Izraeli do trefishojë eksportin e gazit në Egjipt përmes një marrëveshjeje 35 miliardë dollarëshe
Kompania izraelite e energjisë NewMed Energy ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 35 miliardë dollarë për të trefishuar gradualisht sasinë e gazit natyror që dërgohet nga fusha gjigande Leviathan drejt Egjiptit. Fusha Leviathan, që është një nga rezervat më të mëdha të gazit në Mesdhe, zotërohet nga NewMed, Chevron dhe Ratio Oil, dhe aktualisht furnizon [...]Read More...

Kompania izraelite e energjisë NewMed Energy ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 35 miliardë dollarë për të trefishuar gradualisht sasinë e gazit natyror që dërgohet nga fusha gjigande Leviathan drejt Egjiptit.
Fusha Leviathan, që është një nga rezervat më të mëdha të gazit në Mesdhe, zotërohet nga NewMed, Chevron dhe Ratio Oil, dhe aktualisht furnizon Egjiptin me rreth 4.5 miliardë metra kub (bcm) gaz në vit. Ajo konsiderohet si një nga burimet më të rëndësishme të gazit për Egjiptin.
Sipas drejtorit ekzekutiv të NewMed, Yossi Abu, marrëveshja parashikon që nga viti 2029, prurjet e gazit nga Leviathan të rriten në rreth 12 miliardë metra kub në vit. Ai e cilësoi marrëveshjen si “fitimprurëse për të dyja palët”, duke theksuar se Egjipti do të kursejë “shuma të mëdha” në krahasim me importin e gazit të lëngshëm (LNG).
Gjatë 15 viteve të ardhshme, NewMed do të eksportojë 130 miliardë metra kub gaz drejt Egjiptit, ekuivalente me rreth dyfishin e konsumit vjetor të këtij vendi.
Për të përmbushur kërkesën e shtuar, do të ndërtohet një linjë e tretë furnizimi nga fusha Leviathan drejt platformës detare, ndërsa planifikohet investimi i 2.5 miliardë dollarëve për hapjen e dy puseve të reja dhe për instalimin e sistemeve mbështetëse deri në vitin 2029. Abu shtoi se fluksi aktual do të rritet në 6.5 bcm në vit brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, para se të dyfishohet në 12 bcm.
Një tubacion i ri tokësor do të ndërtohet nga Izraeli drejt kufirit egjiptian në Nitzana, për të lehtësuar transportin e gazit.
Bisedimet për këtë marrëveshje janë zhvilluar gjatë dy viteve të fundit. Abu nuk komentoi nëse lufta në Gaza ka ndikuar në negociata, duke theksuar se kompania është e fokusuar te përfitimet komerciale dhe jo te aspektet politike apo gjeopolitike.
Megjithatë, marrëveshja vjen në një moment tensioni në opinionin publik egjiptian për shkak të luftës 22-mujore të Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, e ka cilësuar ofensivën izraelite si gjenocid, ndërsa Egjipti përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim.
Në rrjetet sociale, shumë egjiptianë kanë shprehur zemërim për veprimet izraelite në Gaza dhe zhgënjim ndaj autoriteteve në Kajro që, sipas tyre, nuk kanë bërë sa duhet për të ndihmuar palestinezët.
“Raportet mes Kajros dhe Tel Avivit janë në pikën më të ulët në vite për shkak të luftës në Gaza, e cila ka zemëruar çdo shtresë të shoqërisë egjiptiane,” deklaroi Dr. H.A. Hellyer, studiues i lartë në Institutin Mbretëror për Studime të Bashkimit dhe Sigurisë në Lindjen e Mesme. “Shumë egjiptianë druajnë se varësia nga gazi izraelit mund të përdoret si presion ndaj Kajros.”
Egjipti, dikur eksportues i madh i gazit, është bërë gjithnjë e më i varur nga importet për shkak të rënies së prodhimit të brendshëm. Gjatë verës së vitit 2024, vendi përjetoi ndërprerje të përditshme të energjisë që nxitën pakënaqësi publike dhe ndikuan negativisht në aktivitetin ekonomik.
Për të përballuar krizën, qeveria egjiptiane ka rritur importet dhe ka filluar të shlyejë borxhet ndaj kompanive ndërkombëtare të energjisë për të inkurajuar rikthimin e kërkimeve dhe prodhimit të gazit vendas./abcnews.al