“Heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës në duar të diplomacisë kosovare”

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë vlerësuar se heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, është në duar të diplomacisë kosovare në kuptimin se sa janë të aftë që t’i bindin shtetet anëtare të BE-së se Kosova është faktor stabiliteti në Ballkan. Kryetari i Odës ekonomike Lulzim Rafuna, tha se nuk është hera e parë që

“Heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës në duar të diplomacisë kosovare”

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë vlerësuar se heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, është në duar të diplomacisë kosovare në kuptimin se sa janë të aftë që t’i bindin shtetet anëtare të BE-së se Kosova është faktor stabiliteti në Ballkan. Kryetari i Odës ekonomike Lulzim Rafuna, tha se nuk është hera e parë që në parlamentin Evropian kërkohet heqja e masave por deri më tash nuk ka lëvizje në këtë drejtim. Pas miratimit të këtij raporti, qeveria në detyrë nuk është përgjigjur se cilët janë hapat që do t’i ndërmarr për heqjen e masave.

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian një ditë më parë ka votuar raportin për Kosovën ku ndër të tjerash është kërkuar heqja e menjëhershme e masave ndëshkuese të BE-së. Raporti i përpiluar nga raportuesi për Kosovën, Riho Terras u miratua me 48 vota për, 19 kundër dhe 6 abstenime. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian Riho Terras, tha se e ardhmja e Kosovës është në BE.

“E ardhmja e Kosovës qëndron në familjen e Bashkimit Evropian — ne kemi nevojë për një momentum të ri në dialog me Beogradin dhe një rrugë të fortë reformash të bazuar në merita drejt integrimit BE”.

Në parlamentin Evropian është theksuar gjithashtu se dialogu me Serbinë nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Në bazë të raportit të miratuar kërkohet që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit.

Ish-diplomati Blerim Canaj vlerëson se heqja ose jo e masave është në duar të diplomacisë së Kosovës. Canaj ngre alarmin se heqja e masave shumë lehtë mund të kushtëzohet me formimin e asociacionit.

“Heqja e masave nuk është punë e lehtë, sepse masat i merr lehtë por t’i heqësh është vështirë. Kjo tash varet krejt nga diplomacia e Kosovës se sa janë të aftë që t’i bindin shtetet e BE-se për heqjen e tyre”, tha Canaj për RTV21.

Masat e Kosovës u vendosën në qershor të vitit 2023 ndërkohë gati dy vjet pas Kosova vlerësohet se ka humbur mbi 300 milionë euro, mjete këto të cilat priteshin të përdoreshin për projekte të ndryshme infrastrukturore.

RTV21 ka tentuar të marr një përgjigje nga qeveria në detyrë për hapat që ajo ka ndërmarr për t’i bindur shtetet e BE-së që të hiqen këto masa, por nuk ka marr një përgjigje.

Kryetari i odës ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke folur për dëmet që shkaktuan këto masa, tha se kjo nuk është hera e parë që BE-se i kërkohet heqja e tyre.

“Parlamenti Evropian edhe më herët i ka kërkuar BE-së që këto masa të hiqen por deri më tani nuk kemi parë veprime në këtë drejtim”, tha Rafuna për RTV21.

Një rekomandim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar e kishte kërkuar edhe ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell. Megjithatë, ato vazhdojnë të jenë ende në fuqi, ndërsa për heqjen e tyre vendosë këshilli i ministrave të BE-së.

Ish-diplomati Blerim Canaj thotë se duhet të pritet nga qeveria e ardhshme që të bëjë lëvizje në këtë drejtim.

“Masat kishin për qëllim shkurt shqip të na mbushin mend, duhet të shohim nga qeveria e ardhshme se ajemi mbushur mend apo jo”, tha Canaj.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023 si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kryetarët e rinj nisën punën e tyre në Komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë./RTV21/21Media