Jashari: Haxhiu më tha ‘ne e kemi fuqinë’, por si fitues duhet të punoni

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, nga foltorja e Kuvendit në ditën kur salla ishte e mbushur me të rinj për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, kritikoi LVV-në për mos-konstituimin e institucioneve.
“Në Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve, sot, si një nga deputetet më të reja, do të doja që me të rinjtë e të rejat që kanë ardhur ta vizitojnë Kuvendin, të flisnim se çka është arritur në dy vitet e fundit, për ide, perspektivë dhe të ardhmen e vendit. Por fatkeqësisht, unë obligohem që ta ruaj kushtetutën e demokracinë e vendit, dhe njëkohësisht t’ju tregoj të rinjve se që fatkeqësisht Kosova nuk është në duart e duhura”, tha ndër të tjera deputetja e PDK-së.
Ajo përmendi edhe momentin e mëhershme të përballjes së saj me U.D. të Presidentes, Albulena Haxhiu.
“Sot e patëm një përballje ku ushtruesja e detyrës tha ‘ne e kemi fuqinë’. Ju keni fituar, por bashkë me fitimin e zgjedhjeve, duhet përgjegjësi e punë. Patriotizmi më i madh sot është ta duash vendin dhe të punosh për të. Edhe sot, si PDK, jemi këtu për ta filluar seancën, por partia e parë fituese nuk shfaqet, nuk tregon seriozitet dhe vazhdon sikur gjithçka është në normalitet”, theksoi ajo.
Jashari tha se “nëse është nevoja, ne duhet të vazhdojmë kështu, të flasim me të gjithë të rinjtë, sepse ata duhet ta bëjnë vetëm një pyetje: se çfarë ka ndryshuar jeta e tyre brenda 6 viteve? pse të rinjtë kur e përfundojnë fakultetin nuk gjejnë vend të punës?”
Ajo u bëri thirrje të rinjve të mos bien pre “e propagandave të vazhdueshme në rrjete sociale”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



