Nora Visoka-Weller ligjëroi në Universitetin e Bazelit mbi temën “Kujt i përket e kaluara e Kosovës?”

Nora Visoka-Weller ligjëroi në Universitetin e Bazelit mbi temën “Kujt i përket e kaluara e Kosovës?”

Nora Visoka-Weller, eksperte nga Universiteti i Kembrixhit në fushën e mbrojtjes, qeverisjes dhe mbrojtjes ligjore të trashëgimisë kulturore në shoqëritë e prekura nga konfliktet dhe luftërat, mbajti një ligjëratë në Universitetin e Bazelit me temën “Kujt i përket e kaluara e Kosovës? Trashëgimia, shpërngulja e popullsisë dhe e kaluara e vështirë në Kosovën e pasluftës” (Who Owns Kosovo’s Past? Heritage, Displacement and the Difficult Past in Post-War Kosovo).

Visoka-Weller e nisi ligjëratën me një citat të shkrimtarit britanik L. P. Hartley: “E kaluara është një vend i huaj: atje gjërat bëhen ndryshe.” Duke e krahasuar të kaluarën me një vend ku mund të rikthehemi vetëm përmes kujtimeve, ajo ngriti pyetjen se kush ka të drejtë ta ruajë, interpretojë dhe rrëfejë historinë e një vendi.

Gjatë prezantimit, Visoka-Weller trajtoi zhvillimet historike dhe politike të Kosovës, duke u ndalur te periudhat e ndryshme që kanë ndikuar në formësimin e identitetit të saj kulturor. Një pjesë qendrore e ligjëratës iu kushtua shkatërrimit sistematik të trashëgimisë kulturore gjatë luftës së viteve 1998–1999. Ajo theksoi se regjimi i Millosheviqit kishte vënë në shënjestër trashëgiminë kulturore, fetare dhe qytetare të shqiptarëve të Kosovës, përfshirë kullat tradicionale, xhamitë, ndërtesat historike, bibliotekat dhe arkivat, si pjesë e një strategjie për fshirja e gjurmëve të identitetit etnik dhe kulturor. Sipas saj, ky shkatërrim nuk nënkuptonte vetëm humbjen e objekteve fizike, por prek drejtpërdrejt identitetin dhe historinë tonë të përbashkët.

Një tjetër çështje e trajtuar gjatë ligjëratës ishte ajo e artefakteve kulturore të Kosovës, të cilat ishin marrë gjatë luftës dhe ishin dërguar në Beograd. Nga ky koleksion, vetëm figurina e lashtë “Hyjnesha në Fron” u kthye në Kosovë në vitin 2002, ndërsa 1,247 objekte të tjera të dokumentuara të trashëgimisë kulturore vazhdojnë të mbeten të pakthyera. Visoka-Weller theksoi se, ndonëse kthimi i “Hyjneshës në Fron” përbënte një moment të rëndësishëm simbolik, ai njëkohësisht nxjerr në pah mungesën e një koleksioni të tërë të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Në këtë kontekst, ajo ngriti edhe pyetjen nëse institucionet e Kosovës po bëjnë mjaftueshëm për të siguruar kthimin e këtyre objekteve.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua pasojave të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te mbi 500 vendndodhje të dokumentuara të vrasjeve, rreth 1,700 persona që vazhdojnë të jenë të pagjetur dhe 22 lokacione të varrezave masive. Visoka-Weller theksoi se këto vende, përveçse dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës, kanë rëndësi të veçantë për familjarët e viktimave dhe shoqërinë në përgjithësi, pasi shërbejnë si vende përkujtimi dhe ruajtjeje të një pjese të rëndësishme të së kaluarës.

Në këtë kontekst, ajo solli edhe shembullin e Ferdonije Qerkezit, e njohur si Nëna Ferdonije, e cila gjatë luftës në Kosovë humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj. Nëna Ferdonije e ka shndërruar shtëpinë e saj në Gjakovë në një shtëpi-muze, ku ruhen kujtimet dhe sendet personale të familjarëve të saj. Përmes këtij shembulli, Visoka-Weller tregoi se si nismat individuale të familjeve të prekura nga lufta kanë luajtur një rol të rëndësishëm në dokumentimin dhe ruajtjen e së kaluarës për brezat e ardhshëm.

 

Në fund të ligjëratës, Visoka-Weller theksoi se edhe 27 vjet pas luftës nuk është vonë për të ruajtur trashëgiminë kulturore të Kosovës. Sipas saj, koha e kaluar që nga përfundimi i luftës nuk duhet parë si pengesë. Përkundrazi, ajo mund të ketë shërbyer si një periudhë e nevojshme për shërim, përballje me pasojat e luftës dhe rindërtim, duke krijuar kështu mundësi më të mëdha për t’iu përkushtuar sot ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Ligjërata u mbajt më 22 tetor 2026 dhe u organizua nga ASA Basel (Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Bazel), në bashkëpunim me Universitetin e Bazelit dhe Studentische Körperschaft der Universität Basel (skuba).

Pas ligjëratës, u shtrua një koktej, gjatë të cilit të pranishmit patën mundësinë të bashkëbisedonin dhe të shkëmbenin mendime rreth temave të trajtuara.

The post Nora Visoka-Weller ligjëroi në Universitetin e Bazelit mbi temën “Kujt i përket e kaluara e Kosovës?” appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.