Kapet një kontejner me 24 tonë mish të skaduar, ishte i destinuar për “Apetit” në Kosovë

Një sasi prej 24 tonë mish me afat të skaduar nga Brazili, e destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”, u bllokua të enjten nga autoritetet e Malit të Zi.
Siç raporton gazeta malazeze Vijesti, kontenjeri me 24 tonë mish me afat të skaduar u ndalua nga Dogana e Malit të Zi në Portin e Tivarit.
Afati i përdorimit, i mishit të porositur nga kompania “Apetit SHPK”, kishte skaduar në mes të majit të vitit 2026, thanë autoritetet e Doganës së Malit të Zi.
“Zyrtarët e Administratës Doganore më 24 shtator 2026 kanë kontrolluar një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante gjithsej 1,321 paketa, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14.05.2026”, tha administrata doganore malazeze.
Rreth një javë më parë, autoritetet malzeze ndaluan edhe tre kontenjerë të tjerë me mish viçi, me peshë totale bruto prej 77 tonësh, pasi ishte konstatuar se deklaratat origjinale, në të cilat ishte shënuar afati i skaduar i përdorimit, ishin hequr dhe më pas ishin zëvendësuar me deklarata ku ishte shënuar një afat tjetër përdorimi.
Mishi nga këta tre kontejnerë, siç kanë bërë të ditur, do të asgjësohet pasi të përfundojnë procedurat e tjera ligjore.
Për këto ngjarje është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, në mënyrë që edhe administratat e tjera doganore të jenë të informuara për këtë mënyrë të tentimit për shpërndarjen e mishit”, thuhet në njoftim.
Administrata Doganore thekson se, në dy rastet e lartpërmendura, ka ndaluar tranzitin e mishit të viçit me peshë totale bruto prej 102,491.03 kilogramësh, ose pothuajse 103 tonë mish.
Kompania “Apetit SHPK” është një nga kompanitë kryesore në tregun e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit në Kosovë. Ajo është pronësi të familjes Ferizi dhe ka selinë në Obiliq. /Paparaci.com
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



