Fribourg nis fushatë për të ndihmuar të rinjtë të përballen me pasigurinë dhe varfërinë

Fribourg nis fushatë për të ndihmuar të rinjtë të përballen me pasigurinë dhe varfërinë

Qyteti i Fribourgut dhe Këshilli Rinor kanë nisur fushatën “Unë ia dal!”, e cila synon të rinjtë e moshës 18 deri në 25 vjeç dhe personat që i rrethojnë. Fushata ofron mjete praktike për t’i ndihmuar ata të përballen me procedurat administrative dhe sfidat e jetës së përditshme.

Gjetja e një banese, menaxhimi i sigurimeve apo plotësimi i deklaratës tatimore – mbushja e moshës 18 vjeç sjell një sërë përgjegjësish dhe procedurash të reja, të cilat jo gjithmonë janë të lehta për t’u kuptuar dhe menaxhuar.

Në bashkëpunim me disa partnerë lokalë, fushata “Unë ia dal!” synon t’u ofrojë të rinjve mjete të thjeshta dhe të qasshme për t’i ndihmuar ata të bëhen më të pavarur, njoftoi të enjten qyteti i Fribourgut.
Pesë punëtori për të rinjtë
Në kuadër të fushatës, deri në shkurt të vitit 2027 do të organizohen pesë punëtori të udhëhequra nga Caritas dhe shoqata Solid-Admin.

Punëtoritë do të trajtojnë çështje të rëndësishme të jetës së përditshme, përfshirë bazat e menaxhimit administrativ, gjetjen dhe menaxhimin e banesës, sigurimet shoqërore, si dhe parandalimin e mbingarkesës me borxhe.

Në fokus edhe burimet ekzistuese

Fushata përfshin gjithashtu një broshurë, në format të shtypur dhe digjital, ku janë përmbledhur shërbimet dhe burimet ekzistuese në qytetin e Fribourgut.
Krahas broshurës, në faqen e internetit të qytetit është krijuar edhe një hapësirë e posaçme me informacione dhe lidhje të dobishme drejt shërbimeve online.
Përveç forcimit të pavarësisë së të rinjve, fushata synon të bëjë më të njohura shërbimet që tashmë ekzistojnë. Ajo shërben gjithashtu si një mjet i thjeshtë për profesionistët dhe familjarët, në mënyrë që t’i drejtojnë të rinjtë drejt shërbimeve më të përshtatshme.
“Duhet ta bëjmë pasigurinë dhe varfërinë më të dukshme”

Duke folur të enjten për emisionin e lajmeve të orës 12:30, presidentja e Caritas Zvicrës, Monika Maire-Hefti, tha se shifrat e varfërisë tek të rinjtë mbeten të qëndrueshme.
“Ato nuk po bien, përkundrazi”, tha ajo, duke theksuar se kjo situatë ndikon edhe në mirëqenien dhe shëndetin mendor të të rinjve.

Sipas saj, është për t’u vlerësuar që qyteti i Fribourgut po merret me këtë problem. Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve në zgjedhjen e një profesioni dhe në sigurimin e mjeteve që do t’u mundësojnë atyre të përballen me pasigurinë ekonomike.

Maire-Hefti nënvizoi se pasiguria ekonomike ndikon ndjeshëm në aftësinë e të rinjve për të marrë pjesë në jetën shoqërore, një element i rëndësishëm në zhvillimin e tyre personal.

Ajo shtoi se pasiguria prek kryesisht familjet dhe mund të ketë ndikim të madh në vendbanimin e tyre, mundësitë për arsimim dhe trajnim profesional, cilësinë e jetës dhe dinjitetin e tyre.

Për këtë arsye, ajo kërkon që “pasiguria dhe varfëria të bëhen më të dukshme”, në mënyrë që të mund të ndërmerren masa konkrete për adresimin e tyre.

The post Fribourg nis fushatë për të ndihmuar të rinjtë të përballen me pasigurinë dhe varfërinë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.