Intervista me kryeparlamentarin Afrim Gashi: VLEN as nuk është “plagosur” dhe as nuk ka pësuar “tërmet”
Intervista e kryeparlamentarit Afrim Gashi. NOVA: Është më se e arsyeshme që këtë intervistë me ju ta fillojmë me aktualitetin politik më të nxehtë – “tërmeti” në VLEN. A e kishit parandjerë më herët këtë veprim të Taravarit apo ju befasoi edhe juve personalisht dhe subjektin tuaj VLEN? Gashi: Nuk do ta quaja “tërmet”. Tashmë […] The post Intervista me kryeparlamentarin Afrim Gashi: VLEN as nuk është “plagosur” dhe as nuk ka pësuar “tërmet” appeared first on InfoShqip.com.

Intervista e kryeparlamentarit Afrim Gashi.
NOVA: Është më se e arsyeshme që këtë intervistë me ju ta fillojmë me aktualitetin politik më të nxehtë – “tërmeti” në VLEN. A e kishit parandjerë më herët këtë veprim të Taravarit apo ju befasoi edhe juve personalisht dhe subjektin tuaj VLEN?
Gashi: Nuk do ta quaja “tërmet”. Tashmë është e qartë se zhvillimet nuk ndikuan në stabilitetin e VLEN-it. Ju e dini se unë jam përmbajtur gjithmonë nga komentimi i çështjeve të brendshme të partive politike, sepse i konsideroj si çështje që u takojnë vetë liderëve të atyre partive. Megjithatë, si përfaqësues që vij nga ai koalicion dhe si kryetar i Kuvendit, mund të them se ndryshimi më i dukshëm është ai në përbërjen e grupit parlamentar – kemi një koordinator të ri të grupit parlamentar të VLEN-it dhe aktualisht po bëhen ndryshimet e nevojshme në trupat punues. Sa i përket befasimit, mendoj se më së shumti u befasuan vetë anëtarët e Aleancës për Shqiptarët, andaj dhe u shfaqën reagime protestuese nga anëtarësia ndaj këtij vendimi.
NOVA: Cili është ambienti aktual në VLEN mes tre liderëve partiakë dhe anëtarësisë? A ka bashkëpunim korrekt të brendshëm në prag të bashkimit të tre subjekteve në një parti të vetme, dhe si do të pozicionohet ajo ideologjikisht?
Gashi: Kam një komunikim korrekt me të gjithë liderët. Siç thashë, detyra ime më obligon të qëndroj larg vendimeve partiake dhe mundohem maksimalisht të respektoj këtë. Sigurisht që nuk është e lehtë të jem tërësisht i ndarë, sepse për shumë vite kam qenë kryetar i partisë dhe kam marrëdhënie të mira, miqësore e bashkëpunuese me liderët dhe anëtarët e partisë dhe të koalicionit VLEN.
Nga ajo që shoh dhe ndjej, atmosfera brenda VLEN-it është shumë pozitive, konstruktive dhe e bashkuar. Ka një fokus të qartë në agjendën e përbashkët për ndryshim dhe kjo reflekton në të gjitha nivelet – mes liderëve, në strukturat dhe në anëtarësinë në terren.
Strukturat dhe anëtarësia janë duke u konsoliduar. Siç e dini, në fund të prillit u formua kryesia e përbashkët e koalicionit, që shënon fillimin e shndërrimit të VLEN-it në një subjekt të vetëm politik. Gjithashtu janë krijuar shtabi i përbashkët i komunikimit dhe komisioni i përbashkët për kuadro, dhe po punohet edhe në bashkimin e organeve të tjera.
Më e rëndësishmja është se anëtarësia e ka pranuar këtë proces me entuziazëm. Në qëndrimet dhe veprimet e tyre nuk vërehen më ndarje partiake, por një ndjenjë se VLEN tashmë është një familje e përbashkët me vizion të bashkuar për ndryshim dhe përfaqësim të denjë.
NOVA: Zgjedhjet lokale janë për më pak se gjysmë viti. A keni frikë nga epilogu i tyre pas daljes së ASh nga VLEN-i? Cilat janë përshtypjet tuaja nga terreni, sa është i qëndrueshëm besimi i anëtarësisë dhe votuesve?
Gashi: Nuk kemi aspak frikë nga zgjedhjet dhe jemi të bindur në rezultatin pas tyre. Do ta përsëris se VLEN nuk është “i plagosur” e as që ka përjetuar ndonjë “tërmet”. Përkundrazi, zhvillimet e fundit dëshmojnë fuqinë dhe kohezionin e VLEN-it. Për sa i përket zgjedhjeve lokale, VLEN tashmë e ka caktuar shefin e shtabit zgjedhor – deputetin Adnan Azizi, dhe janë duke u bërë analizat e nevojshme në terren. Sinjalet që marrim nga anëtarësia dhe qytetarët janë pozitive dhe inkurajuese.
NOVA: A do të “mbijetojë” Gashi mes liderëve më “agresivë” si Kasami dhe Mexhiti apo do t’i mjaftojë funksioni i tanishëm si Kryetar i Kuvendit?
Gashi: Nuk jam në ndonjë garë për mbijetesë, sepse nuk kam hyrë në politikë që të jem i pari – as në parti, as në institucion, as në shtet. Kam hyrë për të mbrojtur parimet dhe vlerat në të cilat besoj thellësisht. As pozita aktuale si kryetar i Kuvendit nuk është ndonjë kulm i karrierës sime ose përmbushje e ndonjë ambicie personale. Ambiciet e mia nuk janë të lidhura me funksione, por me ndryshimin e ndershëm. Gara më e rëndësishme është ajo për të fituar besimin e qytetarëve – atë e kam kaluar disa herë, dhe tani jam i përkushtuar që ta përmbush përgjegjësinë time.
NOVA: Si do ta vlerësonit punën tuaj si Kryetar i Kuvendit pas një viti, në raport me funksionalitetin e Parlamentit dhe aftësinë për të ndërmjetësuar mes interesave të grupeve parlamentare?
Gashi: Para disa ditësh prezantova raportin e detajuar për punën time dhe të Kuvendit gjatë këtij viti. Përveç transparencës, digjitalizimit, diplomacisë parlamentare dhe hapjes së Kuvendit, për të cilat besoj se kemi bërë përparim të dukshëm, mendoj se puna e Kuvendit ka qenë efikase dhe efektive.
Prioriteti im ka qenë funksioni legjislativ, përmes thirrjes së rregullt të seancave, vendosjes së praktikave të ndershme, përfshirë ndalimin e abuzimit me flamurin e BE-së. Kuvendi ka mbajtur mbi 50 seanca plenare dhe mbi 332 seanca të komisioneve dhe ka miratuar rreth 280 akte ligjore – rreth 50% më shumë se mesatarja vjetore e mandatit të kaluar.
Kam komunikim korrekt me të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe opozitën. Roli i Kuvendit është mbikqyrja e punës së Qeverisë, prandaj përpiqem të jem më shumë zë i opozitës sesa i pozitës. Nuk abuzoj me autoritetin tim për të ushtruar presion, por mundohem të garantoj respektimin e procedurave dhe të rregullores. Jam i pari mes të barabartëve.
NOVA: A merrni ndonjëherë presion direkt nga Qeveria për të “shtyrë” ndonjë ligj të diskutueshëm apo gjithçka shkon përmes grupeve parlamentare?
Gashi: Marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Qeverisë janë korrekte. Nuk ka dhe nuk mund të ketë presione, sepse çdo propozim kalon sipas procedurave dhe me debat të duhur. Në këtë mandat nuk është abuzuar me flamurin e BE-së – vetëm katër ligje janë miratuar me këtë procedurë, krahasuar me abuzimet në mandatet e mëparshme. Kjo dëshmon se procedurat respektohen dhe nuk ka presion nga ekzekutivi.
Gjithashtu, për një vit janë mbajtur 10 debate publike – që është 60% e totalit të debateve publike të mbajtura në mandatin e mëparshëm katërvjeçar. Kjo tregon një përfshirje të madhe të publikut dhe institucioneve në procesin ligjvënës.
NOVA: U premtuat votuesve hapjen e negociatave me BE-në. A jeni dorëzuar për hir të “identitetit maqedonas” apo është VMRO-DPMNE një pengesë shumë e madhe?
Gashi: Aspak nuk jemi dorëzuar. Integrimi në BE është prioritet kryesor i VLEN-it dhe i kësaj qeverie. Është pika e parë në programin qeveritar. Por të gjithë e dimë sa kompleks është çështja e ndryshimeve kushtetuese. Ka përpjekje për konsensus, por duhet të gjendet një model racional që nuk do të rrezikojë procesin.
Pas ndryshimit të emrit të shtetit, qytetarët kanë humbur shumë nga entuziazmi për integrimin. Nëse tani bëjmë një tjetër kompromis dhe prapë përballemi me kushte bilaterale apo identitare, do ta shkatërrojmë plotësisht procesin. Prandaj duhet kujdes dhe parashikueshmëri.
Ministri Orhan Murtezani është emëruar negociatori kryesor dhe ka një rol kyç në sigurimin e mbështetjes politike dhe realizimin e agjendës reformuese. Unë personalisht kam vizituar shumë kryeqytete evropiane ku kam prezantuar ndjeshmërinë e situatës dhe kemi marrë mirëkuptim të sinqertë nga partnerët tanë evropianë.
NOVA: Çfarë ju jep kënaqësi dhe çfarë ju lodh më shumë në funksionin tuaj si Kryetar i Kuvendit?
Gashi: Më jep kënaqësi kur shoh që vizioni im për një Kuvend afër qytetarëve po realizohet. Më lodhin tendencat për politizim dhe protagonizëm rreth çështjeve që duhen zgjidhur për qytetarët. Por pikërisht fjala “përgjegjësi” është ajo që na bën të paepur.
NOVA: A i “frikësoheni” zgjedhjeve parlamentare të nëntorit që janë së bashku me ato lokale?
Gashi: Aspak nuk frikësohem. Mandatin ta jep dhe ta merr qytetari. Nuk ruhet me frikë, por me punë. E vlerësoj se nuk jemi në situatë që kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kemi shumicë të qëndrueshme dhe funksionale. Zgjedhjet parlamentare nuk janë “vagon” që duhet t’i bashkëngjitet lokaleve. Kanë logjikë, qëllime dhe programe krejt të ndryshme.
NOVA: Cila është porosia juaj për deputetët që do donit ta përcillnit përmes kësaj interviste?
Gashi: Mesazhi im është i qartë: mandati nuk është privilegj personal, por përgjegjësi publike. Nuk jemi zgjedhur për të mbledhur poena politike, por për të ofruar zgjidhje konkrete dhe përfaqësim dinjitoz. Deputetët duhet të jenë të guximshëm në vizionin e tyre, por të përmbajtur në sjellje. Çdo fjalë dhe veprim i yni ndikon në imazhin dhe besueshmërinë e Kuvendit. Andaj, bëhuni zë i fuqishëm për interesat e qytetarëve, por edhe të përgjegjshëm dhe dinjitozë në sjellje./
The post Intervista me kryeparlamentarin Afrim Gashi: VLEN as nuk është “plagosur” dhe as nuk ka pësuar “tërmet” appeared first on