Ish-kreu i Apelit: Kryeministri Kurti po dëshmon se nuk i njeh institucionet e pavarura shtetërore, shembull i keq për qytetarët
Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Prokuroria Speciale i dërgoi një ftesë në Qeverinë e Kosovës për Kryeministrin Albin Kurti. Ftesa e dërguar nga dy prokurorë kërkonte që ai të dëshmonte lidhur me hetimin për dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari. Pas një mungese
Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Prokuroria Speciale i dërgoi një ftesë në Qeverinë e Kosovës për Kryeministrin Albin Kurti. Ftesa e dërguar nga dy prokurorë kërkonte që ai të dëshmonte lidhur me hetimin për dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari. Pas një mungese të parë më 16 dhjetor 2024 për shkak të një udhëtimi, Prokuroria e ftoi sërish atë disa ditë më vonë. Megjithatë, edhe këtë herë, Kurti nuk shkoi në prokurori, por propozoi disa data alternative për intervistë në Qeveri.
Sot, më 4 mars 2025, Kryeministri Kurti duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale, sipas urdhrit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, por ai ka zgjedhur të marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së gur themelit për një çerdhe në Gjilan, duke shpërfillur ftesën e institucioneve të drejtësisë.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka kritikuar mospjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale, duke e cilësuar këtë veprim si mungesë respekti ndaj institucioneve të pavarura shtetërore.
‘’ Kryeministri po e dëshmon se nuk i njeh institucionet shtetërore të pavarura, kryeministri duhet të jetë shembull për zbatimin e ligjit’’, tha Shala për FrontOnline.
Sipas Shalës, Kryeministri duhet të jetë shembull për zbatimin e ligjit, por në këtë rast, ai po jep një mesazh të gabuar për qytetarët, duke refuzuar paraqitjen dhe duke kërkuar që prokurori të shkojë në zyrën e tij.
Shala gjithashtu ka theksuar se Kryeministri është dashur të paraqitet dhe të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
‘’ Ky është shembull i keq që kryeministri u jep edhe qytetareve, sepse nuk është paraqitur, ka kërkuar që prokurori të shkojë në zyrën e tij .Ai është dashur të paraqitet sot , të dëshmojë e të kontribuojë që kjo çështje të zgjidhet’’, deklaroi ish-kryetari I gjykatës së apelit .
Ai ka paralajmëruar se, nëse Kurti vazhdon të mos i përgjigjet ftesës së Prokurorisë, mund të përballet fillimisht me një gjobë prej 250 eurosh. Në rast se refuzon sërish, Gjykata mund të urdhërojë shoqërimin e tij me forcë nga policia, dhe nëse edhe atëherë nuk pranon të dëshmojë, ndaj tij mund të caktohet masa e paraburgimit deri në 30 ditë
‘’ Fillimisht Kurtin mund të dënojnë me 250 euro dhe t’ia dërgojnë ftesën përsëri, nëse ndodh që prapë nuk shkon edhe pse nuk është e përcaktuar sa herë duhet dënuar ose kërkuar që të paraqitet për dëshmi atëherë mund të merret vendimi që ai të shoqërohet në prokurori, kudo që zihet nga policia merret dhe shoqërohet në prokurori për dëshmi ,nëse edhe aty refuzon të dëshmojë atij mund ti caktohet paraburgimi prej 30 ditësh’’, deklaroi Shala.
Ish-deputeti i PDK-së: Kurti mund të bëj filma, por s’mund t’i ik Prokurorisë
Ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka komentuar mos paraqitjen kryeministrit Kurti në Prokurorinë Speciale, duke e cilësuar këtë si mosrespektim ndaj organeve të drejtësisë dhe një shembull të keq për një kryeministër.
‘’Mosparaqitja e Kutit është mos respektim ndaj organeve të drejtësisë dhe është shembull i keq i një kryeministri për veprime dhe sjellje të tilla’’, deklaroi Beqa për FrontOnline.
Ai tha se Kurti e ka obligim ligjor të paraqitet, dhe, megjithëse mund të kërkojë vonesa, nuk ka mundësi shpëtimi pa u paraqitur për të dhënë dëshmi. Beqa shtoi se nëse nuk paraqitet organet e drejtësisë janë të detyruara ta dërgojnë para Prokurorisë për dëshmi .
‘’Kurti e ka obligim ligjor të paraqitet, mund të vonohet por nuk ka shpëtim, pa shku para prokurorit për dëshmi sepse në të kundërtën organet obligohen ta dërgojnë para Prokurorisë, obligim e ka të paraqitet mund ta shtyjë e të bëj filma, por pa u paraqitur nuk ka qare’’, përfundoi Beqa
Hulumtuesi i IKD: Kurti mund të burgoset nëse refuzon të dëshmojë
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala në një prononcim për FrontOnline ka thënë se refuzimi i Kryeministrit për të dhënë dëshminë e tij është një veprim që nuk është i pranueshëm në një shtet ku ekzistojnë parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimi i ligjit.
‘’ Fillimisht, duhet theksuar faktin se skena e refuzimit të Kryeministrit për të dhënë dëshminë e tij, në cilësi të dëshmitarit, nuk paramendohet të ndodhë një shtet që udhëhiqet nga parimet e qeverisjes së mirë dhe në të cilin ka sundim të ligjit’’, tha Shala.
Ai ka shtuar se një Kryeministër duhet të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë dhe të mos i refuzojë ato.
‘’ Pa paragjykuar përfundimin e asnjë rasti, një Kryeministër duhet të bashkëpunojë dhe jo ti refuzojë institucionet e sistemit të drejtësisë’’, potencoi Shala.
Shala ka shpjeguar se, sa i përket aspektit procedural, tashmë ka një urdhër të Gjykatës që i kërkon Kryeministrit të dëshmojë. Nëse Kryeministri vazhdon të refuzojë, sipas nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata mund të shqiptojë një gjobë deri në 250 euro dhe të caktojë një datë të re për paraqitjen e tij. Nëse ai përsëri nuk paraqitet, Gjykata mund të urdhërojë burgosjen deri në një muaj.
‘’ Mos paraqitja e Kryeministrit në këtë rast tanimë nuk është vetëm mos përgjigje ndaj ftesës së Prokurorisë por edhe mos përgjigje ndaj urdhrit të Gjykatës. Sipas nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, në këtë situatë, pas refuzimit të Kryeministrit për të dëshmuar, Gjykata, sipas njoftimit të Prokurorisë, shqipton gjobë deri në 250 euro dhe cakton një datë të re, në të cilën e obligon në këtë rast dëshmitarin të paraqitet për të dëshmuar. Nëse përsëri dëshmitari nuk paraqitet, atëherë Gjykata mund të urdhërojë burgosjen deri në 1 muaj’’, përfundoi hulumtuesi i IKD-së.
Baraliu: Mos të “ngulin këmbë” as Prokuroria e as Kurti
Analisti politik, Mazllum Baraliu, ka komentuar mos paraqitjen e Kryeministrit Kurti për të dëshmuar duke thënë se mes Kryeministrit dhe Prokurorisë, ka një marrëdhënie të tensionuar, ku shefi i Qeverisë pretendon se dëshmia mund të jepet jashtë Prokurorisë, ndërsa Prokuroria insistojnë që të bëhet atje.
‘’Si duket ka një marrëdhënie në mes të zyrës së kryeministrit dhe prokurorie përkatëse ku kryeministri pretendon që dhënia e dëshmisë mund të bëhet jashtë prokurorisë dhe kundërta prokuroria insiston që të bëhet aty’’, tha Baraliu për FrontOnline.
Baraliu mendon se as Kryeministri dhe as Prokurori nuk duhet të ngulnin këmbë, por të gjenin një zgjidhje për të realizuar qëllimin e procedurës penale, që është kryerja e hetimeve dhe sigurimi i dëshmive.
‘’ Unë mendoj që edhe prokurori edhe kryeministri nuk do të duhej të ngulnin këmbë por të gjenin një modus sepse qëllimi i procedurës penale është kryerja e hetimeve në këtë rast sigurimi i dëshmive ‘’, theksoi Baraliu.