Këta janë kandidatët nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit
Duke parë ndikimin në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, diaspora pritet të luajë një rol edhe më të madh në këto zgjedhje. Albinfo.ch prezanton kandidatët The post Këta janë kandidatët nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit appeared first on Albinfo.

Për zgjedhjet parlamentare të Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025, interesimi nga diaspora ka shënuar rritje të ndjeshme, me afër 105 mijë votues të regjistruar për të dhënë votën e tyre. Ky numër pothuajse dyfishon atë të zgjedhjeve të vitit 2021, kur 56 mijë qytetarë nga diaspora votuan, duke përfaqësuar rreth 5% të votuesve të përgjithshëm.
Në zgjedhjet e përmendura, diaspora ishte një faktor kyç, duke kontribuar me 10% të votave për partinë fituese Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
Ky ndikim i madh ka shtyrë partitë politike të përqendrojnë vëmendjen e tyre drejt diasporës, duke përfshirë kandidatë të shumtë nga komunitetet shqiptare në Evropë dhe ShBA.
Në këtë garë të re, partitë si LDK dhe PDK, kanë gjashtë respektivisht 4 kandidatë nga diaspora, ndërsa VV dhe AAK përfaqësohen me nga një kandidat.
Kandidatët e PDK-së nga diaspora Partia Demokratike e Kosovës
(PDK) ka përfshirë katër përfaqësues nga diaspora në listën e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Këta kandidatë synojnë të sjellin përvojën dhe angazhimin e tyre nga vendet ku jetojnë për të përfaqësuar interesat e mërgatës në Kuvendin e Kosovës.
Ragip Xhaka – Kryetar i degës së PDK-së në Zvicër, mban numrin 34 në listën zgjedhore. Ai njihet për aktivitetet e tij të gjera në komunitetin shqiptar në Zvicër dhe për promovimin e interesave të mërgatës.
Shahin Dervishaj – Kryetar i degës së PDK-së në Baden-Württemberg, Gjermani, renditet me numrin 77. Dervishaj ka një karrierë të gjatë në organizimin e diasporës shqiptare në Gjermani.
Patriot Krasniqi – Kryetar i degës së PDK-së në Itali, ka numrin 88 në listën zgjedhore. Ai është angazhuar për çështjet e diasporës dhe synon të sjellë zërin e mërgatës në politikën e Kosovës.
Isak Neziri – Afarist i njohur nga Mynihu, Gjermani, mban numrin 99. Me përvojën e tij në biznes, Neziri synon të sjellë perspektiva të reja për përfaqësimin e diasporës.
“Këta kandidatë përfaqësojnë një përkushtim të PDK-së për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe institucioneve në Kosovë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi për të adresuar sfidat e komunitetit shqiptar jashtë vendit», thonë në PDK
Kandidatët e LDK-së nga diaspora Lidhja Demokratike e Kosovës
LDK ka përfshirë gjashtë kandidatë nga diaspora në listën e saj zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme, duke reflektuar rëndësinë që partia i kushton mërgatës shqiptare.
Hysen Çekaj – Kandidat nga Gjermania, renditet me numrin 80. Ai njihet për angazhimin e tij të gjatë në çështjet kombëtare dhe organizimin e komunitetit shqiptar.
Saranda Musliu – Kandidate nga Gjermania, mban numrin 81. Musliu është aktive në mobilizimin e diasporës dhe përfaqësimin e interesave të saj.
Ramadush Emini – Kandidat nga Zvicra, renditet me numrin 82. Emini synon të sjellë një zë të fuqishëm për diasporën në Kuvendin e Kosovës.
Zeqir Gjukaj – Kandidat nga Zvicra, mban numrin 83. Ai ka një histori të gjatë të përfshirjes në çështjet e komunitetit shqiptar dhe synon të sjellë perspektiva të reja në politikë.
Lisa Rugovaj – Kandidate nga Austria, renditet me numrin 84. Rugovaj është e njohur për përpjekjet e saj për promovimin e çështjeve kombëtare dhe interesave të diasporës.
Lumbardh Salihu – Kandidat nga Austria, mban numrin 77 në listë. Është bërë i njohur si fitues i Big Brother VIP Kosova 2024. Ai ka vendosur të sjellë vizionin e tij në politikën kosovare, duke u rreshtuar në LDK.
Këta kandidatë, sipas LDK-së shihen si “përfaqësues të fuqishëm që do të forcojnë lidhjet mes diasporës dhe institucioneve vendore, duke sjellë përvojën e tyre në shërbim të Kosovës”.
Kandidati i AAK-së nga diaspora Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
AAK ka përfshirë në listën e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit vetëm një kandidat nga diaspora. Ukë Blakaj – Kryetar i degës së AAK-së në Gjermani, mban numrin 37 në listën zgjedhore. Blakaj njihet për përkushtimin e tij të madh ndaj çështjeve kombëtare dhe përpjekjet për të mobilizuar diasporën shqiptare në Gjermani, thonë në AAK.
“Angazhimi i AAK-së për diasporën përmes kandidatit të saj pasqyron qëllimin për të ruajtur lidhjet me mërgatën, pavarësisht përfaqësimit më të kufizuar krahasuar me partitë e tjera”, thonë në AAK.
Synimi i partive: Rritja e përfaqësimit të diasporës
Përfshirja e kandidatëve nga diaspora në listat zgjedhore pasqyron qartë strategjinë e partive për të angazhuar një pjesë të rëndësishme të votuesve që jetojnë jashtë vendit. Me një ndikim të konsiderueshëm në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, diaspora pritet të luajë një rol edhe më të madh në këto zgjedhje, duke ndikuar në përfaqësimin e interesave të saj në institucionet më të larta të vendit.
Po Lëvizja Vetëvendosje?Ndonëse me suksesin në zgjedhjet e kaluara sa i përket përfshirjes së diasporës ka ngjallur “oreksin” e partive të tjera, vetë Lëvizja Vetëvendosje kësaj radhe nuk ka njoftuar për ndonjë kandidat të drejtpërdrejtë të saj për zgjedhje. Albinfo.ch ka bërë përpjekje për të marrë një konfirmim rreth kësaj por nga selia e VV-së nuk ka ardhur asnjë përgjigje.
Sidoqoftë, në listën e Vetëvendosjes bën pjesë Nezir Kraki, nga Franca por ai është pjesë e kandidatëve nga Partia Guxo, që i është bashkuar listës së Vetëvendosjes. Nezir Kraki është i njohur si ligjërues në një universitet të Parisit dhe si aktivist e analist politik, i pranishëm dhe aktiv prej kohësh në mediat tona.
The post Këta janë kandidatët nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit appeared first on Albinfo.