“Të jesh kryeministër, nuk do të thotë të jesh mbi popullin” – Tayna mbështet fuqishëm protestat e studentëve në Tiranë

Reperja e njohur shqiptare, Tayna, ka reaguar publikisht për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen e saj për studentët dhe duke përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta për drejtuesit e shtetit dhe Policinë.
Përmes një deklarate të gjatë të publikuar në Instagram, artistja ka bërë të ditur se prej ditësh po i përcjell zhvillimet në vend, por kësaj radhe ka vendosur të shprehë hapur qëndrimin e saj përmes një mesazhi drejtuar pushtetit dhe qytetarëve.
Tayna ka theksuar se mbajtja e një pozite të lartë shtetërore nuk duhet të nënkuptojë shkëputje nga qytetarët, por përgjegjësi për të qenë në shërbim të tyre.
“Të jesh kryeministër, president apo të mbash çfarëdo pozite udhëheqëse, nuk do të thotë të jesh mbi popullin. Do të thotë të jesh në shërbim të tij”, ka shkruar ajo, duke shtuar se kjo vlen edhe për qytetarët që kritikojnë pushtetin apo dalin në rrugë për të kërkuar ndryshime.
Artistja nuk ka lënë pa përmendur as Policinë e Shtetit, së cilës i ka bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të dhunës gjatë protestave.
“Policia ka për detyrë t’i mbrojë qytetarët, jo t’i frikësojë ata”, është shprehur Tayna.
Megjithatë, ajo ka theksuar se dhuna nuk duhet të vijë nga asnjëra palë, duke përfshirë edhe protestuesit apo individët që mund të tentojnë ta shfrytëzojnë situatën për interesa të tjera.
Një pjesë të veçantë të deklaratës së saj, reperja ia ka kushtuar studentëve, duke kujtuar mbështetjen që ka marrë prej tyre gjatë karrierës muzikore.
“Unë këndoj falë këtij populli. Falë këtyre të rinjve, këtyre studentëve që e kanë dëgjuar muzikën time, që më kanë mbështetur dhe që më kanë dhënë mundësinë ta jetoj ëndrrën time”, ka shkruar ajo.
Tayna u ka bërë thirrje studentëve që të bashkohen rreth kërkesave të tyre konkrete dhe të mos lejojnë që zëri i tyre të përdoret për interesa që nuk i përfaqësojnë.
Në mesazhin e saj, artistja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e dialogut mes institucioneve dhe qytetarëve, duke vlerësuar se përgjegjësia e një udhëheqësi është të dëgjojë edhe ata që nuk pajtohen me të dhe të kërkojë zgjidhje përmes komunikimit.
“Gjëja më e madhe që mund të bëjë një njeri me pushtet është të ulet përballë atyre që nuk pajtohen me të dhe t’u thotë: ‘Po ju dëgjoj. Le ta gjejmë një zgjidhje bashkë’”, ka shkruar reperja.
Në fund të deklaratës, Tayna ka përcjellë mesazhin e saj për situatën në Shqipëri, duke theksuar se vendi u përket qytetarëve të tij, përtej partive politike dhe individëve që janë në pushtet.
“Shqipëria nuk është e një partie, e një qeverie apo e një individi. Shqipëria është e njerëzve të saj”, ka përfunduar ajo, duke e shoqëruar reagimin me mbishkrimin: “Gjithmonë me popullin! Gjithmonë me studentët!”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



