Kirurgjia Vitreoretinale në Spitalin “Kubati”

Për trajtim dhe intervenim rreth këtyre problemeve Spitali “Kubati” është i përgatitur në të gjitha aspektet, si në atë profesional po ashtu edhe në atë teknik The post Kirurgjia Vitreoretinale në Spitalin “Kubati” appeared first on Albinfo.

Kirurgjia Vitreoretinale në Spitalin “Kubati”

Spitali “Kubati” pa dyshim që ka qenë dhe është lider në kirurgjinë vitreoretinale. Ishin të parët që e ofruan këtë shërbim në Kosovë duke u bërë të mundshëm trajtimin këtu pa pasur nevojë për trajtim jashtë vendit. Kjo u mundësua duke sigururar staf profesional të subspecializuar në klinika të njohura evropiane.

Syri është organ delikat dhe kompleks. Na mundëson të përjetojmë botën me ngjyra dhe detaje, duke e bërë shikimin, pjesë thelbësore të jetës sonë të përditshme. Megjithatë, disa sëmundje të caktuara mund të prekin retinën (shtresën më të thellë të syrit e cila i shndërron rrezet e dritës në impulse elektrike, të cilat dërgohen në tru) dhe trupin qelqor (pjesën xhelatinoze e cila e mbush pjesën më të madhe, të pasme, të syrit), duke shkaktuar dobësim ose humbje të shikimit. Fatmirësisht, përparimet dhe zhvillimiet në mjekësinë moderne kanë bërë të mundur trajtimin e këtyre gjendjeve përmes procedurave të specializuara.

Kirurgjia Vitreoretinale është fushë shumë e specializuar që përfshin teknika të ndërlikuara dhe teknologji të avancuara. Ky lloj operacioni kryhet nga oftalmologët e subspecializuar (kirurgët vitreoretinal). Këto ndërhyrje kryhen për të trajtuar çrregullimet që prekin retinën dhe trupin qelqor. Ajo përfshin teknika delikate dhe precize për të riparuar problemet në pjesën e pasme të syrit. Qëllimi i operacionit është të rivendosë ose ruajë shikimin duke trajtuar çështjet themelore që prekin retinën dhe trupin qelqor.

Sëmundjet më të shpeshta, te të cilat janë të nevojshme ndërhyrjet kirurgjike vitreoretinale:

Shkolitja (ablacioni) e retinës – Kjo ndodh kur retina tërhiqet/shkolitet nga indet (pjesët) që ndodhen poshtë saj, duke shkaktuar humbje të shikimit. Në këto raste ndërhyrja kirurgjike është e nevojshme në mënyrë që të rikthehet retina në vend dhe të parandalohen dëmtimet e mëtutjeshme. Vrima makulare (macular hole) – Një çarje ose vrimë e vogël mund të krijohet në makulë. Makula është pjesa qendrore e retinës përgjegjëse për shikimin e mprehtë. Vrimat makulare mund të shkaktojnë shikim të paqartë si dhe defekt në pjesën qëndrore të shikimt dhe zakonisht kërkon riparim kirurgjik. Retinopatia diabetike – Te pacientët me diabet mund të zhvillohen enë gjaku dhe membrane jonormale në retinë, të cilat mund të rrjedhin ose të gjakderdhin, duke shkaktuar probleme në shikim. Në raste të rënda, nevojitet ndërhyrje kirurgjike për të hequr këto membrane dhe sanimin e gjakderdhjes intraokulare. Hemorragjia e trupit qelqor – Kur gjaku rrjedh në trupin qelqor, e dobëson shikimin. Ndërhyrja kirurgjikale në këto raste është e nevojshme për të pastruar gjakun. Membrana epiretinale (Macular Pucker) – Një shtresë e hollë indi cikatricial (scar tissue) mund të formohet mbi makulë, duke shkaktuar shtrembërim të figurave dhe ulje të vizusit. Kirurgjia mund të ndihmojë në heqjen e kësaj membrane dhe në përmirësimin e shikimit. Traumat (lëndimet) e syrit – Lëndimet e syrit të shoqëruara me ose pa trupa intrabulbar mund të çojnë në dëmtime të rënda të retinës, duke kërkuar ndërhyrje kirurgjikale, shpesh urgjente, për të rikthyer shikimin.

Prej simptomave më të rëndësishme, të cilat duhet t’i shtyejnë pacientët për të kërkuar ndihmë mjekësore janë:

Paraqitja e fijeve/hijeve gjatë shikimit me njërin apo të dy sytë. Disa pacientë këtë gjendje e përshkruajnë si paraqitje të “mizave”, “merimangave” etj.

Paraqitja e shkëndijave në pjesët periferike ose qëndrore të shikimit me njërin ose të dy sytë.

Pikat e zeza (të vogla ose të mëdha) para njërit apo dy syve.

Turbullimi ose ndryshimet e përnjëhershme të shikimit.

Shtrembërimi i figurave/objekteve.

Errësimi i pjesshëm ose i plotë i shikimit në njërin apo të dy sytë.

Hapat specifikë të ndërhyrje kirurgjike vitreoretinale varen nga gjendja që trajtohet, por te shumica e procedurave rrjedha operative dhe post-operative shkon si më posht:

Përgatitja – Te pacienti aplikohet anestezioni i bulbusit ose nganjëherë i përgjithshëm për të siguruar komfortin e pacientit gjatë procedurës.

Prerje të vogla (25G-27G) – Hapje të vogla bëhen në pjesën e bardhë të syrit (sklera) për të lejuar qasjen në trupin qelqor dhe retinë.

Heqja e trupit qelqor (Vitrektomia) – Kirurgu largon trupin qelqor gjë që i mundëson qasje te pjesa e pasme e syrit (retina).

Riparimi i retinës – Në varësi të gjendjes, kirurgu mund të përdorë instrumente delikate për të rregulluar dëmtimin e retinës, trajtim me laser si dhe tamponaden me gaz ose vaj silikoni.

Rikuperimi – Kjo fazë vazhdon në varësi të gjendjes/patologjisë e cila është trajtuar.

Kirurgjia moderne vitreoretinale ka përparuar ndjeshëm vitet e fundit, duke i bërë procedurat më të sigurta dhe më efektive. Disa zhvillime kryesore përfshijnë:

Kirurgjia me mikroincizione – Kirurgët tani mund të kryejnë procedura me prerje më të vogla (shpim – 27G), duke e shpejtuar shërimin dhe duke e zvogëluar rrezikun e komplikimeve.

Imazheria me rezolucion të lartë – Teknikat e avancuara të imazherisë lejojnë kirurgët të shohin retinën deri në detaje më të vogla, duke përmirësuar saktësinë gjatë operacionit.

Disa nga pikat e rëndësishme pas ndërhyrjes kirurgjike:

Pozicionimi pas operacionit – Nëse përdoret gazi për të mbështetur retinën, pacienti mund të ketë nevojë të mbajë një pozicion specifik të kokës për disa ditë. Nëse përdoret kjo lloj tamponade (tamponade me gaz), pacientit i rekomandohet të mos udhëtojë me aeroplan për 2-4 javë, varësisht nga lloji I gazit që është përdorur.

Ndryshimet në të pamur – Mund të duhen disa ditë ose javë që shikimi të stabilizohet.

Terapia – Pacientëve zakonisht u përshkruhen pika dhe unguenta (yndyra për lyerje), me përmbajtje të antibiotikëve dhe kortikosteroideve, për të zvogëluar inflamacionin dhe për të parandaluar infeksionet.

Vizitat vijuese – Kontrollat e rregullta me kirurgun mundësojnë përcjelljen e gjendjes së pacientit dhe në këtë mënyrë mund të parandalohen ose menaxhohen ndërlikimet e mundshme.

Kufizimet fizike – Pacientët mund të këshillohen që të shmangin ngritjen e peshave dhe sforcimet fizike për një periudhë të caktuar kohore.

Si çdo procedurë kirurgjike, operacionet vitreoretinale bartin disa rreziqe, duke përfshirë infeksionin, rritjen e presionit të syve, formimin e kataraktës (perdes/pëlhurës së syrit) ose përsëritjen e shkolitjes së retinës. Këto komplikime përgjithësisht janë të rralla. Sidoqoftë, përparimet/zhvillimet në teknikat kirurgjikale kanë përmirësuar ndjeshëm normat e suksesit dhe rezultatet për pacientët që i nënshtrohen kësaj procedure. Duke i kushtuar kujdesin e duhur, duke u siguruar që ndërhyrja të bëhet me kohë dhe nga kirurgët e subpecializuar, shumë pacientë mund ta ruajnë ose ta rikthejnë shikimin e mëparshëm , duke e rritur cilësine e jetës së tyre.

Është e rëndësishme që pacientët të ndjekin me kujdes udhëzimet e kirurgut të tyre për të minimizuar rreziqet dhe për të siguruar rezultatin më të mirë të mundshëm.

Për trajtim dhe intervenim rreth këtyre problemeve Spitali “Kubati” është i përgatitur në të gjitha aspektet, si në atë profesional po ashtu edhe në atë teknik.

 

The post Kirurgjia Vitreoretinale në Spitalin “Kubati” appeared first on Albinfo.