Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës: Kryeministri Kurti nuk na ka takuar

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj, ka shpjeguar se përjashtimi i veteranëve të luftës nga paga minimale dhe votimi i ligjit në Kuvend për heqjen e pagave minimale për ta, ka sjellë pakënaqësi të thella. Ai ka theksuar se ky vendim ka detyruar Shoqatën që të mos i bashkohet agjendës së Qeverisë

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës: Kryeministri Kurti nuk na ka takuar


Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj, ka shpjeguar se përjashtimi i veteranëve të luftës nga paga minimale dhe votimi i ligjit në Kuvend për heqjen e pagave minimale për ta, ka sjellë pakënaqësi të thella. Ai ka theksuar se ky vendim ka detyruar Shoqatën që të mos i bashkohet agjendës së Qeverisë për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë, duke e konsideruar këtë si një formë proteste ndaj trajtimit të pa drejtë.

‘’Përjashtimi nga paga minimale dhe votimi i Ligjit në Kuvend për largim të pagave minimale të veteranëve të luftës si shenjë pakënaqësie është marrë vendim që të mos i bashkohemi agjendës së Qeverisë për këtë ditë’’, tha Shurdhaj për FrontOnline.

Shurdhaj ka sqaruar se ata kanë kërkuar takime personale me kryeministrin, por ai ka refuzuar.

 “Ne kemi kërkuar takime me Kryeministrin, por nuk na është dhënë mundësia për t’u takuar asnjëherë. Dhe për këtë arsye kemi vendosur që të largohemi dhe të festojmë në mënyrë të pavarur,” ka thënë ai.

Sipas Shurdhajt, edhe vitin e kaluar ata festuan vetë dhe këtë vit do të bëjnë të njëjtën gjë, duke realizuar aktivitetet e tyre për datat 5, 6 dhe 7 mars.