“Fotografi e një partie të papërgjegjshme” – Çitaku reagon pas takimit të Haxhiut me Kurtin dhe komunitetet

“Fotografi e një partie të papërgjegjshme” – Çitaku reagon pas takimit të Haxhiut me Kurtin dhe komunitetet

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me fotografinë nga takimi që ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe përfaqësues të komuniteteve.

Çitaku e ka kritikuar ashpër këtë takim, duke e cilësuar fotografinë si pasqyrim të një pushteti që, sipas saj, po i mban institucionet e vendit peng për interesa politike.

“Fotografia e një partie politike të papërgjegjshme, nën dirigjimin e një individi, që i ka kapur institucionet, po e mban shtetin peng dhe po e përdor pushtetin për interesa politike, në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Çitaku.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që ta kryejnë përgjegjësinë e tyre institucionale dhe ta konstituojnë Kuvendin.

“Vendin e keni në Kuvend, aty ku duhet ta materializoni vullnetin e qytetarëve dhe ta konstituoni Kuvendin. Ju presim sot, në orën 11:00, në Kuvend!”, ka përfunduar Çitaku.

Reagimi i saj vjen në kohën kur procesi i konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve politike.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.