Sanchezi: Spanja qeveriset nga Madridi, jo nga Uashingtoni, Tel Avivi apo Moska!

Spanja nuk do të lejojë që politikat e saj të përcaktohen nga kryeqytetet e huaja, deklaroi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, duke theksuar se vendet evropiane duhet të forcojnë pavarësinë e tyre politike, ekonomike dhe teknologjike për të mbrojtur interesat e tyre në një kohë të përplasjeve gjithnjë e më të theksuara gjeopolitike, përcjell TV21.
“Spanja qeveriset nga Spanja, jo nga Uashingtoni, Tel Avivi, Moska apo Buenos Airesi”, theksoi Sanchez në forumin ndërkombëtar “Bota në progres”, që u mbajt në Barcelonë, raportoi gazeta “El Pais”.
Kryeministri spanjoll paralajmëroi se forcimi i së djathtës ekstreme përbën kërcënim për liritë politike dhe unitetin evropian. Ai akuzoi disa organizata politike se veprojnë nën ndikimin e liderëve të huaj dhe fuqive financiare.
Sipas tij, partitë e ekstremit të djathtë në disa vende evropiane mbajnë lidhje me qendra politike dhe ekonomike jashtë Evropës, interesat e të cilave jo domosdoshmërisht përputhen me ato të qytetarëve evropianë.
Si shembuj të një qasjeje tjetër, ai përmendi kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin polak Donald Tusk, duke theksuar se në bashkëpunimin politik ekzistojnë kufij që nuk duhet të tejkalohen.
Sanchez veçoi tri sfida kryesore për të ardhmen e Evropës: luftën në Ukrainë, rivalitetin strategjik mes SHBA-së dhe Kinës, si dhe konkurrencën gjithnjë e më të ashpër ndërkombëtare për energji dhe burime të tjera.
Sipas vlerësimit të tij, konfliktet në Lindjen e Mesme u kanë shkaktuar ekonomive evropiane kosto shtesë prej rreth 100 miliardë eurosh, duke ndikuar drejtpërdrejt në standardin jetësor të qytetarëve dhe aktivitetin e bizneseve.
The post Sanchezi: Spanja qeveriset nga Madridi, jo nga Uashingtoni, Tel Avivi apo Moska! appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



