14 OJQ i drejtohen Kushtetueses: Ndërmerrni veprime për konstituim të Kuvendit

AVONET, së bashku me 13 organizata të tjera të shoqërisë civile, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve sipas detyrës zyrtare lidhur me zbatimin e Aktgjykimit KO124/25.
Kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Sipas rezultateve përfundimtare, të certifikuara më 8 korrik 2026, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026.
Në Aktgjykimin KO124/25, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues dhe se brenda këtij afati duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit.
Sipas këtij interpretimi, mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar.
Në këtë rast, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht 2026 nuk ka përfunduar me konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.
Për këtë arsye, AVONET dhe organizatat nënshkruese i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit kushtetues.
Kërkesa është mbështetur në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën që ndiqet në rastet kur lind çështja e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës.
Organizatat kanë kërkuar që, nëse konstatohet moszbatimi i Aktgjykimit KO124/25, Gjykata të ndërmarrë veprimet e parapara me Rregulloren e saj, përfshirë nxjerrjen e aktvendimit për moszbatim, përkatësisht mospërmbarim, si dhe hapat e tjerë që i konsideron të nevojshëm në kuadër të kompetencave dhe procedurave në fuqi.
AVONET vlerëson se kjo çështje ka rëndësi të veçantë për qytetarët, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe respektimin e rendit kushtetues.
Organizata thekson se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim institucional dhe se proceset politike e institucionale duhet të zhvillohen brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe rendi juridik.
Sipas AVONET-it, qëllimi i kërkesës është që çështja e zbatimit të Aktgjykimit KO124/25 të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe procedurave të përcaktuara me ligj, me synim sigurimin e qartësisë juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



