Kosova pa kontrata lobimi në SHBA, po humbim mbështetjen karshi Serbisë
Kosova, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, ka përjetuar një sërë sfidash për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare, por më të lehtë paksa e kanë bërë kontratat lobuese dhe lidhjet e fuqishme të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend që ka qenë dhe vazhdon të mbetet një aktor kyç në

Kosova, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, ka përjetuar një sërë sfidash për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare, por më të lehtë paksa e kanë bërë kontratat lobuese dhe lidhjet e fuqishme të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend që ka qenë dhe vazhdon të mbetet një aktor kyç në politikën globale. Duke pasur parasysh ndikimin e jashtëzakonshëm që SHBA ka në zhvillimin e politikës ndërkombëtare, mungesa tani e kontratave lobuese në këtë këtë shtet me superfuqi vlerësohet si një mangësi e madhe strategjike për Kosovës.
Në një periudhë kur politika amerikane ka marrë një rol gjithnjë e më dominant në skenën ndërkombëtare, veçanërisht pas ri-ardhjes në pushtet të presidentit Donald Trump, kjo mungesë po shihet si një mundësi e humbur për Kosovën. SHBA-të janë jo vetëm një lider ekonomik dhe ushtarak, por edhe udhëheqës global në formësimin e politikave ndërkombëtare.
Politika e jashtme amerikane po kalon një fazë të ndryshimeve të thella, me një fokus të ri dhe më të ashpër ndaj rivaliteteve gjeopolitike. Ky ndryshim në kursin e politikës amerikane i bën edhe më të rëndësishme angazhimin e Kosovës për të krijuar partneritete të forta në Washington, që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mbështetje të mëtejshme për integrimin dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.
Kosova për të arritur qëllimet e saj strategjike, veçanërisht në fushën e njohjeve ndërkombëtare dhe integrimit në organizata të rëndësishme si: Kombet e Bashkuara, është e domosdoshme të ndërmarrë hapa të guximshëm dhe të vendosur për të siguruar mbështetje të fuqishme nga SHBA.
Mungesa e kontratave lobuese në këtë periudhë të ndryshimeve të shpejta mund të dëmtojë mundësitë e vendit tonë për të realizuar ambiciet e saj ndërkombëtare, duke lënë hapësirë për rivale të mundshëm që të ndikojnë në politikat që mund të janë të pafavorshme për interesat e Kosovës. Prandaj po shihet si më se e nevojshme që Kosova të rimendojë dhe të riformulojë strategjinë e saj diplomatike për të përfituar nga mundësitë që ofron lobimi i fortë dhe i koordinuar në SHBA.
Arifi: Kosova s’ka politikë të jashtme, e kanë “varrosur” Kurti dhe Gërvalla
Ish-kryenegociatori i Kosovës, Avni Arifi për FrontOnline e ka quajtur të “vdekur” politikën e jashtme të Kosovës.
‘’Kosovës i ka vdekur politika e jashtme’’, thotë ai.
Madje, për këtë ai akuzon kryeministrin e vendit, Albin Kurtin dhe ministren e jashtme, Donika Gërvallën.
‘’Albin Kurti dhe Donika Gërvalla e kane vrarë dhe varrosur politikën e jashtme’’ shprehet ai.
Sipas tij, gjitha firmat lobuese në SHBA po të bëheshin bashkë kundër Kosovës, nuk do ta dëmtonin sa e ka dëmtuar ‘’gratis’’ Kurti dhe Gërvalla, politikën dhe diplomacinë e jashtme.
‘’Krejt firmat lobuese në Amerikë me u bo bashkë për me dëmtu Kosovën nuk munden me dëmtu siç e dëmtojnë gratis Albini dhe Donika’’, u shpreh ai.
Ish-ambasadori Hamiti: Me Kurtin kryeministër e Gërvallën shefe të diplomacisë nuk na ndihmojnë dot as firmat lobuese në SHBA
Ish-ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, aktualisht profesor universitar, Muhamet Hamiti, për FrontOnline, thotë se Kosova me Qeverinë Kurti, i ka punët keq, si brenda ashtu edhe nga jashtë.
‘’Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgjue e merr vesh se Kosova i ka punët më keq si brenda ashtu edhe jashtë me Qeverinë e Albin Kurtit, si me BE-në ashtu edhe me SHBA-të, si me Administratën Biden ashtu edhe me Administratën e re të Presidentit Trump’’ thotë Hamiti.
Hamiti, potencon se shkaku i Qeverisë Kurti, Kosova ka humbur qindra milionë euro.
‘’BE-ja i ka vendosur sanksione Kosovës tash dy vjet. Qindra milionë euro i ka humbur vendi ynë për fajin e kësaj Qeverie. Humbjet po vazhdojnë’’ shton ai.
Profesori universitar potencon se niveli i marrëdhënieve Kosovë-SHBA, ka rënë pikërisht në nivelet më të ulëta për shkak të Qeverisë Kurti.
‘’Niveli i marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të ka rënë në nivelet më të ulëta gjatë kësaj Qeverie të Vetëvendosjes, me Kurtin Kryeministër e Donika Gërvalla-Schwarzin Ministre të Jashtme. Kurti i quante “naive” deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken. Gërvalla-Schwarzi e quante “tigër prej letre” BE-në’’ deklaroi Hamiti për FrontOnline.
Madje, ish-diplomati kosovar shprehet se as kompanitë e lobimit s’do bënin punë me drejtues të papergjegjëshëm të Qeverisë së Kosovë.
‘’Kur ke drejtues të Qeverisë dhe të punëve të jashtme njerëz si këta, s’mund të presësh t’i keshë punët mirë as me aleatët jetikë, mbështetësit historikë të Kosovës. As kompanitë e lobimit, droj unë, s’do të bënin punë me drejtues të papërgjegjshëm dhe jokompetentë të Qeverisë së Kosovës. S’ia dalin ta bindin askë Albin Kurti, Donika Schwarz dhe të tjerë si këta pos militantëve të vet’’ vazhdon ai.
Për fund ambasadori Hamiti, thotë se prespektiva e Kosovës është e zymtë nëse vazhdon ta udhëheq Qeverinë dhe shtetin, kasta që e udhëheqi vendin për këto katër vite.
‘’Perspektiva e Kosovës është e zymtë po të vazhdojë ta drejtojë vendin tonë soji i kastës politike që e kemi pasur në pushtet në këto katër vjet, e cila i ka shkaktuar dëme të rënda shtetit tonë, disa prej të cilave vështirë të riparueshme’’, u përfundoi profesori Hamiti, dikur ish-ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar për FrontOnline.
Ish-ambasadorja Lama: Zgjedhja e një Qeverie të përgjegjshme është çelësi për marrëdhënie më të mira me SHBA-në
Ish-ambasadorja e Kosovës, Alma Lama,për FrontOnline, ka theksuar disa çështje të rëndësishme lidhur me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës e veçmas sa i përket kontratave lobuese në SHBA.
“Me sa di unë ka pasur kontratë lobimi me një kompani, e angazhuar nga Ministria aktuale e punëve të jashtme, por nuk jam në dijeni për aktivitetin,” thotë ajo.
Lama sugjeron se Kosova duhet të fokusohet në dy drejtime për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në.
“Kosova duhet të zgjedhe një Qeveri të përgjegjshme, e jo kofrontuese apo antagoniste me SHBA-ne dhe BE-ne siç e kemi pasur’’, shprehet ajo për FrontOnline.
Dhe së dyti sipas ish-ambasadores Lama, Kosova duhet të angazhohet ne lobim në Uashington, me administratën e re
“Kosova duhet të angazhohet ne lobim në Uashington, me administratën e re, duke shfrytëzuar të gjitha lidhjet politike, dhe angazhuar shqiptarët që janë atje e që për dekada kanë gjetur mënyrën të influencojnë politikën amerikane në favor të Kosovës.” shprehet ajo për FrontOnline.
Ish-dipomatja Lama gjithashtu thekson se kjo situatë kërkon qasje serioze dhe diplomaci të mprehtë, duke potencuar se Kosova ka nevojë për një diplomaci më të zhvilluar dhe një angazhim më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
‘’Kjo situatë kërkon qasje serioze dhe diplomaci te mprehtë’’ thotë ajo
Për këtë arsye, ajo sugjeron se ambasada në Uashington duhet të mbushet me diplomatë të shkathët, e të përgjegjshëm, në mënyrë që të punohet me intensitet të lartë në diplomaci.
‘’Ambasada ne Uashinngton duhet të mbushët me diplomate të shkathët, e të përgjegjshëm, në mënyre qe të punohet me intensitet të lartë në diplomaci’’ përfundoi Lama.
Bislimi: Kosova nuk ka asnjë kontratë lobuese në SHBA, duhet të punohet me Kongresin
Faton Bislimi, aktivist politik në ShBA e ish -deputet i LDK-së, për FrontOnline ka folur rreth dëmtimit që iu ka shkaktuar Kosovës e cila nuk ka asnjë kontratë lobuese në SHBA.
Bislimi e quan mungesë të rëndësishme, kontratat lobuese të Kosovës në SHBA, veçmas në këtë kohë kur SHBA po luan rolin dominant në politikën e jashtme.
‘’Është e vërtetë që Kosova aktualisht nuk ka një kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është një mungesë e rëndësishme, sidomos kur marrim parasysh rolin dominant që SHBA-ja luan në skenën ndërkombëare’’ thotë ai.
Ish-deputeti kosovar, thotë se Kosova duhet të rifillojë angazhimin strategjik për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të strukturuara me administratën amerikane.
‘’Kosova duhet të rifillojë angazhimin strategjik për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të strukturuara me administratën amerikane, e sidomos me Kongresin, për të avancuar interesat e saj dhe për të promovuar stabilitetin rajonal dhe imazhin e vet ndërkombëtar’’ thotë ai.
Bislimi, thotë se Kosova do të duhej të punoj ngushtë me SHBA-në veçmas në këtë periudhë.
‘’Në këtë periudhë, kur ndikimi i SHBA-ve është më i madh se kurrë, është thelbësore që Kosova të punojë ngushtë me partnerët amerikanë për të siguruar mbështetje në fushën e integrimit euroatlantik, zhvillimit ekonomik dhe sigurimit të paqes në rajon. Mungesa e një angazhimi thelbësor, të urtë e të mençur, mund të krijojë një hapësirë të pashfrytëzuar për të promovuar interesat e Kosovës dhe për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare.’’ shprehet ai për FrontOnline.
Aktivisti shqiptar në SHBA, tutje shton se Kosova duhet të investojë në përpjekje të strukturuar dhe të vazhdueshme, të angazhojë profesionistë të njohur që kanë mundësi të ndikojnë dhe të forcojë lidhjet me komunitetin politik dhe ekonomik të SHBA-së.
‘’Prandaj, Kosova duhet të investojë në përpjekje të strukturuar dhe të vazhdueshme, të angazhojë profesionistë të njohur që kanë mundësi të ndikojnë dhe të forcojë lidhjet me komunitetin politik dhe ekonomik të SHBA-së. Fundja, ne e dijmë formulën e suksesit nga e cila Kosova historikisht ka përfituar: puna sistematike dhe e sinqertë me liderët e politikës së jashtme amerikane në Kongres, nga të dyja taborret–demokratë e republikanë–gjë që unë personalisht kam pasë fatin ta përjetoj në Washington për mbi dy dekada’’ potencoi ai.
Bislimi shton se prioriteti kryesor tani për klasën politike të Kosovës është qëndrimi unison në politikën e jashtme .‘’Kjo është një mundësi e paçmuar për të garantuar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimet dhe synimet e Kosovës në të ardhmen. Amerika është dhe mbetet aleati dhe partneri ynë i pazëvendësueshëm. Prioritet mbi prioritete tani për klasën tonë politike është qëndrimi unison në politikën e jashtme dhe parimi që mbi gjithëçka tjetër të jetë interesi kombëtar i Kosovës. Kushdo që pretendon se ka ndonjë parim tjetër më të rëndësishëm, nuk e kupton si e sa duhet dinamikën e zhvillineve globale.’’ u shpreh ish-deputeti i LDK-së, Faton Bislimi.
Dedaj: Kurti, Osmani e Gërvalla e shkatërruan dhe nxjerrën nga binarët diplomacinë dhe marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në
Ish-ambasadori, Gjergj Dedaj, për FrontOnline ka kritikuar ashpër politikat e jashtme të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se pas pesë vitesh të pushtetit aktual, Kosova ka dështuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci.
‘’Kosova tash e pesë vite të pushtetit aktual në ikje, ka dështuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci’’ shprehet ai.
Dedaj ka vënë theksin tek përgjegjësitë e kryeministrit , Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe ministres të Jashtëme, Donika Gërvalla-Schwarz, siç thotë ai për shkatërrimin e politikës së jashtme të Kosovës, duke shtuar se ata e kanë shantazhuar, shkatërruar, demoluar dhe nxjerrur jashtë rrjedhave të partneritetit dhe të normalitetit politikën e jashtme të Kosovës.
‘’Kurti, Osmani dhe Schwarz si përgjegjësit kryesor të politikës së jashtme, e kanë shantazhuar, shkatërruar,demoluar dhe nxjerrur jashtë rrjedhave të partneritetit dhe te normalitetit politiken e jashtme të Kosovës’’ shton Dedaj për FrontOnline.
Në vazhdim, Dedaj ka theksuar se këta liderë, për shkak të egocentrizmit dhe populizmit vetanak, nuk kanë sjellë asnjë njohje të re për Kosovën, asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare gjatë dy mandateve të tyre dhe sipas tij krerët e shtetit në ikje kanë dëmtuar skajshëm marrëdhëniet me partnerët kyç, si SHBA-në, Bashkimin Europian dhe NATO-n.
Dedaj ka përdorur edhe një frazë që e ka karakterizuar stilin e udhëheqësve të aktualshëm të Kosovës.
“Diplomacia nuk është për ‘analfabet funksional’ as për ‘hajvana’ siç thotë kryeministri në ikje Kurti, por është përgjegjësi, kulturë politike, devotshmëri dhe aftësi për të mirëmbajtur marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale me shtetet dhe popujt kudo në botë’’ u shpreh ish-ambasadori Dedaj.
Ai ka bërë thirrje për një qeveri të re që duhet të angazhojë një ekip diplomatësh me përvojë, të cilët mund të rindërtojnë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe se sipas tij qeveria e re e Kosovës duhet të formojë ekip të posaçëm diplomaresh me përvojë dhe ekspertësh për rinovimin e raporteve dhe të partneritetit me SHBA.
‘’Veq kompanive të lobimit në SHBA,duhet të angazhohen edhe shqiptaro-amerikanet dhe lobi shqiptar, por qeveria e re e Kosovës duhet të formoj ekip të posaçëm diplomatesh me përvoje dhe ekspertësh për rinovimin e raporteve dhe të partneritetit me SHBA. Të njejten gjë duhet bërë edhe në BE,duke dërguar ambasador me përvojë dhe kredibil,të aftë dhe profesiionist,e jo familjar, dajë, bashkëshort, teze, halla e militant të partive të pushtetit në ikje!’’ përfundoi ish-ambasadori Dedaj.
Kadrijaj: Qeveria po i bën favore Serbisë me politikën e jashtme
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, për FrontOnline ka kritikuar ashpër kontratat lobuese që janë nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar se këto kontrata nuk kanë sjellë asnjë përfitim konkret për vendin.
‘’Nëse bëhet një kontratë lobuese prej qindra-mijëra euro, së paku duhet të i sjellet ndonjë njohje Kosovës, ndonjë benefit Kosovës, apo anëtarësim.’’ thotë ajo.
Kadrijaj ka përmendur se shumë nga individët që kanë përfituar nga këto kontrata ‘’lobuese’’ janë lidhur ngushtësisht me njerëz të afërt të Donika Gërvallës dhe përkrahës të pushtetit, duke shtuar se këto kontrata janë bërë për të përfituar vetëm ata që mbështesin pushtetin, dhe jo për të sjellë dobi për Kosovën.
‘’E dijmë me emra ato që i kemi parë shumë shpesh në Parlament që iu kanë dalur njerëzve të afërt të Donika Gërvallës, shoqeve të saj, njerëzve të pushtetit, janë bërë për përfitime të njerëzve që përkrahën pushtetin por jo për të sjellur dobi për Kosovën’’ deklaron deputetja e AAK-së për FrontOnline.
Ajo ka kritikuar politikën e jashtme të Qeverisë, duke thënë se Kosova është “e sanksionuar e veçmas për shkak të prishjes së raporteve me aleatët.
‘’Kosova tash është e sanksionuar e veçmas për shkak të prishjes së raporteve, dhe mos koordinimi i kësaj Qeverie ka ndikuar në këtë’’ tha ajo.
Deputetja e AAK-së ka paralajmëruar rrezikun e përfshirjes së Kosovës në anime politike dhe ka theksuar se kjo është e dëmshme për vendin.
“Duke parë politikën e Trumpit në politikën e jashtme dhe duke e parë pozicionin dhe situatën tonë, po ashtu pozicionin e pushtetit krah një lideri tjetër kjo paraqet rrezik, ne nuk duhet të përfshihemi në anime politike, dhe kjo e dëmton rëndë Kosovëne dhe do të dalin aludime se kjo Qeveri po i bën favore Serbisë,” përfundoi ajo.
“Serbia ka angazhuar pesë kompani lobuese, Kosova asnjë” – Rexhepi nga ”Miqt e Amerikës” kritikon dështimin në lobim
Agim Rexhepi, nga Shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka kritikuar ashpër mungesën e kontratave të lobimit për Kosovën, duke theksuar se kjo ka sjellë pasoja të rënda për imazhin dhe pozicionin diplomatik të vendit.
‘’ Fatkeqësisht ky fakt më nuk është lajm. Ka vite e vite që kam apelu tek Institucionet tona kredibile me deklarata, prononcime por edhe në kanale private që të punohet më shumë e me mençur me lobim ngase pozicioni e imazhi diplomatik i shtetit tonë është ne rënie, ndërsa pozicioni i Serbisë, fatkeqësisht është në rritje. Kjo u dëshmua edhe me efekte konkrete lobuese jo vetëm në ShBA por edhe në Evropë,” tha Rexhepi për Front Online.
Ai vuri në dukje se Serbia ka angazhuar pesë kompani të fuqishme lobuese, ndërsa Kosova nuk ka asnjë, duke e cilësuar këtë si një dështim me pasoja të dukshme tashmë dhe në të ardhmen.
“Serbia e ka forcuar imazhin dhe e ka rrit ndikimin. Nga shteti që ka bërë shumë lufta e ka kryer gjenocid u shëndrrua në faktor stabiliteti në Ballkan. Këtë ndikim e krijon vetëm diplomacia e mençur shtetërore e veprimi e lobit të tyre“, shtoi ai.
Rexhepi kërkoi urgjentisht formimin e një task force nga MPJD, duke sugjeruar angazhimin e lobuesve të fuqishëm dhe personaliteteve të njohura për të përmirësuar pozicionin diplomatik të Kosovës.
“Urgjentisht Gërvalla duhet të formoj një task force me objektiva afat shkurta, afat mesme e afat gjata ku do merrnin pjesë zyrtarët qendror të Ministrisë, të thirren lobuesit tanë të fuqishëm në Shba, të ftohen personalitete të fuqishme nga Kosova pse jo edhe rajoni që kanë dëshmu me rezultate konkrete se din e munden me sjellë poena politiko diplomatik për shtet e komb dhe se kanë lidhje të fuqishme në SHBA”, tha ai.
Ai gjithashtu kërkoi llogaridhënie nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për dështimet e shkaktuara nga mospunë ose mosveprim.
“Nëse nuk veprohet shpejt në situatë normale më e pakta që do duhej të ndodhte është që Ministrja Gërvalla do duhej të shkarkohej, dhe të kërkohet llogaridhënie nga ajo e stafi kompetent për dështimet e shkaktuara diplomatike me mospunë”, tha ai.
Rexhepi ka theksuar se ambiciet e SHBA-ve për të krijuar një rend të ri botëror po ndodhin paralelisht me një rritje të ndikimit të Serbisë, që ka angazhuar pesë kompani të fuqishme lobuese këtë vit.
‘’Vërehen ambiciet e SHBA ta ri-krijoj një rend të ri botëror (edhe pse rendi i ri ishte i dakorduar nga fuqitë e mëdha dhe kishte filluar me u implementu…). Veprimet e Trump në politikën e brendshme ka bërë veprime që munden me shkaktu pakënaqësi në të ardhmen. Energjia e Trump dhe kabinetit do jetë më shumë e përqendruar rreth problemeve eventuale të brendshme”, deklaroi Rexhepi.
Ai tha se Kosova fatkeqësisht nuk ka asnjë kompani lobuese, një dështim që ka pasoja të dukshme tashmë dhe mund të jenë edhe më të theksuara në të ardhmen.
“Është dështim ku pasojat vërehen tash. Këto pasoja do të jenë edhe me të theksuara në të ardhmen nëse nuk veprojmë shpejt dhe fuqishëm. Efekte e lobimit serb e mos lobimit tonë do lënë pasoja edhe për shumë vite, ngase tash krijohen urat e miqësi, lidhjeve të reja pro realizimit të interesave serbe’’ tha ai.
Vllasi: Përveç kontratave lobuese, duhet të ketë edhe këshilli koordinues në SHBA i përberë prej disa Shqiptarëve me ndikim
Analisti poltik, Azem Vllasi, ka folur për FrontOnline, lidhur me mungesën e kontratave të lobuese në SHBA.
Vllasi e sheh si të rëndësishëm komunikimin e Kosovës me SHBA-në, përmes mekanizmave të saj.
‘’Komunikimi me SHBA në gjitha kanalet (Presidenca, Senati, Kongresi, kongresmen e senatorë të veçan) është shumë me rëndësi për Kosovën. Kanalet e komunikimit mund të jenë të ndryshëm’’ thotë ai.
Për Vllasin edhe vizitat por edhe ftesat e veçanta posedojnë rëndësi për mardhëniet dy palëshe.
‘’Vizita zyrtare në SHBA, ftesa të veçanta zyrtarëve të ndryshëm amerikan që të vizitojnë Kosovën. Veçanërisht duhet angazhuar dhe shfrytëzuar shërbimet e Shqiptarëve me ndikim në SHBA e që nuk kursehen për interes të Kosovës’’ shprehet ai.
Derisa flet për raportet Kosovë-SHBA, Vllasi kujton po ashtu shumë figura të rëndësishme lobuese që kanë ndihmuar Kosovën ndër vite.
‘’Nuk duhet të harrohet angazhimi dhe ndikimi i madh për interes të Kosovës i Xhim Xhemes i cili e pat sjell në Kosovë Senatorin me autoritet të madh Bob Dol, madje në kohen e okupacionit serb. Pastaj angazhimi i Hary Bajraktarit i cili e angazhonte kongresistin Eliot Engel për çështjen e Kosovës. Ka të tille edhe tani në SHBA’’ tha ai.
Analisti Vllasi, potencon se Qeveria apo Ministria e jashtme duhet të këtë një grup i veçantë vetëm për kontakte me SHBA .
‘’Si shembull Duhet të këto edhe ndonjë Kontratë lobimi, por më e rëndësishme është që të ket një lloj Këshilli koordinues në SHBA i përberë prej disa Shqiptarëve me ndikim, e me cilin Qeveria e Kosovës të ketë komunikim direkt. Në Qeveri apo Ministri të jashtme duhet të këtë një grup i veçantë vetëm për kontakte me SHBA. Pa marr para sysh kush zgjidhet Kryetar në çdo katër vjet në SHBA apo kush e kryeson Qeverinë në Kosovë, marrëdhëniet e mira me SHBA duhet të kenë prioritet sepse për neve kjo është çështje jetësore’’ tha ai.
/FrontOnline/