Kurti: Rezistenca e Gllogjanit tregoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar betejën e Gllogjanit e 27 viteve më parë kur, sipas tij, njësitë policore serbe sulmuan qendrën e një prej grupeve të armatosura më aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Në javët e para të luftës në Kosovë, 27 vite më parë, si sot, më 24 mars 1998, njësite

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar betejën e Gllogjanit e 27 viteve më parë kur, sipas tij, njësitë policore serbe sulmuan qendrën e një prej grupeve të armatosura më aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në javët e para të luftës në Kosovë, 27 vite më parë, si sot, më 24 mars 1998, njësite policore serbe ia mësyen fshatit Gllogjan të Deçanit, duke sulmuar qendrën e një prej grupeve të armatosura më aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga paraditja e deri në mbrëmje, ata u përballën me një rezistencë të armatosur të qendërzuar rreth familjes së Hilmi Haradinajt dhe bijve të tij”, ka shkruar Kurti derisa ka përkujtuar këtë ditë.
Tutje, kreu qeveritar ka shkruar për Ramush Haradinajn që atë ditë u plagos dy herë gjatë luftimeve e se si u zmbrapsën policia serbe.
“Të komanduar nga Ramush Haradinaj, i cili atë ditë u plagos dy herë gjatë luftimeve, bashkë me vëllezërit e tij Shkëlzenin, Dautin, Frashërin dhe Enverin, me motrën e tyre Mema, me kushërinjtë Rasimin e Bujarin, me nipin Kujtim Zeneli dhe me bashkëluftëtarë të tjerë, i zmbrapsën policinë serbe duke u shkaktuar dëme e të vrarë”.
Kryeministri tha se atë të martë, 27 vjet më parë, kullat e Gllogjanit u kthyen në kulla qëndrese.
“Teksa u luftua te shtëpitë Smajl e Rasim Haradinajt, në shtëpitë e Zeqë e Ibrahim Mustafës, në shtëpinë e Xhafer Sadriut dhe Islam Hasanit. Më 24 mars 1998, në Gllogjan ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj”, vijoi tutje shkrimin e tij Kurti.
Sipas kreut të ekzekutivit, rezistenca në Gllogjan tregoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për ta vazhduar luftën për liri deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese dhe armike.
“Mirënjohje të përhershme dhe nderime të gjithë atyre që luftuan e u angazhuan për çlirimin e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit dhe të gjithë të rënëve për lirinë e atdheut!”, ka përfunduar shkrimin përkujtues për këtë përvjetor, Kurti.