Iseni i përgjigjet BDI-së për Akademinë Policore: Flisni me fakte, jo me propagandë – mos e përdorni përfaqësimin e shqiptarëve për politikë ditore

Iseni i përgjigjet BDI-së për Akademinë Policore: Flisni me fakte, jo me propagandë – mos e përdorni përfaqësimin e shqiptarëve për politikë ditore

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj akuzave lidhur me procesin e pranimit në Akademinë Policore, duke e cilësuar si përgjegjësi serioze çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë.

Iseni theksoi se pas 26 vitesh rikthim të Akademisë Policore, është bërë thirrje e vazhdueshme që të rinjtë shqiptarë të aplikojnë, mirëpo interesimi i tyre nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive. Sipas tij, një pjesë e aplikuesve madje nuk janë paraqitur fare në fazën e testimit.

“Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është përgjegjësi që e marrim seriozisht. Për këtë arsye, çdo proces që ndikon në përfaqësimin e shqiptarëve duhet të trajtohet me transparencë, përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve, e jo të shfrytëzohet për përfitime politike.

Pas 26 vitesh, Akademia Policore po rikthehet. Që nga fillimi, ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Por sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë.

Interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë afër pritshmërive tona. Edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara.

Prandaj, është e pandershme politikisht të thuhet se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa treguar sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë plotësuar kriteret e përcaktuara.

Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptarë.

Luftojmë për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë në çdo institucion.

BDI-së i them:
Mos e përdorni interesin e shqiptarëve për politikë ditore.”, ka shkruar Iseni. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.