Haziri: VV Gjilanin e shndërroi në shitore të thyer

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, në konferencën për media të mbrëmjes, ka paraqitur qëndrimet e partisë përkitazi me zhvillimet e fundit në Kuvendin Komunal. LDK në Gjilan ka filluar me procesin e analizës së zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i falënderuar strukturat e partisë, komisionerët

Haziri: VV Gjilanin e shndërroi në shitore të thyer

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, në konferencën për media të mbrëmjes, ka paraqitur qëndrimet e partisë përkitazi me zhvillimet e fundit në Kuvendin Komunal.

LDK në Gjilan ka filluar me procesin e analizës së zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i falënderuar strukturat e partisë, komisionerët e vëzhguesit, duke qenë se jemi në fazën e tretë të procesit zgjedhor, ku pritet çertifikimi i tyre, u tha ndër tjera.

”Jemi falënderues ndaj të gjithë atyre që kanë punuar pa u kursyer, në mënyrë që LDK ta kalojë këtë process, duke qenë shembulli më i mirë i sjelljes politike e ofrimit të programit më të mirë. Po ashtu, më 4 mars ne shënojmë 35-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, me respekt ndaj të gjithë veprimtarëve, aktivistëve e funksionarëve, në veçanti përulemi ndaj atyre burra e grave të cilët nuk janë sot në mesin tonë”.

Ky përvjetor jubilar do shënohet në vendin ku është themeluar LDK e Gjilanit, në Përlepnicë, në sallën “Zija Shemsiu”, në ora 14:00.

Ndërsa, në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendit Komunal sipas Hazirit, dëshmoi konstruktivitetin e madh, duke miratuar buxhetin për qytetarët, punëtorët shëndetësorë e arsimtarët dhe të gjitha kategoritë.

”LDK dhe partitë tjera opozitare janë sjell si grupe politike në interes të qytetarëve e jo me agjenda partiake, duke treguar konstruktivitetin e madh, si dëshmi se ne e duam qytetin më shumë se partinë. I vetmi që është sjellur si me agjenda të partisë është i pari i ekzekutivit z. Alban Hyseni, i cili për këto katër vite e shndërroi Gjilanin në një shitore të thyer, duke e stërkequr çdo sektor, për ta dëshmuar për fat të keq që ky mandat ka qenë i humbur për qytetarët”.

LDK kërkon nga ekzekutivi, të cilin do ta mbikëqyrë vazhdimisht, që buxheti të implementohet në tërësi e jo në mënyrë selektive.