Familjet Thaçi, Veseli e Krasniqi refuzuan takimin, Haxhiu: Desha të çoj mesazh edhe jashtë, mund t’u shkoj edhe në shtëpi

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se familjarët e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, kanë refuzuar ftesën e saj për takim.
Haxhiu tha se e respekton vendimin e familjarëve, duke sqaruar se qëllimi i ftesës ishte që Presidenca, si institucioni më i lartë shtetëror, të shprehte mbështetjen për ta dhe të dëgjonte kërkesat e tyre në këtë periudhë të ndjeshme.
“Arsyeja pse kam konsideruar se është e rëndësishme të takohem me familjarët është se vlerësoj që, në situatën në të cilën jemi, Presidenca duhet të takohet me ta dhe të shprehë mbështetjen për kërkesat dhe nevojat e tyre. Ata nuk kanë dashur, e respektoj vendimin e tyre”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se mbetet e gatshme t’i takojë familjarët në çdo kohë, qoftë në Presidencë apo përmes vizitave familjare.
“Jam e gatshme t’i pres në çdo moment që ata dëshirojnë ose të shkoj në vizita familjare. Kam zgjedhur që fillimisht t’i pres në institucion, në mënyrë që të përcillet një mesazh institucional”, shtoi ajo.
Haxhiu gjithashtu shprehu mbështetje për protestat dhe tubimet qytetare të zhvilluara ditët e fundit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
“I mbështes protestat qytetare. Do të shqetësohesha që pas vendimit në Hagë të mos kishte protesta. I përgëzoj qytetarët”, përfundoi Haxhiu.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



