Gjoba 250 euro/ Refuzimi i ankesës së Kurtit në Gjykatë, njohësit e drejtësisë tregojnë hapat e mëtutjeshëm që do të ndiqen
Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes kolegjit shqyrtues të gjyqtarëve, ka hedhur poshtë ankesën e kreut të VV-së, Albin Kurti kundër gjobës prej 250 eurosh, të cilën ai e kishte pranuar për shkak të mosparaqitjes në Prokurorinë Speciale si dëshmitar në rastin që lidhet me rezervat shtetërore. Ky vendim i Gjykatës e bën të plotfuqishme gjobën
Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes kolegjit shqyrtues të gjyqtarëve, ka hedhur poshtë ankesën e kreut të VV-së, Albin Kurti kundër gjobës prej 250 eurosh, të cilën ai e kishte pranuar për shkak të mosparaqitjes në Prokurorinë Speciale si dëshmitar në rastin që lidhet me rezervat shtetërore.
Ky vendim i Gjykatës e bën të plotfuqishme gjobën e shqiptuar, duke i lënë Kurtit vetëm mundësinë e pagesës dhe nëse kjo gjobë nuk paguhet, Gjykata mund të merr masa tjera ndaj kreut të VV-së.
Ndryshe, Prokuroria Speciale me 11 dhjetor të vitit të kaluar ka dërguar një ftesë në adresë të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për t’u paraqitur në këtë institucion me datë 16 dhjetor 2024.
Në dokumentin e Prokurorisë Speciale thuhej se bëhet fjalë për rastin PPSnr. 62/2023, i cili është numri i lëndës për rastin e rezervave shtetërore, pra Kurti ishte ftuar si dëshmitarë mbi këtë rast.
Deri më tani Kurti ka refuzuar të përgjigjet ndaj kësaj ftese, me ç’rast është marr vendim gjobe ndaj refuzimit të tij për paraqitje në Prokurori.
Ish-kreu i Apelit: Gjoba është e formës së prerë, Gjykata mund të marrë masa të tjera ndaj Kurtit nëse nuk paguhet gjoba
Pas refuzimit nga Gjykata e Apelit të ankesës së Albin Kurti për gjobën prej 250 eurosh, e shqiptuar për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, për FrontOnline ka sqaruar hapat që mund të pasojnë këtë vendim.
“Nëse ankesa ju është refuzuar dhe masa që iu është përcaktuar prej 250 euro, do të ekzekutohet sepse është i formës së prerë,” ka deklaruar Shala.
Sipas tij, tani vendimi hyn në fazën e ekzekutimit dhe përgjegjës për këtë është vetë Gjykata.
“Tash kjo masë ekzekutohet, vendimin e ekzekuton Gjykata, kërkon për t’u paguar dhe nëse nuk paguhet, Gjykata merr masa tjera,” theksoi ai.
Në rast se gjoba nuk paguhet në afat, Shala shpjegon se Gjykata ka në dispozicion dy mundësi.
“Por tash mundet me marrë masa tjera, se Gjykata vendos a me marrë vendim për masë tjetër prej 250 euro, apo të marrë vendim për shoqërim të Kurtit në Prokurori, masë tjetër nuk ka.” u shpreh Shala.
Avokati Bajraktari: Kurti duhet ta paguajë gjobën, mosparaqitja e përsëritur mund të sjellë dënim me burg deri në 30 ditë
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të refuzuar ankesën e Kryeministrit Albin Kurti lidhur me gjobën prej 250 eurosh, avokati Ardian Bajraktari për FrontOnline ka deklaruar se ky vendim është i bazuar në ligj dhe se Kurti është i obliguar ta përmbushë.
Ai theksoi se vendimi i Gjykatës është marrë me vlerësimin se nuk ka pasur arsye të qëndrueshme që Kurti mos të paraqitet në Prokurori dhe shtoi se ky vendim, siç e kemi thënë edhe më parë, është në pajtim me nenin 132 të procedurës penale, ku çdo person duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi.
‘’Kjo nënkupton se mos paraqitjes dhe mos arsyetimit të shkallës së parë rrjedhimisht i bie se Kurti duhet të paguaj gjobën, me çka natyrisht gjykata ka vlerësuar se nuk ka pasur arsye të qëndrueshme që Kurti mos të paraqitet në Prokurori dhe ky vendim siç e kemi thënë edhe më parë është në pajtim me nenin 132 të procedurës penale, ku cdo person duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi’’ thot֝ ai për FrontOnline.
Sipas tij, hapat e mëtejmë tash varen nga Prokuroria.
“Tash mbetet që Prokuroria të dërgojë ftesë të re, me qëllim që i njëjti ta kryej këtë detyrim ligjor.’’ shtoi avokati.
Avokati Bajraktari gjithashtu paralajmëroi për pasojat që mund të pasojnë në rast të një mosparaqitjeje tjetër pa arsye të vlefshme:
“Në rast se Kurti nuk paraqitet dhe nuk jep arsyet e shpjegueshme, mund të paraqitet skenari i njëjtë dhe neni 132 paragrafi 1 dhe 2 e specifikon se në rast se kjo bëhet e përsëritur, atëherë masa më e ashpër që mund të shqiptohet dënimi me burg deri në 30 ditë.” u shpreh ai.
Avokati Jashari pas vendimit të gjykatës për Kurtin: Ka të drejtë të ankohet sërish, por nëse refuzohet, gjoba duhet paguar
Avokati Arbër Jashari për FrontOnline ka sqaruar mundësitë ligjore që Albin Kurti ende i ka në dispozicion, por edhe pasojat nëse gjoba nuk paguhet, pas refuzimit nga Gjykata e Apelit të ankesës së Kryeministrit Albin Kurti për gjobën prej 250 eurosh, të shqiptuar për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore.
“Kurti ka të drejtë të ushtrojë mjetin juridik kundër këtij vendimi, pranë organit kompetent,” ka deklaruar Jashari, duke lënë të kuptohet se ekziston ende një mundësi ligjore për kundërshtim.
Megjithatë, ai thekson se nëse edhe kjo ankesë eventuale refuzohet, atëherë pagesa e gjobës bëhet obligative.
“Nëse ankesa apo kundërshtimi i tij refuzohet, atëherë ai do të duhet ta paguajë gjobën,” theksoi ai.
Jashari sqaroi edhe procedurën e pagesës.
“Zakonisht kjo bëhet duke e tërhequr fletpagesën në gjykatën përkatëse dhe duke e paguar atë në llogarinë e KGJK-së.” shtoi avokati për FrontOnline.
Në rast të mosrespektimit të këtij obligimi, avokati paralajmëron mundësinë e masave tjera ligjore: “Nëse nuk e paguan, mund të ketë pasoja tjera.” përfundoi ai.
Avokati Smakiqi: Refuzimi i ankesës nga Kurti mund të sjellë burgimin si masë për detyrimin
Avokati Xhevdet Smakiqi për FrontOnline ka komentuar refuzimin e ankesës së kryeministrit Albin Kurti nga ana e Gjykatës së Apelit lidhur me gjobën prej 250 euro për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK). Ai theksoi se dështimi i respektimit të një urdhri të gjykatës nga një dëshmitar është një shkelje e rëndë e ligjit dhe se, në këtë rast, përmbushen kushtet ligjore për të ndërmarrë masa ekstreme, siç është burgimi.
“Kur një urdhër i gjykatës nuk respektohet, përfshirë sidomos procedurën penale, nga secili person, pavarësisht pozites politike apo ekzekutive, pa dallime ndaj askujt, duhet të zbatohet plotësisht Kodi i Procedurës Penale, saktësisht neni 132 në të gjithë paragrafët e tij,” tha Smakiqi.
Sipas tij, nëse ankesa e Kurtit është refuzuar dhe ai nuk e ka paguar gjobën, atëherë përmbushen të gjitha kushtet ligjore për qëndrimin e tij në paraburgim.
“Në rastin konkret, nëse dëshmitari Albin Kurti ka ushtruar ankesa ndaj këtij urdhëri dhe nëse është lejuar ankesa dhe Gjykata e Shkallës së Dytë, pra e Apelit, e ka refuzuar ankesa dhe ky dëshmitar refuzues nuk e ka paguar gjobën, atëherë përmbushen të gjitha kushtet ligjore që ndaj tij gjyqtari i procedurës parparke të nxjerr urdhër për caktimin e burgimit 30-ditor si masë e fundit për ta detyruar dëshmitarin Albin Kurti të japë deklaratën për rastin penal në PSRK që është Rezervat Shtetërore.” tha ai.
Avokati Smakiqi theksoi se pavarësisht pozita e lartë e Kurtit, organet e drejtësisë duhet të zbatojnë ligjin pa asnjë kompromis.
“Organet e drejtësisë, edhe pse janë sfiduar nga një dëshmitar që mban pozitat aktuale të deputetit dhe më nuk është as kryeministër, duhet ta zbatojnë nenin 132 të KPPRK-së.” deklaroi avokati Smakiqi.
Ai përfundoi duke paralajmëruar pasojat që mund të ketë mosrespektimi i këtij procesi, duke theksuar se nëse nuk zbatohet ligji, “shembet sistemi i ndarjes së pushteteve dhe bie Republika e Kosovës.”