KDI: Qeveria t’i kushtojë vëmendje të shtuar infrastrukturës kritike digjitale
Instituti Demokratik i Kosovës thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i kushtojë vëmendje të shtuar infrastrukturës kritike digjitale, siç thuhet në reagim, duke garantuar qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e sistemit të e-Prokurimit. “KDI, dega e Transparency International në Kosovë, ka shprehur shqetësim për mosfunksionimin e platformës e-Prokurimi tashmë për të tretën ditë radhazi. Platforma e-Prokurimit është

Instituti Demokratik i Kosovës thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i kushtojë vëmendje të shtuar infrastrukturës kritike digjitale, siç thuhet në reagim, duke garantuar qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e sistemit të e-Prokurimit.
“KDI, dega e Transparency International në Kosovë, ka shprehur shqetësim për mosfunksionimin e platformës e-Prokurimi tashmë për të tretën ditë radhazi. Platforma e-Prokurimit është një mekanizëm kyç për menaxhimin e prokurimit publik, duke përpunuar mbi 10,000 procedura në vit dhe administruar rreth 30% të buxhetit shtetëror. Çdo ditë mosfunksionimi i kësaj platforme përkthehet në vonesa të konsiderueshme në prokurim, pasiguri për operatorët ekonomikë dhe kufizim të qasjes në të dhëna për publikun dhe institucionet mbikëqyrëse”.
“Ky problem thekson nevojën që sistemet dixhitale kritike të trajtohen me prioritet të lartë në nivel shtetëror, për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm, sigurinë kibernetike dhe mbështetjen e duhur teknike. Përkundër mbështetjes financiare për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e platformës, sfidë e vazhdueshme mbetet mungesa e burimeve njerëzore të specializuara në fushën e teknologjisë së informacionit (TI) brenda KRPP-së. Pagat jokompetitive dhe vështirësitë në rekrutimin dhe mbajtjen e ekspertëve të TI-së kanë ndikuar që kapacitetet teknike të institucionit të mbeten të kufizuara, duke rrezikuar mirëmbajtjen dhe zhvillimin afatgjatë të sistemit”, thuhet në reagim.
KDI i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa për të fuqizuar kapacitetet profesionale të TI-së brenda institucioneve kyçe.
“Të rrisë vëmendjen dhe trajtimin e veçantë për infrastrukturën dixhitale kritike në nivel vendi, duke siguruar që sistemet thelbësore si e-Prokurimi të kenë qëndrueshmëri dhe siguri afatgjatë. Të ndërmarrë masa për të fuqizuar kapacitetet profesionale të TI-së brenda institucioneve kyçe, përfshirë përmirësimin e kushteve dhe politikave të rekrutimit për ekspertë të fushës, duke siguruar një staf të qëndrueshëm dhe të kualifikuar për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemeve digjitale”.
“Të zhvillojë një strategji të integruar për sigurinë dhe përmirësimin e infrastrukturës digjitale publike, për të parandaluar ndërprerje të ngjashme dhe për të garantuar funksionimin e pandërprerë të shërbimeve kyçe për shtetin dhe qytetarët”.
“Garantimi i stabilitetit dhe funksionalitetit të infrastrukturës dixhitale nuk është vetëm një çështje teknike, por një domosdoshmëri për integritetin dhe efikasitetin e administrimit të fondeve publike. Pa një angazhim të shtuar për këtë sektor, rrezikohet jo vetëm transparenca dhe konkurrenca e ndershme në prokurimin publik, por edhe besimi i qytetarëve dhe bizneseve në institucionet shtetërore”, thuhet tutje në reagim.