Ishte duke raportuar ‘live’ nga zjarret në Francë, bombola e gazit shpërthen pranë gazetares, ndërpritet sinjali

Ishte duke raportuar ‘live’ nga zjarret në Francë, bombola e gazit shpërthen pranë gazetares, ndërpritet sinjali

Një ekip televiziv i rrjetit francez M6 përjetoi momente paniku, pasi një bombol gazi shpërtheu vetëm pak metra larg gazetares gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga zjarret masive në zonën Cap-Ferret, pranë Bordeaux në Francë.

Ngjarja dramatike ndodhi teksa gazetarja po raportonte për zjarrin shkatërrues që ka përfshirë rajonin e Gironde. Flakët arritën deri te një bombol gazi e braktisur, e cila shpërtheu papritur, duke krijuar një re të madhe tymi dhe një valë të fuqishme goditëse.

Kamera regjistroi momentin e shpërthimit, ndërsa sinjali u ndërpre menjëherë për të garantuar sigurinë e ekipit televiziv dhe fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Pamjet tregojnë rrezikun ekstrem me të cilin përballen jo vetëm zjarrfikësit, por edhe gazetarët që raportojnë nga vijat e para të zjarreve.

Ndërkohë, situata në jugperëndim të Francës mbetet kritike. Zjarret vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit, duke shkrumbuar deri tani më shumë se 190 mijë hektarë pyje.

Temperaturat e larta dhe erërat e forta po e vështirësojnë punën e mbi 2 mijë zjarrfikësve, ndërsa autoritetet kanë vijuar evakuimet parandaluese, duke larguar mbi 36 mijë banorë dhe turistë nga zonat më të rrezikuara.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.