Fjalori i ashpër i Kurtit ndaj opozitës dhe “shuplaka” nga mediet botërore

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, ku kryeministri Kurti fitoi më shumë se 40% të votave, por humbi shumicën parlamentare, mediat botërore si Financial Times dhe The Guardian kanë raportuar për gjendjen në Kosovë dhe për nevojën e një qeverisjeje më pragmatike. Në një artikull të Financial Times, u theksua gjuha e ashpër fyese

Fjalori i ashpër i Kurtit ndaj opozitës dhe “shuplaka” nga mediet botërore

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, ku kryeministri Kurti fitoi më shumë se 40% të votave, por humbi shumicën parlamentare, mediat botërore si Financial Times dhe The Guardian kanë raportuar për gjendjen në Kosovë dhe për nevojën e një qeverisjeje më pragmatike.

Në një artikull të Financial Times, u theksua gjuha e ashpër fyese e Kurtit ndaj opozitës pas fitores së partisë së tij në sheshin “Skënderbeu”, duke e cilësuar si “hajvan” opozitën që kishte premtuar rritje pagash pa pasur mjete, sipas Kurtit. Sipas gazetës britanike, ky nacionalizëm në rritje nën udhëheqjen e Kurtit po shihet si kërcënim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Financial Times gjithashtu përmendi shqetësimin për një qeverisje më pro-perëndimore, që mund të lehtësojë marrëdhëniet me aleatët e Kosovës dhe të kontribuoni në stabilitetin rajonal.

Nga ana tjetër, The Guardian sugjeroi që qeverisja e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe jo nacionaliste si ajo e Kurtit, e cila po krijon një atmosferë “je me ne ose kundër nesh”. Media botërore, e cila më parë kishte mbajtur një qëndrim neutral ndaj qeverisjes së Kurtit, tani e ka kritikuar më hapur këtë stil të udhëheqjes.

Arifi: Mediat ndërkombëtare po përcjellin mesazhin e Perëndimit për Qeverinë e Kosovës

Njohësi i çështjeve politike, Dritero Arifi, tha se raportimet e mediave ndërkombëtare, si Financial Times dhe The Guardian, nuk janë të rastësishme, por në njëfarë mënyre përcjellin mesazhin diplomatik të zyrave perëndimore për preferencat e tyre mbi qeverinë e ardhshme të Kosovës.

 ‘’Normal këto dy media prestigjioze në njëfarë mënyrë e sjellin mesazhin diplomatik të zyrave perëndimore për preferencat e tyre, se cila Qeveri do të duhej të ishte’’, tha Arifi për FrontOnline.

Ai theksoi se, pavarësisht këtyre mesazheve, është qytetari i Kosovës ai që vendos për Qeverinë dhe udhëheqjen e vendit. Sa i përket përdorimit të gjuhës fyese nga kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje, Arifi theksoi se kjo nuk është një risi e këtyre zgjedhjeve, por një praktikë e vazhdueshme e kësaj partie që nga themelimi i saj.

‘’Kush qeverisë e vendos qytetari i Kosovës, por gjuha fyese nuk është përdorë vetëm pas zgjedhjeve. Vetëvendosje këtë e ka një lloj parimi të fyerjes të të gjithë oponentëve dhe jo vetëm, kështu që gjuha fyese është përdorur po themi  që nga lindja e Vetëvendosjes e deri sot, nuk është diçka e re’’, deklaroi  Arifi.

Megjithatë, ai vlerëson se më shumë sesa gjuha e përdorur, thelbi i këtyre raportimeve ndërkombëtare ka të bëjë me reagimin e Perëndimit dhe përpjekjen për të sinjalizuar se cila Qeveri do të ishte më e dëshirueshme për ta.

 

Pozhari: Ndërkombëtarët e duan një Qeveri më pragmatike dhe më pak rezistente ndaj kërkesave të tyre, Kurti është këmbëngulës

 

Analisti politik Xhevdet Pozhari, ka komentuar reagimin  mediave ndërkombëtare për gjuhën e përdorur gjatë zgjedhjeve te Kurtit,  ku vuri në dukje se të gjitha subjektet politike janë gjobitur me mbi 600,000 euro për shkelje, një sinjal se nuk do të tolerohet një gjuhë e papërshtatshme ndaj kundërshtarëve politikë. Ai theksoi se e njëjta gjë vlen edhe për kryeministrin, i cili menjëherë pas fitores mund të kishte qenë më i kujdesshëm dhe më përzgjedhës në shprehjet e tij ndaj rivalëve politikë.

‘’Sa i përket gjuhës së Kurtit gjatë zgjedhjeve, të gjitha subjektet politike kanë marr gjoba  mbi 600,000 euro gjë që ka qenë një sinjal se nuk do të tolerohet një gjuhë, e cila është jo e përshtatshme për kundërshtarët, rivalët  politik.E njëjta vlen edhe për gjuhën e kryeministrit që e përdori menjëherë pas fitores ngaqë mund të ishte më i kujdesshëm, më selektiv me shprehje në adresimin e tij kundrejt kundërshtarëve politikë’’, deklaroi Pozhari për FrontOnline.

Pozhari gjithashtu shtoi se raportimet e mediave ndërkombëtare mund të pasqyrojnë edhe preferencat e tyre, pasi, duke marrë parasysh zhvillimet globale, ekziston një tendencë për të mbështetur Qeveri më pragmatike dhe më pak rezistente ndaj faktorit ndërkombëtar.

‘’Sa i përket raportimeve të mediave ndërkombëtare ato sigurisht që mund t’i kenë edhe preferencat e tyre, ngaqë shikuar nga këndvështrimi i zhvillimeve globale të gjithë duan një qeveri më pragmatike që është më pak rezistente ndaj faktorit ndërkombëtar’’, dekaroi Pozhari.

Sipas tij, gjatë katër viteve të tij në pushtet, Kurti ka treguar këmbëngulje në çështje të ndjeshme, siç është situata në veri, ndaj është e pritshme që ndërkombëtarët të presin një qeveri më të bindur dhe më pragmatike

‘’Kurti ka dëshmuar gjatë katër vite  të qeverisjes së tij  se di të jetë këmbëngulës në raste të ndjeshme siç ka qenë tema e veriut prandaj është e pritshme që ndërkombëtarët të presin një qeveri që do të jetë më e bindur dhe më pragmatike’’, përfundoi Pozhari.

 

Sadiku: Kosova ka nevojë për një Qeveri stabile

Analisti politik Arbnor Sadiku vuri theksin se kur preken mediat, preket edhe demokracia.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka mbetur parti e parë dhe ka mundësinë të formojë qeverinë . Sadiku theksoi se kërkesa për një qeverisje pragmatike është një nevojë e qartë për të adresuar çështjet e rëndësishme që ka Kosova, siç janë marrëdhëniet me Serbinë, Asociacioni dhe përmirësimi i raporteve me bashkësinë ndërkombëtare.

‘’Partia e kryeministrit prapë është e para dhe mund ta formojë qeverinë. Këta kërkojnë një qeverisje pragmatike e cila i shtrinë këto probleme që i ka Kosova në raport me Serbinë, Asociacioni dhe të tjerat e presin edhe rregullimi i raporteve me bashkësinë ndërkombëtar’’, tha Sadiku.

Ai shtoi se Kosova ka nevojë për një qeveri më të qëndrueshme dhe më të madhe, jo për një qeveri që është e varur nga 61 deputetë që mund të lëvizin nëse nuk plotësohen disa interesa personale, duke çuar në një qeveri të paqëndrueshme.

‘’Kosova ka nevojë për një qeveri më të madhe e jo e cila varet në tehun e shpatës që mund t’i ketë 61 deputetë pasi ata mund të lëvizin’’, përfundoi Sadiku.