Fisnik Asllani shënon golin e parë në Ligën e Evropës, por Hoffenheimi pëson humbje

Fisnik Asllani shënon golin e parë në Ligën e Evropës, por Hoffenheimi pëson humbje

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka vazhduar formën e mirë me fanellën e Hoffenheimit, duke shënuar golin e tij të parë të sezonit dhe të parin në garat evropiane. Megjithatë, realizimi i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e skuadrës gjermane, e cila u mposht 3:2 nga Beshiktashi në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Evropës.

Asllani shënoi në minutën e 68-të, kur pas dy lëvizjeve të mira individuale pranë zonës kundërshtare, goditi saktë drejt portës dhe barazoi rezultatin në 1:1.

Por, dy gola të shpejtë të Oh Hyeon-Gyu më pas i siguruan fitoren skuadrës turke, duke i shkaktuar Hoffenheimit një tjetër humbje.

Kjo ishte disfata e dytë radhazi për klubin gjerman, pas humbjes 3:2 ndaj Hamburgut në fundjavën e kaluar, ndeshje në të cilën sulmuesi kosovar kontribuoi me një asistim.

Asllani po kalon një periudhë pozitive edhe me përfaqësuesen e Kosovës. Ai shënoi gol në ndeshjen e fundit ndaj Austrisë, e cila përfundoi 1:1 në Prishtinë.

Pas ndeshjes me Beshiktashin, sulmuesi kosovar foli për vështirësitë e skuadrës, duke theksuar se mungesa e përqendrimit në momentet vendimtare po i kushton asaj pikë të rëndësishme.

“Është shumë e vështirë për ta pranuar këtë. E kemi menduar ndryshe. Donim t’i merrnim pikët e plota ndaj një kundërshtari të fortë. Jemi mbrojtur mirë herë pas here, por nuk kishim përqendrimin e duhur në momentet vendimtare”, deklaroi Asllani për faqen zyrtare të klubit.

Ai shtoi se ekipi nuk duhet të dorëzohet, por të ruajë vetëbesimin dhe të përmirësojë lojën në mbrojtje.

“Kemi periudha shumë të mira në çdo ndeshje, por duhet të jemi në lojë për 90 minuta”, theksoi sulmuesi kosovar, duke shprehur besimin se Hoffenheimi mund të shpërblehet për përpjekjet e bëra në ndeshjet e ardhshme.

The post Fisnik Asllani shënon golin e parë në Ligën e Evropës, por Hoffenheimi pëson humbje appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.