Zgjedhjet në Kongresin amerikan dhe e ardhmja e Kosovës, Aliçkaj tregon ku duhet të përqendrohet tani fuqia e lobit shqiptar në Washington

Zgjedhjet në Kongresin amerikan dhe e ardhmja e Kosovës, Aliçkaj tregon ku duhet të përqendrohet tani fuqia e lobit shqiptar në Washington

Zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sjellë zhvillime të rëndësishme politike, duke nxjerrë në pah pakënaqësitë e qytetarëve ndaj administratës së presidentit Donald Trump dhe Partisë Republikane. Rezultatet e tyre kanë hapur diskutime për të ardhmen politike amerikane, por edhe për ndikimin që ndryshimet në Kongres mund të kenë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Për Kosovën, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten një prej shtyllave kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare. Megjithatë, në një realitet ku Serbia vazhdon përpjekjet për të avancuar interesat e saj në Washington përmes lobimit dhe lidhjeve politike, rëndësia e diplomacisë profesionale dhe e angazhimit të organizuar shqiptaro-amerikan bëhet edhe më e madhe.

Lidhur me këto zhvillime, për “Bota sot” ka folur Agim Aliçkaj, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i cili vlerëson se rezultatet e zgjedhjeve amerikane tregojnë se asnjë politikan nuk mund ta konsiderojë votën e qytetarëve si mbështetje të pakushtëzuar.

Ai thekson se pakënaqësitë ekonomike, premtimet e parealizuara dhe stili konfrontues i presidentit Donald Trump kanë ndikuar në dobësimin e mbështetjes për republikanët. Megjithatë, sipas tij, këto ndryshime nuk pritet të cenojnë mbështetjen historike amerikane për Kosovën, e cila bazohet në interesa strategjike, vlera demokratike dhe një histori të gjatë bashkëpunimi.

“Demokracia amerikane nuk është e përsosur, por mbetet ndër më të zhvilluarat në botë. Zgjedhjet e lira shpesh sjellin ndryshime politike, por edhe befasi të mëdha.

Zgjedhjet e mesmandatit tradicionalisht favorizojnë partinë opozitare. Megjithatë, rezultatet e fundit tejkaluan shumë pritshmëri. Presidenti Donald Trump dhe Partia Republikane pësuan një disfatë të rëndë politike.

Ndër çështjet kryesore që ndikuan te votuesit ishte rritja e kostos së jetesës, veçanërisht e çmimeve të karburanteve dhe produkteve të domosdoshme. Lufta kundër Iranit dhe pasojat e saj ekonomike ndikuan në pakënaqësinë qytetare. Premtimet e Presidentit Trump për shmangien dhe zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare dhe uljen e çmimeve nuk u realizuan”, shprehet Aliçkaj.

Ai vlerëson se edhe mënyra e qeverisjes dhe përplasjet e vazhdueshme të Trumpit me kundërshtarët politikë, mediat dhe aleatët ndërkombëtarë kanë ndikuar në humbjen e besimit të qytetarëve.

“Mësimi kryesor i këtyre zgjedhjeve është se vota e qytetarëve nuk është çek i bardhë për asnjë politikan. Ajo jepet me kushtin që të zgjedhurit të qeverisin me përgjegjësi dhe në interes të popullit”, thekson ai.

Mbështetja amerikane për Kosovën nuk duhet të merret si e garantuar

Duke folur për ndikimin e rezultateve zgjedhore në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Aliçkaj thotë se ndryshimet në Kongres nuk pritet të sjellin ndryshime thelbësore në mbështetjen historike të Amerikës për shtetin e Kosovës.

Megjithatë, ai paralajmëron se kjo mbështetje nuk duhet të konsiderohet e garantuar dhe se Kosova duhet të angazhohet vazhdimisht për ruajtjen dhe forcimin e saj.

“Ndryshimet në Kongresin amerikan nuk pritet të sjellin ndryshime thelbësore në mbështetjen historike të Amerikës për Kosovën. Kjo mbështetje bazohet në interesa strategjike, vlera demokratike dhe një histori të gjatë bashkëpunimi.

Megjithatë, ajo nuk duhet të merret si e garantuar. Përpjekjet e Serbisë për të avancuar interesat e veta përmes lobistëve dhe lidhjeve politike në Washington duhet të kundërshtohen me fakte, argumente dhe angazhim të organizuar diplomatik. Kjo nuk është e pamundur, sepse e drejta historike dhe morale është në anën tonë”, deklaron ai.

Sipas Aliçkajt, interesi amerikan është që Kosova të jetë një shtet i fortë, demokratik, i zhvilluar, i pakorruptuar dhe plotësisht sovran, me institucione dhe udhëheqje të përgjegjshme.

Ai nënvizon se Kosova duhet të ruajë partneritetin strategjik me Washingtonin, por pa hequr dorë nga interesat e saj shtetërore.

“Amerika pret bashkëpunim dhe koordinim, por jo përulje të tepruar apo heqje dorë nga interesat jetike shtetërore.

Prandaj, shumëçka varet nga ne. Nëse e dimë çfarë duam dhe punojmë me vendosmëri për realizimin e objektivave tona kombëtare, Amerika do të vazhdojë të na ndihmojë”, shprehet Aliçkaj.

Aliçkaj kujton kontributin e Rugovës, UÇK-së dhe lobit shqiptaro-amerikan

Duke rikujtuar rrugën historike drejt çlirimit të Kosovës, drejtori ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane thekson se mbështetja amerikane nuk mund të ndahet nga rezistenca paqësore e popullit shqiptar, lufta çlirimtare e UÇK-së dhe angazhimi i fuqishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan në Washington.

Sipas tij, ndërthurja e këtyre faktorëve ishte vendimtare për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

“Përvoja historike dëshmon qartë se, pa rezistencën paqësore të popullit të Kosovës, të udhëhequr nga Presidenti i urtë dhe vizionar Ibrahim Rugova, pa luftën heroike për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbol i së cilës mbetet komandanti legjendar Adem Jashari, si dhe pa lobimin e fuqishëm shqiptaro-amerikan në Washington, ndërhyrja ushtarake e NATO-s, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër regjimit kriminal të Millosheviqit, vështirë se do të kishte ndodhur.

Ishte pikërisht ndërthurja e qëndresës paqësore, luftës çlirimtare dhe lobimit shqiptaro-amerikan me mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që bëri të mundur çlirimin e Kosovës”, thekson ai.

Kërkohet bashkëpunim me të dyja partitë amerikane

Një tjetër çështje që Aliçkaj e konsideron thelbësore është ruajtja e marrëdhënieve me të dyja partitë kryesore amerikane, republikanët dhe demokratët. Ai vlerëson se Kosova nuk duhet ta lidhë orientimin e saj diplomatik me preferencat politike të një partie të caktuar.

Në këtë kontekst, ai kujton kontributin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të udhëhequr nga ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, në ngritjen e çështjes së Kosovës në institucionet më të larta amerikane.

“Interesi i Kosovës kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me republikanët dhe demokratët. Kjo ka qenë formula e suksesit të veprimtarisë lobiste shqiptaro-amerikane gjatë katër dekadave të fundit, veçanërisht kur Kosova ishte e pushtuar dhe nuk kishte shtetin e vet.

Në këtë drejtim ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, në bashkëpunim me individë dhe organizata të tjera patriotike shqiptaro-amerikane.

Përmes angazhimit të vazhdueshëm në Kongres dhe bashkëpunimit me administrata të ndryshme amerikane, çështja e Kosovës u ngrit në nivelet më të larta të politikës së jashtme amerikane”, deklaron Aliçkaj.

Ai thekson se pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, diplomacia zyrtare e Kosovës mori një rol më të madh, ndërsa veprimtaria lobiste e komunitetit shqiptaro-amerikan u zvogëlua. Sipas tij, këto dy forma angazhimi duhet të bashkëpunojnë dhe ta fuqizojnë njëra-tjetrën.

“Partitë politike të Kosovës mund të kenë preferenca për njërën apo tjetrën parti amerikane, por Qeveria dhe diplomacia shtetërore nuk guxojnë të identifikohen me asnjërën prej tyre.

Bashkëpunimi me administratën amerikane është detyrim parësor i Qeverisë së Kosovës, por marrëdhëniet me Kongresin duhet të kultivohen pavarësisht se cila parti e kontrollon shumicën”, nënvizon ai.

Dialogu Strategjik me Amerikën duhet të rikthehet

Aliçkaj konsideron se Kosova ka nevojë për një diplomaci më aktive, profesionale dhe të koordinuar me institucionet amerikane. Ai kërkon rikthimin sa më të shpejtë të Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të mbështetet në iniciativa konkrete dhe interesa të përbashkëta.

“Udhëheqësit dhe diplomatët e Kosovës duhet të punojnë me seriozitet, sinqeritet dhe profesionalizëm me partnerët amerikanë, duke paraqitur propozime konkrete dhe iniciativa të përbashkëta.

Dialogu Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Amerikës mund dhe duhet të rikthehet sa më parë”, shprehet ai.

Ai shton se Kosova duhet të jetë e gatshme të diskutojë edhe për çështje ku mund të ketë dallime me partnerët amerikanë, por gjithmonë duke mbrojtur sovranitetin dhe interesat jetike të shtetit.

“Amerikanët janë të hapur edhe ndaj qëndrimeve të ndryshme, kur ato mbështeten në fakte dhe argumente. Megjithatë, asnjë qeveri e përgjegjshme e Kosovës nuk mund të pranojë kërkesa që cenojnë sovranitetin dhe interesat jetike të shtetit.

Nëse ndonjë zyrtar amerikan ndikohet nga propaganda apo lobimi serb, qëndrimet e tij duhet të kundërshtohen me mirësjellje dhe vendosmëri diplomatike”, deklaron Aliçkaj.

Më tej, ai kërkon forcimin e përfaqësimit diplomatik të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Ambasadën në Washington dhe përfaqësitë konsullore në New York dhe Iowa, me kuadro të afta dhe profesionale.

Sipas tij, angazhimi i kompanive amerikane të lobimit është i nevojshëm, por kontratat duhet të jenë financiarisht të arsyeshme dhe të maten përmes rezultateve konkrete.

Në të njëjtën kohë, ai vlerëson se komuniteti shqiptaro-amerikan duhet ta fuqizojë sërish veprimtarinë e tij lobiste, duke përdorur edhe instrumentet demokratike të ndikimit politik në SHBA.

“Shqiptaro-amerikanët duhet të mbështesin, sipas bindjeve të tyre politike, kongresistë dhe senatorë që tregojnë përkushtim ndaj çështjeve shqiptare, veçanërisht anëtarët e komisioneve për politikë të jashtme.

Vota dhe kontributet financiare të ligjshme janë instrumente të rëndësishme të pjesëmarrjes demokratike amerikane dhe të ndikimit në politikat e përfaqësuesve të zgjedhur”, thekson ai.

“Marrëdhëniet me Amerikën janë pasuri kombëtare”

Në përfundim, Aliçkaj rikujton rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke theksuar se raportet me Washingtonin duhet të trajtohen si interes i përbashkët kombëtar dhe jo si pronë e partive politike.

Ai vlerëson se Kosova duhet ta meritojë dhe ta ruajë mbështetjen amerikane përmes institucioneve të forta, qeverisjes së përgjegjshme, diplomacisë profesionale dhe unitetit për çështjet madhore shtetërore.

“Forcat politike të Kosovës, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush në opozitë, duhet ta kuptojnë se marrëdhëniet me Amerikën nuk janë pronë e asnjë partie. Ato janë pasuri kombëtare dhe përgjegjësi e përbashkët.

Kosova duhet ta meritojë mbështetjen amerikane përmes institucioneve të forta, qeverisjes së përgjegjshme, diplomacisë profesionale dhe unitetit në çështjet madhore shtetërore.

Amerika ka bërë shumë për Kosovën. Tani është detyra jonë të bëjmë më shumë për Kosovën dhe ta forcojmë miqësinë me Amerikën.

Sepse, siç e kam theksuar vazhdimisht: PA AMERIKË NUK KA KOSOVË!”, përfundon Agim Aliçkaj, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, për “Bota sot”.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.