E ardhmja e Thiago Motta në rrezik? Juventus ka katër emra si zëvendësues të mundshëm
Raportet nga Italia theksojnë se pozicioni i Thiago Motta te Juventus nuk është i sigurt, pavarësisht pretendimeve të Cristiano Giuntoli-t, ndërsa mediat kanë përmendur katër kandidatë të mundshëm për ta zëvendësuar ish-mesfushorin e Italisë. Edhe pse drejtori sportiv i Juventusit, Giuntoli, ka mohuar zërat për një largim të mundshëm të Mottas pas eliminimit të turpshëm […]

Raportet nga Italia theksojnë se pozicioni i Thiago Motta te Juventus nuk është i sigurt, pavarësisht pretendimeve të Cristiano Giuntoli-t, ndërsa mediat kanë përmendur katër kandidatë të mundshëm për ta zëvendësuar ish-mesfushorin e Italisë.
Edhe pse drejtori sportiv i Juventusit, Giuntoli, ka mohuar zërat për një largim të mundshëm të Mottas pas eliminimit të turpshëm në Coppa Italia nga Empoli, Tuttosport dhe Gazzetta dello Sport raportojnë se trajneri është nën vëzhgim të rreptë.
Sipas këtyre mediave, Motta duhet të përmirësojë marrëdhëniet e tij me disa lojtarë dhe të ndryshojë stilin e lojës në 12 ndeshjet e fundit të sezonit. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë, as një përfundim në top-katërshe nuk mund ta shpëtojë nga shkarkimi.
Të dy gazetat italiane kanë përmendur Gian Piero Gasperini, Antonio Conte dhe Igor Tudor si favoritët kryesorë për të zëvendësuar Mottan nëse ai largohet në fund të sezonit.
Gazzetta dello Sport thekson se Conte është “ëndrra e madhe” e Juventusit.
Megjithatë, nëse “Zonja e Vjetër” vendos të ndryshojë trajner në verë, ata duan ta bëjnë këtë përpara fillimit të Kupës së Botës për Klube më 14 qershor. Rregulloret aktuale nuk lejojnë asnjë klub të Serie A të emërojë një trajner nga një ekip tjetër i ligës përpara 30 qershorit, kur përfundon zyrtarisht sezoni.
Tuttosport shton gjithashtu Roberto Mancini në listën e mundshme të Juventusit. Legjenda e Sampdorias ka qenë në kontakt me disa klube kryesore të Serie A përmes përfaqësuesve të tij muajt e fundit.
Motta ka një kontratë trevjeçare me Juventusin, e cila skadon në qershor të vitit 2027, por mbetet për t’u parë nëse do të arrijë ta çojë deri në fund këtë marrëveshje.