“Goldfröschli”: Dy motra shqiptare krijojnë një botë magjike për fëmijët në Zvicër
Qenrda “Goldfröschli” është konceptuar si një vend ku fëmijët të ndihen të lirë, të gëzuar dhe prindërit të relaksohen pa shqetësim. Hapja e saj do të bëhet më 15 nëntor 2025. The post “Goldfröschli”: Dy motra shqiptare krijojnë një botë magjike për fëmijët në Zvicër appeared first on Albinfo.

Aty ku fëmijët ndihen të lirë të qeshin, të kërcejnë dhe të ëndërrojnë, në Teufenthal ka lindur “Goldfröschli”, një vend që sjell ngrohtësi, argëtim dhe kujtime të arta për çdo familje.
Pas këtij emri plot dritë qëndrojnë dy motra shqiptare, Arjana Dedaj dhe Besa Rrasi me rrënjë nga Kosova, nëna dhe vizionare, të cilat kthyen një ide të thjeshtë, në një hapësirë ku fëmijët gjejnë gëzimin, ndërsa prindërit, qetësinë e munguar.
Në këtë intervistë ato ndajnë udhëtimin e tyre të frymëzuar, emocionet, sfidat dhe mesazhin që shkon përtej biznesit: të ndërtosh një vend ku mishërohet dashuria për familjen dhe fëmijët.
albinfo.ch: Si lindi ideja për të krijuar një qendër rekreative për fëmijë në Zvicër?
Arjana Dedaj dhe Besa Rrasi: Ideja lindi nga dëshira për të sjellë diçka ndryshe – një vend ku fëmijët të ndihen të lirë, të gëzuar dhe prindërit të relaksohen pa shqetësim. Si nëna dhe motra, e ndjenin mungesën e një hapësire ku të gjithë anëtarët e familjes mund të kalonin kohë të vlefshme së bashku. Kështu mori jetë “Goldfröschli” – një botë e vogël e lumturisë.
albinfo.ch: A ishte një ëndërr e hershme apo një nevojë që lindi nga jeta e përditshme?
Çdo ditë ndjenim mungesën e diçkaje të vogël, por të rëndësishme. Në Zvicër, mes ritmit të përditshëm dhe ditëve të gjata me shi, mungonte ajo ndjesi e ngrohtë që të kujton pushimet. Ne donim ta sillnim atë atmosferë lojërash, buzëqeshjesh dhe dritash për fëmijët – një vend ku koha ndalet për pak dhe fillojnë kujtimet më të bukura.
albinfo.ch:Sa ka ndikuar përvoja juaj si motra, nëna dhe profesioniste në këtë vendim?
Të qenit motra është një bekim i vërtetë. Njohim mirë ritmin, forcën dhe ëndrrat e njëra-tjetrës. Përkrahja e familjes ka qenë thelbësore në këtë rrugëtim. Kemi mësuar se gjërat e mëdha lindin vetëm kur bashkohesh me dashuri dhe besim.
albinfo.ch: Çfarë ofron konkretisht qendra për fëmijët?
“Goldfröschli” është krijuar për moshat nga 1 deri në 12 vjeç. Fëmijët mund të shijojnë arenën e madhe të trampolinave, rrëshqitësen në formë vullkani, zonën për më të vegjlit, kështjellën e kërcimit dhe karuselin tonë të veçantë që është kthyer në atraksionin më të dashur.
albinfo.ch:Si është konceptuar hapësira dhe ku ndodhet?
Qendra ndodhet në Wynenthalstrasse 1, Teufenthal (AG), vetëm 10 minuta nga Reinach, Menziken dhe Suhr, me lidhje direkte treni nga Aarau dhe hapësira të bollshme parkimi. Është një vend ku çdo fëmijë, por edhe prindërit, gjejnë diçka për veten – një ekuilibër mes lojës dhe qetësisë.
albinfo.ch:A planifikoni edhe programe kreative apo kulturore?
Po, kjo është pjesë e shpirtit të “Goldfröschli”. Përveç lojërave, do të zhvillohen aktivitete edukative, artistike dhe ditë të veçanta. Një shembull është “Herzensmontag” – ku çdo të hënë hapim dyert vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuara, që edhe ata të kenë hapësirën e tyre të sigurt e të qetë për të buzëqeshur.
albinfo.ch: Si e keni bërë qendrën tërheqëse edhe për prindërit?
Ne e dimë se sa i rëndësishëm është një moment pushimi për prindërit. Prandaj kemi një kuzhinë të shkëlqyer me pica të freskëta të përgatitura çdo ditë, aperitivë të shijshëm dhe atmosferë relaksuese – një vend ku mund të ndihesh si me pushime ndërsa fëmijët luajnë.
albinfo.ch: Cilat ishin sfidat më të mëdha gjatë krijimit të projektit?
Gjetja e vendit të përshtatshëm, lejet e nevojshme dhe ndërtimi ishin prova të vërteta durimi. Por kur ke përpara syve vizionin e fëmijëve që qeshin, çdo pengesë shndërrohet në motivim.
albinfo.ch: Si ka qenë rruga juaj si dy motra shqiptare në Zvicër që nisin një sipërmarrje të tillë?
Jemi rritur këtu dhe kemi mësuar se çdo ëndërr kërkon punë, durim dhe zemër. Kemi dashur të tregojmë se edhe si gra, si nëna, si shqiptare – mund të krijosh diçka me vlerë për komunitetin.
albinfo.ch: A ka pasur momente kur keni menduar të hiqni dorë?
Sigurisht që po, por çdo herë që ndiheshim të lodhura, kujtonim arsyen se përse e nisëm: dashurinë për fëmijët. Ajo na ka mbajtur gjallë dhe na ka udhëhequr drejt këtij realiteti që sot e ndajmë me shumë familje.
albinfo.ch: Ku e shihni “Goldfröschli” pas pesë vitesh?
E shohim si një vend që mbetet në kujtesën e çdo fëmije, si një strehë gëzimi që ndriçon çdo ditë. Një qendër ku fëmijët ndihen të lirë, të dashur dhe të vlerësuar – aty ku lindin kujtimet më të bukura të fëmijërisë.
albinfo.ch:Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni prindërve?
Çdo fëmijë është një botë më vete, një thesar i artë që kërkon dashuri dhe praninë tonë. Ejani dhe ndani këtë kohë me ta. Sepse te “Goldfröschli”, ne besojmë se momentet më të bukura lindin kur luani, qeshni dhe jeni bashkë.
“Goldfröschli” është një hapësirë ku lindin kujtime, ku fëmijët rriten me gëzim dhe ku prindërit mësojnë sërish të qeshin me shpirt.
Historia e dy motrave që e krijuan këtë vend është dëshmi se dashuria, kur bashkohet me guximin dhe përkushtimin, mund të kthehet në diçka që prek shumë zemra.
Në çdo zë që qesh, në çdo aromë pice të freskët, në çdo hap të vogël që vrapon me dritë në sy, ndjehet fryma e një ëndrre të realizuar – ajo e fëmijërisë së lumtur dhe të artë që “Goldfröschli” dëshiron t’i dhurojë çdo familjeje.
Biografi e shkurtër për motrat
Arjana Dedaj dhe Besa Rrasi janë dy motra shqiptare që prej shumë vitesh jetojnë në Zvicër. Me përvojë të gjatë në fusha si edukimi, kujdesi ndaj fëmijëve dhe menaxhimi, ato kanë bashkuar përvojën, dashurinë për fëmijët dhe shpirtin sipërmarrës për të krijuar qendrën “Goldfröschli”, një vend të veçantë për argëtimin dhe mirëqenien e familjeve.
“Goldfröschli” hapet më 15 .11. 2025
Qenda “Goldfröschli” është konceptuar si një vend ku fëmijët të ndihen të lirë, të gëzuar dhe prindërit të relaksohen pa shqetësim. Hapja e saj do të bëhet më 15 nëntor 2025.
Adresa: Wynenthalstrasse 1 5723 Teufenthal, Switzerland
Website: https://goldfroeschli-kinderwelt.ch/
Foto: Armend Berisha
The post “Goldfröschli”: Dy motra shqiptare krijojnë një botë magjike për fëmijët në Zvicër appeared first on Albinfo.