Nga Kaçaniku te Pavarësia: Kurti kujton 36-vjetorin e Republikës

Nga Kaçaniku te Pavarësia: Kurti kujton 36-vjetorin e Republikës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 36-vjetorin e shpalljes së Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik.

Kurti ka shkruar se më 7 shtator të vitit 1990, dy muaj pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në mënyrë të fshehtë në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik.

Me këtë akt politik të deklarimit të Republikës së Kosovës, i pasuar nga akti juridik i miratimit të kushtetutës së saj, ata, sipas Kurtit, iu kundërvynë regjimit okupator të Serbisë që një vit më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës.

“Kështu, autonomia e fituar më 1974 dhe e suprimuar më 1989, u zëvendësua me republikë më 1990”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se kjo ishte Republika e parë e Kosovës, e cila shërbeu si bazë për rezistencën paqësore e më pas të armatosur, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Sipas Kurtit, më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës e shpallur në Kaçanik u ripërtëri përmes shpalljes së pavarësisë, duke u bërë shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, të njohur nga 121 shtete të botës deri më tani.

Në këtë përvjetor, Kurti ka shprehur mirënjohje për “brezin kontribues e të angazhuar për Republikën e Kosovës gjatë viteve ’90”, ndërsa ka uruar për të ardhmen politike të Kosovës.

The post Nga Kaçaniku te Pavarësia: Kurti kujton 36-vjetorin e Republikës appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.