Kurti e quan “mik” Abdixhikun: LDK është dashur të vijë në bashkëqeverisje, nuk iu ofrova pak

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për presidentin, duke thënë se ai duhet të jetë koncensual dhe gjithëpërfshirës.
“Qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti/ja i ardhshëm të jetë koncensual, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull, të jetë personalitet që ka merita e kontribut, vlera kombëtare, qytetare por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e në shoqëri. Përveç kësaj, dëshirojmë që për këtë të merremi vesh paraprakisht, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, formimi i Qeverisë, nuk janë sfida, sfidë është zgjedhja e presidentit. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese“, deklaroi Kurti.
Kurti po ashtu tha se LDK është dashur të pranojë koalicionin me LVV’në dhe se “nuk i kishte ofruar pak” në diskutimet që patën.
“Ne ja kemi ofruar LDK-së kryeparlamentarin. Gjithashtu kam deklaruar edhe në takime edhe jashtë tyre jemi për president koncensual. Pra në tri pozita të larta shtetërore, Vetëvendosje ka zbritur në vetëm një. Presidenti koncensual, kryeparlamentarin LDK-ja. Pozita e kryeparlamentarit është refuzuar nga LDK-ja, është konsideruar ceremoniale. Unë besoj që është dashur ta marrin atë pozitë.
E ndjeka edhe mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike, nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18, por edhe deformim të rezultatit nuk mund të jetë. Me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është e pak. Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është përsëritur tani. Nëse LVV-ja do ta kishte kandidatin për president, atëherë LDK-ja ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati për president është koncensual, ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri. Unë besoj që edhe oferta për kryeparlamentar, edhe për bashkëqeverisje, nuk është pak. Unë e përshëndes thirrjen e kryetarit Abdixhiku që edhe partitë e tjera, gjithëpërfshirës të jetë presidenti“, deklaroi ai.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



