Kaos në trafikun e Tiranës

97% e të anketuarve thanë se trafiku në qytetin e tyre është i rënduar, ose shumë i rënduar. Vetëm 2.7% mendonin se trafiku është normal The post Kaos në trafikun e Tiranës appeared first on Albinfo.

Kaos në trafikun e Tiranës

Një lëmsh i shëmtuar, i vrazhdë, kaotik, me ndotje mjedisore dhe akustike të tmerrshme, me rrezik për sigurinë e jetës për këdo dhe kudo, për këmbësorët, fëmijët, ata me biçikleta, ata me motorë, me monopatina, si dhe vetë për çdo shofer në timon, në mjete private apo publike’, thotë Endri nga Tirana, i cili vetë lëviz me biçikletë, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ata komentuan në sondazhin e zhvilluar në faqen e Monitor.al gjatë muajit janar, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting), e cila përveç pyetjeve me zgjedhje, mundëson dhe që qytetarët të japin opinionet e tyre për çështjet e ndryshme.

Gjithsej u përgjigjën 514 të anketuar, 76% e të cilëve meshkuj. Në përgjigje, dominoi grupmosha 34-44 vjeç, me 45% të të anketuarve, e ndjekur nga të rinjtë 18-34 vjeç, me 33% të atyre që u përgjigjën.

Sipas rretheve, dominoi Tirana, me 92% të të anketuarve, duke e bërë si rrjedhojë këtë sondazh përfaqësues vetëm për kryeqytetin. 3% e të anketuarve banonin në Durrës dhe 1% në Elbasan.

97% e të anketuarve thanë se trafiku në qytetin e tyre është i rënduar, ose shumë i rënduar. Vetëm 2.7% mendonin se trafiku është normal.

Duhet theksuar se gjetjet nuk janë shkencore, pasi kampionimi është i rastësishëm, por gjithsesi ato shërbejnë për të dhënë një ide mbi problematikën me të cilën përballen banorët, sidomos ata të kryeqytetit me trafikun, parkimin dhe mungesën e shërbimit publik cilësor.

Me makinë, për komoditet, kursim kohe, por dhe transportit të keq publik

72% e të anketuarve thanë se ata zakonisht udhëtojnë me makinat e tyre personale, përkundrejt 6% me biçikletë dhe 13% më këmbë dhe 9% me transport publik. Arsyet për zgjedhjen e llojit të transportit janë nga më të ndryshmet, që nga komoditeti, koha e kursyer, shmangia e trafikut, apo dhe ecja më këmbë për përfitime shëndetësore.

46% e të anketuarve dhanë kohën, si arsyen kryesore të zgjedhjes së tyre, 21% përmendën komoditetin, 12% koston dhe 8% mungesën e një transporti të përshtatshëm publik. 5% thanë se e kishin punën larg. Shqetësimi më i vogël i tyre ishte ndikimi në mjedis, që ishte zgjedhje për vetëm 2% të të anketuarve.

‘Duhet të çoj fëmijët në çerdhe e kopsht. Me transportin publik është e pamundur të arrij të përcjell të dy fëmijët’, thotë Elisa nga Tirana, që përdor makinën e saj dhe shpenzon mbi dy orë në trafik çdo ditë.

Nëse do të kishte një sistem eficient transporti publik, numri i përdoruesve të makinave do të ulet, sidomos në kryeqytet. Shumë të anketuar përmendin problematikat me autobusët, që i detyrojnë ata të nxjerrin makinat për të shkuar në punë, apo për të plotësuar nevoja të tjera të përditshme.

‘Është e pamundur të arrihet vendi i punës me mjete të transportit publik’, thotë Genti nga Tirana, i cili me mjetin e tij shpenzon mbi dy orë në ditë i ngecur në trafik.

‘Ka një transportit publik jocilësor, ku problematika kryesore është mungesa e ajrit të kondicionuar gjatë sezonit të verës dhe sidomos mbipopullimi i urbaneve’, thotë D, nga Tirana, që ka zgjedhur të udhëtojë me makinën e saj.

‘Përdor makinën se Linjat e Urbanit nuk janë korrekte dhe funksionale. Linjat urbane janë të çorganizuara, nuk lidhen me njëra-tjetrën dhe janë shumë të ngadalta’, thotë Sokoli nga Tirana.

Ka dhe nga ata qytetarë, sidomos femra, që nuk përdorin as makinë dhe as mjet publik, duke ndjekur një stil jetese të shëndetshëm. ‘Lëviz në këmbë sepse nuk kam ku të parkoj, eliminoj trafikun, mbaj trupin në formë, kursej karburantin që do të shpenzoja për të shkuar në punë’, thotë K. Koroveshi, femër nga Tirana.

Të ndarë sipas llojit të transportit, 61% e atyre që ngasin biçikletën thanë se e kanë zgjedhur këtë alternativë për shkak të kohës. Nga të anketuarit që udhëtojnë më këmbë, 40% thonë se e bëjnë këtë për shkak të kohës, 20% për koston dhe 10% për përfitime shëndetësore.

80% e atyre që udhëtojnë me transport publik thanë se e bëjnë këtë për shkak të kostos.

Nga ata që përdorin makinë, 50% e bëjnë këtë për shkak të kohës, 25% për komoditetin, 10% nga mungesa e transportit të përshtatshëm publik. 83% e atyre që udhëtojnë me makinë thanë se e përdorin automjetin e tyre çdo ditë, 16% thanë disa herë në javë dhe më pak se 2% e mbante veturën për të dalë rrallë me të.

Shumë trafik

Në Tiranë, vetëm gjatë vitit 2024, u regjistruan për herë të parë 41 mijë mjete, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ose 41% e totalit të mjeteve të reja në vend.

Në total, në kryeqytet janë të regjistruara rreth 330 mijë mjete aktive, sipas DPSHTRR. Në një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh, sipas Censit të ri të INSTAT, në kryeqytet ka 550 makina për 1000 banorë, ose një makinë për çdo dy banorë, shifër kjo pothuajse e barabartë me mesataren e Bashkimit Europian (560 makina për 1000 banorë, sipas Eurostat) dhe gati dyfishi i mesatares së vendit. Këtyre u shtohen dhe makinat që vijnë çdo ditë nga rrethet e tjera.

Shtimi i automjeteve, ndërsa rrugët e brendshme të Tiranës jo vetëm nuk janë zgjeruar, por janë ngushtuar nga korsitë e biçikletave vitet e fundit, kanë rënduar trafikun brenda në qytet. E vetmja lehtësi ka qenë përfundimi i Unazës së Madhe, që ka liruar trafikun në periferi.

41% e të anketuarve që deklaruan se ishin përdorues makine thanë se kalonin 1-2 orë në trafik në ditë. 29% thanë se kalonin më shumë se dy orë në automjet pa lëvizur. Në total, 70% e përdoruesve të automjeteve humbin më shumë se një orë në ditë të ngecur në trafik. Vetëm 6% thanë se koha në trafik ishte më pak se 30 minuta dhe 24% nga 30 minuta deri në 1 orë.

E ndarë vetëm për kryeqytetin, përqindja e të anketuarve, që kalojnë më shumë se një orë në trafik rritet në 73% dhe vetëm 5% shpenzojnë më pak sesa 30 minuta duke pritur të lirohet rruga.

 

The post Kaos në trafikun e Tiranës appeared first on Albinfo.