Granit Maqedonci, shqiptari që po shkëlqen si gjyqtar në elitën e futbollit suedez
Në një kohë kur numri i futbollistëve shqiptarë në ligat evropiane është në rritje, figura të tjera si trajnerët dhe gjyqtarët janë ende të rralla. Një ndër përjashtimet është Granit Maqedonci, 36-vjeçari me origjinë nga Prishtina, i cili po lë gjurmë të rëndësishme në elitën e futbollit suedez, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch. Maqedonci ka drejtuar […] The post Granit Maqedonci, shqiptari që po shkëlqen si gjyqtar në elitën e futbollit suedez appeared first on Albinfo.

Në një kohë kur numri i futbollistëve shqiptarë në ligat evropiane është në rritje, figura të tjera si trajnerët dhe gjyqtarët janë ende të rralla. Një ndër përjashtimet është Granit Maqedonci, 36-vjeçari me origjinë nga Prishtina, i cili po lë gjurmë të rëndësishme në elitën e futbollit suedez, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch.
Maqedonci ka drejtuar tashmë 112 ndeshje në Allsvenskan, liga më e lartë suedeze, duke u bërë një prej emrave më të njohur në arbitrazhin e vendit nordik. Ndeshjen e tij të 112-të e kishte të dielën, kur ndau drejtësinë në takimin Sirius – Brommapojkarna, në xhiron e tretë të kampionatit.
Ai mban stemën e FIFA-s dhe ka ambicie të qarta për të gjykuar në fazat e grupeve të garave evropiane. “Kam nisur të referoj në moshën 15-vjeçare për të fituar pak të ardhura shtesë. Kam luajtur futboll deri në moshën 25-vjeçare, kur vendosa të fokusohem vetëm në referim,” ka rrëfyer ai për gazetën KOHA.
Në karrierën e tij, Maqedonci ka ndarë drejtësinë edhe në 78 ndeshje të Superettan-it (liga e dytë suedeze), si dhe në 11 takime ndërkombëtare. Këto përfshijnë ndeshje kualifikuese për Evropianin U19, UEFA Youth League dhe fazat preliminare të Ligës së Konferencës, transmeton albinfo.ch.
Ndër ambiciet e tij është edhe një ndeshje në vendlindje. “Do të dëshiroja të gjykoja edhe një ndeshje në Kosovë, nëse do të kishte mundësi. Kam qenë në kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës, por duket e vështirë për t’u aranzhuar,” shprehet ai për KOHA.
Pavarësisht origjinës së tij, shumë nuk e dinë që ai është nga Kosova për shkak të mbiemrit. “Shumë mendojnë se jam nga Maqedonia. Por unë jam krenar që jam shqiptari i parë nga Kosova që referon në Allsvenskan. Janë hapur dyert edhe për të tjerët – tashmë në Superettan janë disa gjyqtarë nga Kosova,” tregon Maqedonci.
Një javë më parë, ai ishte në qendër të vëmendjes pasi gjykoi një ndeshje dramatike mes AIK-ut dhe Norrkopingut, që u ndërpre për rreth 25 minuta pas një incidenti të rëndë ku një nga asistentët e tij u godit nga tifozët me një mjet të fortë, transmeton albinfo.ch.
“Ishte hera e parë që ndërpreva një ndeshje. Bëmë gjithçka sipas protokollit, për të siguruar që asistenti im të mund të vazhdonte në kushte të sigurta. Ishte një ngjarje që mori shumë vëmendje në Suedi,” tha ai, duke shtuar se tashmë janë vendosur procedura të reja sigurie për raste të tilla.
Me përkushtim, profesionalizëm dhe synime të qarta, Granit Maqedonci po vazhdon të ngjitet lart në hierarkinë e gjyqtarëve evropianë, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin shqiptar në një fushë ku zërat tanë janë ende të rrallë, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch.
The post Granit Maqedonci, shqiptari që po shkëlqen si gjyqtar në elitën e futbollit suedez appeared first on Albinfo.