Hulumtuesi i IKD: Kurti mund të burgoset nëse refuzon të dëshmojë
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala në një prononcim për FrontOnline ka thënë se refuzimi i Kryeministrit për të dhënë dëshminë e tij është një veprim që nuk është i pranueshëm në një shtet ku ekzistojnë parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimi i ligjit. ‘’ Fillimisht, duhet theksuar faktin se

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala në një prononcim për FrontOnline ka thënë se refuzimi i Kryeministrit për të dhënë dëshminë e tij është një veprim që nuk është i pranueshëm në një shtet ku ekzistojnë parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimi i ligjit.
‘’ Fillimisht, duhet theksuar faktin se skena e refuzimit të Kryeministrit për të dhënë dëshminë e tij, në cilësi të dëshmitarit, nuk paramendohet të ndodhë një shtet që udhëhiqet nga parimet e qeverisjes së mirë dhe në të cilin ka sundim të ligjit’’, tha Shala.
Ai ka shtuar se një Kryeministër duhet të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë dhe të mos i refuzojë ato.
‘’ Pa paragjykuar përfundimin e asnjë rasti, një Kryeministër duhet të bashkëpunojë dhe jo ti refuzojë institucionet e sistemit të drejtësisë’’, potencoi Shala.
Shala ka shpjeguar se, sa i përket aspektit procedural, tashmë ka një urdhër të Gjykatës që i kërkon Kryeministrit të dëshmojë. Nëse Kryeministri vazhdon të refuzojë, sipas nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata mund të shqiptojë një gjobë deri në 250 euro dhe të caktojë një datë të re për paraqitjen e tij. Nëse ai përsëri nuk paraqitet, Gjykata mund të urdhërojë burgosjen deri në një muaj.
‘’ Mos paraqitja e Kryeministrit në këtë rast tanimë nuk është vetëm mos përgjigje ndaj ftesës së Prokurorisë por edhe mos përgjigje ndaj urdhrit të Gjykatës. Sipas nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, në këtë situatë, pas refuzimit të Kryeministrit për të dëshmuar, Gjykata, sipas njoftimit të Prokurorisë, shqipton gjobë deri në 250 euro dhe cakton një datë të re, në të cilën e obligon në këtë rast dëshmitarin të paraqitet për të dëshmuar. Nëse përsëri dëshmitari nuk paraqitet, atëherë Gjykata mund të urdhërojë burgosjen deri në 1 muaj’’, përfundoi hulumtuesi i IKD-së.