Kurti ofendoi opozitën, analistët e kritikojnë për mllefin pas humbjes së 10%
Pas përfundimit të zgjedhjeve, rezultatet e partive politike ende nuk janë publikuar. Deri tani janë numëruar 99.17% e votave, ku Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.83%, e ndjekur nga PDK me 22.15%, LDK me 17.59%dhe AAK-NISMA me 7.47%. Shumë pakë kohë pasi mori rezultatet nga Exit Poll, partia e Albin Kurtit ftoi qytetarët të festojnë në

Pas përfundimit të zgjedhjeve, rezultatet e partive politike ende nuk janë publikuar. Deri tani janë numëruar 99.17% e votave, ku Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.83%, e ndjekur nga PDK me 22.15%, LDK me 17.59%dhe AAK-NISMA me 7.47%.
Shumë pakë kohë pasi mori rezultatet nga Exit Poll, partia e Albin Kurtit ftoi qytetarët të festojnë në sheshin Skënderbeu në Prishtinës, duke shpallur fitoren përpara se KQZ-ja të publikonte rezultatet zyrtare.
Madje në një tubim të dielën, kryeministri Kurti përdori gjuhë të ashpër ndaj opozitës, duke e kritikuar programin e tyre zgjedhor dhe duke i quajtur “hajvanë”. Gjuha e tij është kritikuar nga analistët në Kosovë, të cilët thonë se ky stil i të folurit reflekton mllefin për humbjen prej 10% që ka pësuar partia në pushtet.
Ymeri për gjuhën e Kurtit: Nga mllefi i tij u vërejt zhgënjimi me rezultatin zgjedhor
Ish-bashkëpartiaku në politik i kreut të VV-së, Albin Kurti, Visar Ymeri ka komentuar për Front Online gjuhën e përdorur të Kurtit pas shpalljes së fitores së kësaj partie, duke i quajtur partitë opozitare “hajvana” dhe disa terma të tjerë.
Ymeri vlerëson se nga mllefi që patë kryeministri, u vërejt zhgënjimi me rezultatin zgjedhor qe se ka marr atë qe e ka pritë.
“Kjo ka qenë gjuha e Kurtit vazhdimisht edhe gjatë fushatës por në një dozë edhe gjatë qeverisjes. Mbrëmë vërehej zhgënjimi dhe hidhërimi me rezultatin zgjedhor, dhe gjuha e mbrëmshme ishte e ndikuar edhe nga mllefi për humbjen që prisnin”, deklaroi Ymeri.
Visar Ymeri: Arroganca e vullgariteti i VV-së, ka marrë një goditje të rëndë
Analisti dhe ish-bashkëpartiaku i Albin Kurtit, Visar Ymeri, ka folur mbi rezultatet e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se ndryshimi i madh në numrin e votave krahasuar me vitin 2021, ka ndodhur te Lëvizja Vetëvendosje.
“Ndryshimi i madh i numrit të votave krahasuar më vitin 2021 është te VV-ja e cila, sipas rezultateve të deritashme, ka një rënie prej 10 pikë të përqindjes. Kjo është rënie e pritshme”, tha Ymeri.
Sipas Ymerit, kjo rënie ishte e pritshme, por përputhet me një shpërputhje të madhe me synimet e VV-së për të rritur votat.
Ai përmendi dy partitë opozitare për rritje të votave gjatë këtyre zgjedhjeve.
“Ka një shpërputhje me synimet e partisë për ta rritur votën dhe rezultatit që e tkurr atë. PDK dhe LDK kanë një rritje domethënëse, jo sipas pritjeve që këto parti kishin e të cilat i kishin ndërtuar edhe te publiku”, deklaroi ai.
Ai e kritikoi VV-në për arrogancën që ka ndikuar negativisht në rezultatin e saj.
“Metoda racionale e programatike e fushatës që është bartë nga LDK-PDK është fituese e këtyre zgjedhjeve. Arroganca e vullgariteti i VV-së ka marrë një goditje të rëndë”, shprehet Ymeri.
Se më cilën parti do të bëjë koalicion VV-ja, Ymeri potencon që është e vështirë të qartësohet.
“Kjo mbetet e paqartë pasi që deklarimet e deritashme të përfaqësuesve të VV nuk e qartësojnë fare pozicionin politik që do ta ndjek kjo parti”, thotë ai.
Analisti Sadiku: Gjuha e Kurtit ndaj opozitës nuk i ngjason një burrështetasi
Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku e ka vlerësuar se humbësit e këtyre zgjedhjeve janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas tij, dy partitë e tjera opozitare kanë rritje solide.
“Humbësit e zgjedhjeve janë LVV-AAK, që kanë një rënie të madhe. PDK-LDK rritje solide e cila ju garanton një stabilitet në të ardhmen në politik. VV nuk e arriti referendumin ani pse doli fitues”, tha ai.
Sadiku e ka kritikuar gjuhën e ashpër të Kurtit që e përdori mbrëmë pas shpalljes së fitores në Prishtinë.
“Ajo gjuha e Kurtit nuk është e një lideri e burrështetasi ai fliste sikur të ishte në opozitë dhe nivelit të dëshpëruar”, deklaroi Sadiku për Front Online.
Muhaxhiri për Kurtin: Reagoi instinktivisht pas humbjes së mundësisë për të formuar vetë Qeverinë
Analisti Artan Muhaxhiri deklaroi se opozita kishte mundësi për një rezultat më të mirë, duke pasur parasysh që qeveria e Kurtit nuk kishte arritur asnjë sukses gjatë katër viteve.
Sipas tij, opozita nuk ka arritur të krijojë besueshmërinë e duhur tek qytetarët për të dëmtuar më shumë VV-në.
“Opozita është dashur të ketë rezultat më të mirë pasi Kurti nuk ka pasur sukses askund, është pritur të merr faturë, por opozita nuk ka krijuar besueshmëri tek qytetarët sa me e cenuar dominimin e VV-së”.
Ai tha se VV-ja rrezikoi duke u distancuar nga mediat dhe duke përdorur gjuhë të ashpër, por sipas tij, rezultati tregoi se kjo strategji iu shpërblye me një rezultat pozitiv.
“VV ka rrezikuar shumë me mos daljen në media, me një gjuhë të ashpër, mirë po rezultati tregon se kjo qasja iu është shpaguar dhe e ka këtë rezultat pozitiv”, tha ai.
Muhaxhiri komentoi edhe diskursin e ashpër të Kurtit pas zgjedhjeve, duke e interpretuar atë si një reagim instinktiv për të treguar se nuk do të ndryshojë stilin e tij politik.
“Diskursi i ashpër i Kurtit ishte një reagim instiktiv, i cili vjen si pasojë e faktit se nuk do ta ketë mundësi që ta formojë i vetëm Qeverinë, por ishte një tendencë që ti inkurajonte përkrahësit e tij e të dërgoj një porosi se nuk do të ndryshoj stil të politikës”, deklaroi Muhaxhiri për Front Online.
Disa komuna kanë përmbyllur numërimin, si Podujeva, Ferizaj, Fushë Kosova, Drenas, Juniku, Dragash, Kamenica, Malisheva, Obiliqi, Deçani.
KQZ-ja do të dalë me rezultat përfundimtar pas numërimit të votave me kusht dhe ato të diasporës.