Kurti ankohet në CEPS: Procesi i anëtarësimit s’është i bazuar në merita, koha që BE ta bëjë më të prekshme këtë rrugë për Kosovën
Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se “Kosova nuk ka Plan B për anëtarësimin në BE”, ndërsa foli në Qendrën për Studime të Politikave Europiane (CEPS) “Zgjerimi duhet të jetë strategjik, i bazuar në meritë dhe real. Ata që harmonizohen me CFSP dhe mbështesin vlerat e BE-së duhet të shpërblehen, jo të mbahen nën masa
Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se “Kosova nuk ka Plan B për anëtarësimin në BE”, ndërsa foli në Qendrën për Studime të Politikave Europiane (CEPS)
“Zgjerimi duhet të jetë strategjik, i bazuar në meritë dhe real. Ata që harmonizohen me CFSP dhe mbështesin vlerat e BE-së duhet të shpërblehen, jo të mbahen nën masa kufizuese të BE-së. Statusi i kandidatit për Kosovën ka vonuar shumë”, shkroi ai në një postim në X, ku e bashkëngjiti një vegëz që çon te fjalimi i tij i plotë.
Aty, Kurti thotë se në aspektin e zgjerimit, “kohët e fundit gjërat duken më shpresëdhënëse”.
Ai tha se në rastin e Kosovës, procesi i anëtarësimit nuk ka qenë i bazuar në merita.
“Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe bartëse e vlerave themelore të BE-së, megjithatë mbetet vetëm një kandidate potenciale për anëtarësim në BE”, tha ai.“Kosova ka treguar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Europian dhe beson fuqishëm në të ardhmen e saj europiane. Si shembull i demokracisë në rajon, ne kemi treguar përkushtimin tonë kur jepen shanse të barabarta. Është koha që BE-ja të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të së ardhmes së saj. Kjo do ta forcojë edhe më tej përkushtimin tonë ndaj agjendës europiane, duke e bërë më të prekshme rrugën drejt BE-së. Ka ardhur koha që Kosova dhe BE-ja t’i intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për tejkalimin e pengesave që pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. Gjegjësisht: Të inicohet pyetësori për Kosovën, duke vlerësuar kapacitetet tona institucionale dhe ligjore për anëtarësim në BE; dhe Përgatitja e një opinioni të bazuar në merita për statusin e kandidatit në BE”, tha ai.