Ish-diplomati Enver Buçaj: Si u bënë të ditura planet ushtarake të SHBA-ve nga një gazetar
Një rast jashtëzakonisht i pazakontë u zbulua kur planet ushtarake të SHBA-së u bënë të ditura një gazetari. Planet për sulmet kundër rebelëve Houthi në Jemen duket se iu dërguan, aksidentalisht kryeredaktorit të revistës The Atlantic, Jeffrey Goldberg. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, e kishte shtuar gabimisht në një grup mesazhesh në aplikacionin Signal

Një rast jashtëzakonisht i pazakontë u zbulua kur planet ushtarake të SHBA-së u bënë të ditura një gazetari. Planet për sulmet kundër rebelëve Houthi në Jemen duket se iu dërguan, aksidentalisht kryeredaktorit të revistës The Atlantic, Jeffrey Goldberg.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, e kishte shtuar gabimisht në një grup mesazhesh në aplikacionin Signal, të cilin e përdornin vendimmarrësit kryesorë të administratës amerikane.
Sipas Goldberg, ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndau në këtë grup informacione të detajuara mbi metodat dhe objektivat e sulmeve, vetëm disa orë përpara se ato të ekzekutoheshin.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se gazetari Goldberg ishte me të vërtetë pjesë e grupit.
“Nuk më kujtohet një rast i ngjashëm në histori ku informacione kaq thelbësore të kishin rrjedhur tek persona plotësisht të jashtëm,” tha eksperti i sigurisë kibernetike, Enver Buçaj, profesor universitar.
Sipas tij, administrata e presidentit Donald Trump bëri disa gabime kritike:
Nuk duhet të diskutohen operacione të ardhshme ushtarake në telefona të zakonshëm, pasi ato mund të jenë të pasigurta. Stafi i Trump nuk verifikoi identitetin e anëtarëve të grupit, një gabim i rëndë në këtë rast.Presidenti Donald Trump, në një deklaratë për Fox News, tha se ky “incident” nuk është serioz dhe se ai ende ka besim te Hegseth dhe Waltz.
Profesori Buçaj ka një teori se si Jeffrey Goldberg përfundoi në këtë grup: “Besohet se gazetari Goldberg u ftua në grup sepse në Signal ishte regjistruar vetëm me inicialet ‘JG’. Me gjasa, administrata amerikane synonte të ftonte një tjetër zyrtar me të njëjtat iniciale – negociatorin e tregtisë ndërkombëtare të SHBA-së, Jamieson Greer.”
Sipas tij, megjithëse gabimi ishte njerëzor, problemi kryesor qëndronte në faktin se këto diskutime nuk duhej të zhvilloheshin në platforma të tilla. Shtetet e Bashkuara kanë rregulla strikte mbi trajtimin e informacionit të klasifikuar. Aplikacioni Signal, përmes të cilit u dërguan mesazhet në Kosovë mund të përdoret vetëm për të dhëna publike.
“ Megjithate zyrtarët e lartë kanë dhoma të veçanta të sigurta, madje edhe në ambientet e tyre private, për të diskutuar çështje të ndjeshme,”tha Buçaj.
Sipas tij, procedurat e sigurisë janë shpesh të ndërlikuara dhe të vështira, gjë që mund të çojë në devijime, si përdorimi i telefonave personalë për diskutime sekrete. Problemi nuk është aplikacioni, por telefoni. Signal konsiderohet një nga aplikacionet më të sigurta për të shkëmbyer mesazhe, me kriptim të pathyeshëm.
Megjithatë, Buçaj thekson se problemi nuk është teknologjia, por mënyra e përdorimit:
Nëse telefoni vidhet, mesazhet mund të arrihen nga vjedhësi. Telefonat mund të hakohen përmes softuerëve spiunë, një teknikë e përdorur shpesh kundër zyrtarëve të lartë.Në grupin e Signal ishin përfshirë zyrtarët më te lartë të shtetit , këshilltari për Sigurinë kombëtare, ministri i mbrojtjes, zëvendëspresidenti i SHBA-së dhe sekretari i shtetit, “Nuk është e pamundur që telefonat e këtyre zyrtarëve të jenë objektiv i softuerëve spiunë, ”përfundon Buçaj.
Edhe në Kosovë, Signal përdoret për biseda të ndjeshme edhe nga zyrtarët qeveritarë por përdorimi i Signal nuk është i përshtatshëm për sekrete shtetërore në asnjë shtet dhe nga asnjë përdorues e sidomos ne Kosovë edhe nëse rekomandohet nga institucione të sigurisë./Arberia.tv