Falet Namazi i Fitër Bajramit/ Pas një muaji agjërimi, besimtarët myslimanë kremtojnë festën
SHQIPËRI- Besimtarët myslimanë në botë dhe Shqipëri kremtojnë festën e Fitër Bajramit. Falja e Namazit në Tiranë u bëë në sheshin “Skënderbej”. Mijëra besimtarë u mblodhën në shesh për faljen e Namazit. Ata uruan njëri tjetrin për shëndet, mbarësi dhe begati në familjet e tyre. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi besimtarët [...]Read More...

SHQIPËRI- Besimtarët myslimanë në botë dhe Shqipëri kremtojnë festën e Fitër Bajramit. Falja e Namazit në Tiranë u bëë në sheshin “Skënderbej”.
Mijëra besimtarë u mblodhën në shesh për faljen e Namazit. Ata uruan njëri tjetrin për shëndet, mbarësi dhe begati në familjet e tyre.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi besimtarët duke u lutur që “Zoti t’ua ketë pranuar agjërimin”. Ai theksoi se kjo festë na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë.
“Kjo ditë sot na gjen me zemra të mbushura dhe sakrifica jonë është pranuar. Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden dhe njeriu matet me atë që ka. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb”, theksoi ai.
Festa e Fitër Bajramit u kremtua edhe në qytete të tjera të vendit.
Besimtarët kremtojnë festën e Fitër Bajramit në Vlorë, urojnë njëri-tjetrin për begati e shëndet
Besimtarët, të shumtë në numër, u mblodhën për të kryer faljen e kësaj feste të bekuar. Për shkak të restaurimit të Xhamisë së Plumbit, ceremonia u zhvillua në Pallatin e Sportit, i cili u mbush plot me besimtarë të devotshëm.
Ceremonia nisi me leximin e Kuranit, duke sjellë qetësi dhe reflektim te të pranishmit. Më pas, besimtarët u bashkuan në faljen e namazit, duke e kthyer këtë moment në një shenjë bashkimi dhe devotshmërie. Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhlleku, mbajti një fjalim të ngrohtë, duke falënderuar komunitetin për përkushtimin e tyre në këtë muaj të shenjtë. Ai përcolli mesazhin e paqes dhe harmonisë, duke theksuar rëndësinë e vlerave familjare dhe solidaritetit.
Pas faljes, besimtarët shkëmbyen përqafime dhe urime të përzemërta, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë.
ABC News uron të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit./abcnews.al