollit, zyrtari doganor kishte kërkuar që automjeti t’i nënshtrohej skanimit dhe matjes së peshës.

“Gjatë verifikimit në peshore janë evidentuar mospërputhje në peshën e deklaruar, përkatësisht një diferencë prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara. Për këtë arsye, është kërkuar kontroll më i detajuar i ngarkesës. Vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet të jetë rreth 154,000 dollarë amerikanë”.

Dogana ka bërë të ditur se rasti është duke vazhduar me procedurat përkatëse administrative, në përputhje me Kodin Nr. 08/L-247 për Doganat dhe Akcizën.

Dogana është zotuar se do të vazhdojë kontrollet dhe zbatimin e mekanizmave të menaxhimit të riskut, me qëllim parandalimin e kontrabandës, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.