Kush u shpërblye e kush mori “flakareshë” në zgjedhjet e 9 shkurtit?

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë, disa kandidatë që kishin një numër më të lartë votash në të kaluarën në listat e partive nuk arritën të siguronin një vend në legjislaturën e re, ndërsa të tjerë që kishin një renditje më të ulët, përfunduan në 10-shen e parë të deputetëve.

Kush u shpërblye e kush mori “flakareshë” në zgjedhjet e 9 shkurtit?

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë, disa kandidatë që kishin një numër më të lartë votash në të kaluarën në listat e partive nuk arritën të siguronin një vend në legjislaturën e re, ndërsa të tjerë që kishin një renditje më të ulët, përfunduan në 10-shen e parë të deputetëve.

Analistët politikë kanë dhëne mendime të ndryshme për këtë fenomen, duke theksuar disa probleme që kanë dalë në dritë, si dhe duke shprehur shqetësim për produktivitetin e legjislaturës së ardhshme. Ata gjithashtu kanë vërejtur një tendencë pozitive, ku votuesit po bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm dhe po zgjedhin sipas preferencave të tyre personale, jo vetëm në bazë të listave të partive të caktuara nga liderët politikë.

Spahiu: Votim i çuditshëm, ata që punuan u ndëshkuan në zgjedhje, ndërsa dembelët i çuan përpara

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka shprehur skepticizëm për produktivitetin e legjislaturës së re, duke vënë në dukje disa probleme në listat e kandidatëve të partive. Sipas tij, në listën e “Vetëvendosjes” janë përfshirë ministra që kanë dështuar dhe nuk kanë treguar ndonjë rezultat konkret në punën e tyre, ndërsa disa figura që e kanë merituar të jenë në Kuvend nuk janë fare pjesë e listave të reja të deputetëve.

‘’Nuk më duket që kjo legjislaturë do të jetë më produktive për arsyen e thjeshtë që unë e pashë. Shembull në listën e Vetëvendosjes janë futur ministra të cilët kanë dështuar, që nuk kanë punuar asgjë, që kanë qenë dështim total dhe ka nga ata që nuk janë fare në listën e deputetëve e që e kanë merituar të jenë ‘’, tha Spahiu për FrontOnline.

Spahiu e ka cilësuar votimin si të çuditshëm dhe si një sinjal që nuk premton përmirësim në qeverisjen e ardhshme. Ai ka vërejtur se votuesit, në vend që të mbështesin ata që kanë punuar, i kanë demotivuar të njejtit, ndërsa ata që nuk kanë dhënë rezultate i kanë avancuar në listë.

‘’Votimi është shumë i çuditshëm dhe nuk premton që do të ketë qeverisje më të mirë sesa që e kishim. Votuesi, ata që kanë punuar i ka demotivuar, ndërsa e ata që  nuk kanë punuar i ka çuar përpara ‘’, deklaroi Spahiu;

Megjithatë, ai ka theksuar se një aspekt pozitiv është fakti që qytetarët po votojnë gjithnjë e më shumë sipas preferencave të tyre dhe jo vetëm sipas listave të caktuara nga liderët politik.

‘’Fakti që tani njerëzit votojnë pavarësisht vendit në listë ku janë tregon se votuesit kanë filluar të shohin se nuk është e thënë të votohen vetëm preferencat e liderëve, por dhe preferencat e tyre’’, përfundoi Spahiu.

Canaj: Shumica e kandidatëve për deputetë kanë rënë vikti*më e zonave të veta

Analisti politik Blerim Canaj  ka theksuar se Kosova, si një zonë e vetme zgjedhore, ka krijuar një situatë ku disa kandidatë kanë humbur mandate për shkak të shpërndarjes së votave brenda partive të tyre. Sipas tij, shumica e deputetëve bien “viktimë” e përqendrimit të votave në rajonet e tyre.

‘’Problemi  është se Kosova është në  një zonë zgjedhore edhe shumica e deputetëve kanë rënë viktimë e zonave të veta’’, tha Canaj për FrontOnline.

Në këtë kontekst, Canaj ka përmendur disa shembuj konkretë. Ai ka theksuar se Besnik Tahiri, i cili është nga Podujeva dhe ka kandiduar nga AAK, ka pasur vështirësi të sigurojë vota përtej zonës së tij, pasi mbështetja kryesore e partisë së tij vjen nga Dukagjini.

 Ai ka theksuar se për shkak të natyrës së sistemit zgjedhor, disa figura politike varen tërësisht nga votat e rajonit të tyre, ndërsa të tjerë, që arrijnë të krijojnë një profil kombëtar, kanë më shumë gjasa të sigurojnë një mandat. Një shembull i kësaj është Enver Hoxhaj në PDK, i cili, sipas Canajt, është ndër të paktët kandidatë që ka arritur të marrë vota në të gjithë Kosovën dhe për këtë arsye është parë si një figurë kombëtare.

‘’Shembull e marrim PDK-në ,Enver Hoxhaj, mua më duket se ai është i vetmi kandidat që ka votë në krejt Kosovën, jo në një rajon, por në gjithë Kosovën që automatikisht perceptohet si një figurë e gjithë vendit’’, deklaroi Canaj.

Pozhari: Votuesi i ndëshkoi keq shumë deputetë

Xhevdet Pozhari, analist politik, ka thënë se shumë deputetë, pavarësisht se kishin një numër dinjitoz votash, nuk do të jenë më në ulëset e Kuvendit, ndërsa figura të reja, të njohura për aktivitetin dhe profilin e tyre në fusha të ndryshme, kanë treguar më shumë sukses në këto zgjedhje.

‘’Shumë deputetë nuk do të jenë në ulëset e Parlamentit, pavarësisht që kanë pasur një numër dinjitoz në listë, ndërsa figura të reja të cilat kanë qenë të njohura në profile të ndryshme kanë treguar më tepër sukses në këto zgjedhje’’, tha Pozhari për FrontOnline.

Ai ka shtuar se kjo është një shenjë pozitive, pasi është reflektim i dëshirës së votuesve për të provuar mundësinë me figura të reja, pas një legjislature të kaluar që ai e konsideron mjaft aktive.

’’Kjo me një aspekt është mirë ngaqë nuk është se shquhemi që kemi pasur një legjislaturë shumë aktive në mandatin e kaluar dhe si duket votuesi ka vendosur që të mos ua jap mundësinë disa prej deputetëve që të kthehen prapë në ulëset e kuvendit, dhe të provojë mundësinë me figura të cilat kanë qenë më të reja n politikë’’, deklaroi Pozhari.

Pozhari ka theksuar gjithashtu se gratë kanë pasur një mbështetje të konsiderueshme në këto zgjedhje.

 ‘’Çfarë do të doja të theksoja është që gratë janë votuar në masë të madhe ,pra në të gjitha partitë 5-shja e grave më të votuara e ka merituar ulësen e Kuvendit pa e pasur nevojën e kuotës gjinor këtu që është lajm I mirë’’, potencoi Pozhari.

Në fund, ai ka shprehur shpresën se legjislatura e re nuk do të ketë surpriza të padëshiruara, duke pasur parasysh se opinioni publik e ka konsideruar legjislaturën e kaluar si një nga më të dobëtat.

‘’Ka pasur një konsensus në opinion publik që ajo e kaluara ka qenë një ndër legjislaturë më të dobëta ,shpresoj që kjo legjislaturë të mos na surprizojë për të keq’’, përfundoi Pozhari.