Gjenevë: U promovua libri “Shekulli i parë” në një festë të kujtesës historike
Nën kujdesin e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë dhe Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, kjo ngjarje u shndërrua në një festë të kujtesës dhe përkatësisë The post Gjenevë: U promovua libri “Shekulli i parë” në një festë të kujtesës historike appeared first on Albinfo.

Më 4 prill 2025, në UniMail, Gjenevë u mbajt një eveniment, i cili bashkoi shqiptarët e Gjenevës rreth një vepre të veçantë. U promovua libri “Shekulli i Parë” nga Sejmen Gjokoli, një Mjeshtër i Madh, studiues dhe mbrojtës i trashëgimisë sonë shpirtërore. Nën kujdesin e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës dhe Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, kjo ngjarje u shndërrua në një festë të kujtesës dhe përkatësisë, duke krijuar një atmosferë të rrallë ku fjala, muzika dhe emocionet u bashkuan në një përvojë të paharrueshme.
Të pranishëm në këtë ngjarje të veçantë ishin figura të shquara të diasporës dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, si Znj. Floreta Kabashi, Konsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Znj. Monika Zguro, diplomate nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Musa Jupolli kryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë, Veli Genc Berisha – Hora e Skënderbeut- Zvicër si dhe aktivistë të shoqërisë civile, miq të librit, dhe dashamirës të kulturës shqiptare.
Programi i mbrëmjes përfshiu një gamë të pasur aktivitetesh, përfshirë fjalime frymëzuese nga të rinjtë e diasporës dhe përfaqësues të komunitetit. Një dokumentar i veçantë për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë solli emocion të thellë dhe krenari kombëtare, ndërsa një homazh i ndjerë u bë për profesor Astrit Lekën, themelues shpirtëror i shumë nismave kulturore në Gjenevë.
Këngët e grupit “Hareja” ngjallën mall e gëzim në zemrat e të pranishmëve, duke përforcuar lidhjen me rrënjët dhe kulturën shqiptare.
Libri “Shekulli i Parë” është një përpjekje për të dokumentuar të papërshkrueshmen, duke sjellë një pasqyrë të thellë dhe të ndjerë të ngjarjeve që shënuan një moment të madh në historinë e Shqipërisë. Ai na tregon emocionet dhe ndjesitë që përhapen në ajër, nga rrugët e Vlorës deri në kodrat dhe lagjet ku mijëra zemra rrihnin në një ritëm të vetëm – me dashuri për atdheun. Momente të tilla si parada e Mitrovicës dhe performanca unike e Strugës, ku u rikrijuan figura të mëdha historike si Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, treguan fuqinë krijuese dhe shpirtin patriotik që karakterizon shqiptarët.
Sejmen Gjokoli, autori i librit, ndau emocionet e tij gjatë ngjarjes, duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti dhe të veprës që promovon unitetin dhe bashkimin kombëtar. “Të jesh pjesë e një aktiviteti përtej kufijve amë, ku ndjehet fuqishëm shqiptaria dhe shpirti kombëtar, është një privilegj i veçantë”, tha ai.
Gjokoli falënderoi organizatorët dhe komunitetin shqiptar të Gjenevës për përkushtimin dhe bashkëpunimin e treguar. Ky libër është më shumë se një promovim letrar. Ai është një reflektim mbi fuqinë e bashkimit dhe organizimit. Shembulli i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës në bashkëpunim me studentët shqiptarë është dëshmi e qartë se historia jonë nuk është vetëm një kujtim, por një thesar që duhet të kalojë me krenari nga brezi në brez. Të tilla ngjarje na rikujtojnë jo vetëm se kush kemi qenë, por edhe kush duam të jemi. Na ndihmojnë të kuptojmë se pa rrënjë, nuk ka drejtim. Dhe pikërisht, ajo ditë në Vlorë mbetet një rrënjë e fortë në ndërgjegjen tonë kolektive – një kujtim i përbashkët, një dëshmi se, po, shqiptarët dinë të organizohen, të bashkohen, dhe mbi të gjitha, të duan e të nderojnë Shqipërinë siç e meriton.
Znj. Floreta Kabashi, Konsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë, theksoi rëndësinë e këtij botimi për kujtesën dhe trashëgiminë kombëtare, duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. “Ky botim është një kontribut i çmuar për kujtesën dhe trashëgiminë tonë kombëtare,” tha ajo, duke shprehur mirënjohjen për Shoqatën e Studentëve Shqiptarë dhe grupet artistike për përkushtimin e tyre në mbajtjen gjallë të vlerave kulturore shqiptare.
Afërdita Krasniqi, përfaqësuese e grupit “Hareja” në fjalën e saj nderoi profesor Astrit Lekën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndër breza për ruajtjen e kulturës shqiptare. “Si shoqatë, kemi realizuar shumë aktivitete, por bashkëpunimi me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës është i veçantë,” tha ajo, duke shtuar se ky aktivitet krijoi një lidhje të fortë emocionale me rrënjët shqiptare.
Vanesa Likaj, Kryetare e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Gjenevë, ndau emocionet e saj si studente që është rritur në mërgatë. Ajo e theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare, sidomos në një ambient ku identiteti sfidohet çdo ditë. “Ky libër është një dëshmi e përpjekjeve tona për të mos harruar kush jemi dhe nga vijmë,” tha ajo.
Ky aktivitet ishte një mbrëmje e paharrueshme, që shërbeu si një kujtesë e fortë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare, si dhe një dëshmi të forcës së bashkimit dhe angazhimit të komunitetit shqiptar në Gjenevë për të mbajtur gjallë shpirti kombëtar, kudo që ndodhen.
The post Gjenevë: U promovua libri “Shekulli i parë” në një festë të kujtesës historike appeared first on Albinfo.