Kosova mirëpret njohjen nga Sudani

Kosova ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pas vendimit të Sudanit për të njohur pavarësinë e saj. Lajmi u mirëprit gjerësisht nga institucionet shtetërore dhe liderët politikë të vendit, të cilët e cilësuan këtë njohje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, shkruan albinfo.ch. Kryeministri Albin […] The post Kosova mirëpret njohjen nga Sudani appeared first on Albinfo.

Kosova mirëpret njohjen nga Sudani

Kosova ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pas vendimit të Sudanit për të njohur pavarësinë e saj. Lajmi u mirëprit gjerësisht nga institucionet shtetërore dhe liderët politikë të vendit, të cilët e cilësuan këtë njohje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Kryeministri Albin Kurti reagoi menjëherë, duke e cilësuar njohjen si një miqësi të re për popullin dhe një fitore për shtetin. Ai falënderoi Presidentin e Sudanit për vendimin dhe shprehu mirënjohje ndaj Presidentes Vjosa Osmani, për angazhimin e saj në këtë proces.

“Shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re, e popullit tonë një miqësi më shumë. E mirëpresim njohjen nga Sudani, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia. Shpresojmë që marrëdhëniet diplomatike të forcohen dhe të thellohen,” u shpreh Kurti.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se kjo njohje është dëshmi e përparimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcon pozitën e saj në kontinentin afrikan, transmeton albinfo.ch.

“Republika e Kosovës sot shënoi edhe një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar. Presim me padurim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe bashkëpunimit konkret me Sudanin,” tha Gërvalla në një postim në rrjetet sociale.

Nga radhët e opozitës, njohja nga Sudani u vlerësua po ashtu si një sukses i rëndësishëm diplomatik. Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi se kjo është një arritje në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, shkruan albinfo.ch.

“Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Rritja e numrit të njohjeve është jetike për Kosovën në skenën globale,” tha Çitaku.

Edhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, theksoi rëndësinë e njohjes, duke përgëzuar Presidencën për punën dhe kërkuar vazhdim të kësaj dinamike.

“Njohja nga Sudani është e mirëseardhur. Duhet të vazhdojmë me ritëm të shpejtë në këtë drejtim,” shkroi ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cilësoi aktin e njohjes si dëshmi të përkushtimit të shteteve paqedashëse ndaj vlerave të lirisë dhe paqes, transmeton albinfo.ch.

“Njohja nga Sudani përbën një moment të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, duke dëshmuar besimin e ndërsjellë në parimet e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar,” thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha se kjo njohje është pjesë e një vale të re mbështetjeje për Kosovën që u nis nga njohja e Kenisë.

“Njohja nga Sudani është lajm fantastik. Urime Kosovë! Përgëzime Presidentes Osmani për punën e saj të palodhshme në diplomacinë ndërkombëtare,” shkroi ai.

Kjo njohje shënon një hap të ri në përpjekjet e Kosovës për të thelluar praninë e saj diplomatike në kontinentin afrikan dhe në botë, duke e afruar më tej me qëllimin e anëtarësimit të plotë në organizatat ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.

 

The post Kosova mirëpret njohjen nga Sudani appeared first on Albinfo.