Protestat në Shqipëri – 11 persona në burg, 40 të tjerë lirohen nga paraburgimi, zbardhen masat e sigurisë dhe akuzat

Protestat në Shqipëri – 11 persona në burg, 40 të tjerë lirohen nga paraburgimi, zbardhen masat e sigurisë dhe akuzat

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 51 persona të arrestuar në lidhje me protestat dhe përplasjet e ditëve të fundit në kryeqytet.

Sipas vendimit të shpallur sot në mbasdite 11 persona janë lënë në “Arrest në burg”, 5 në “Arrest në shtëpi”, 25 me “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndërsa për 10 të tjerë është caktuar masa “Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar”, duke u ndaluar të afrohen brenda 500 metrave nga institucionet publike apo të qëndrojnë në sheshe dhe mjedise ku zhvillohen tubime ose manifestime pa autorizimin e Gjykatës.

Për 40 persona Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi, nëse nuk mbahen të arrestuar, ndaluar apo të izoluar për një çështje tjetër penale.

Masat e sigurisë janë caktuar për akuza që lidhen me ngjarjet gjatë protestave të ditëve të fundit.

Nga 11 personat e lënë në “Arrest në burg”, 5 prej tyre, Z.M., E.B., J.P., L.B. dhe S.F., dyshohen për “Shkatërrim të pronës” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”.

Për R.D. rëndojnë katër akuza: “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkohë, N.T. dhe B.M. dyshohen për “Pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”.

Tre të tjerët, G.S., A.A. dhe E.Sh., dyshohen për “Shkatërrimi i pronës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

Pesë personat e lënë në “Arrest në shtëpi” janë K.B., E.Z., A.Çe., A.Ça. dhe K.B. Dy prej tyre dyshohen për “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa tre të tjerët për “Shkatërrimi i pronës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.