Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026, transmeton albinfo.ch.
Hyrja në fuqi e marrëveshjes, e cila përfshin Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin, pritet të forcojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare të Kosovës me këto vende dhe të krijojë mundësi të reja për bizneset.
Marrëveshja ishte nënshkruar në janar të vitit 2025 në Davos të Zvicrës, ndërsa ditë më parë Këshilli Federal i Zvicrës miratoi ndryshimet e nevojshme për zbatimin e saj.
Çfarë është EFTA?
EFTA (European Free Trade Association), ose Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë, është një organizatë ndërqeveritare e themeluar në vitin 1960, me qëllim promovimin e tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit ekonomik.
Në fillim EFTA kishte shtatë shtete anëtare, ndërsa sot përbëhet nga katër vende:
Zvicra
Norvegjia
Islanda
Lihtenshtajni
EFTA nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, përmes marrëveshjeve të ndryshme, ajo ka ndërtuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi tregtar me vende dhe rajone në mbarë botën.
Cili është roli i EFTA-s?
Ndër funksionet kryesore të saj janë zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike ndërmjet shteteve anëtare dhe negocimi e menaxhimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vende të tjera.
Tri shtete të EFTA-s – Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni – janë pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), përmes së cilës marrin pjesë në tregun e përbashkët të BE-së. Zvicra nuk është pjesë e EEA-së.
EFTA ka një rrjet të gjerë marrëveshjesh të tregtisë së lirë, ndërsa marrëveshja me Kosovën është pjesë e këtij rrjeti.
Kosova dhe EFTA
Kosova dhe katër shtetet anëtare të EFTA-s nënshkruan marrëveshjen në Davos, në janar 2025. Në atë kohë, palët e vlerësuan marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Me hyrjen në fuqi më 1 tetor 2026, marrëveshja pritet të lehtësojë shkëmbimin e mallrave dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s./Albinfo.ch
The post Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



