Von der Leyen anashkalon Serbinë dhe Bosnjën në turneun e saj në Ballkan

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do t’i anashkalojë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën gjatë turneut të saj në Ballkan, njoftoi të premten Komisioni Evropian.
“Gjatë turneut, presidentja von der Leyen do të vizitojë Tiranën, Prishtinën, Podgoricën dhe Shkupin. Atje do të takohet me presidentët dhe kryeministrat, si dhe do të vizitojë projekte të financuara nga Bashkimi Evropian”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta.
Vizita në katër vendet e rajonit është paraparë të zhvillohet nga 30 shtatori deri më 2 tetor.
Radio Evropa e Lirë kishte raportuar më herët për mundësinë që von der Leyen, nëse nuk do ta vizitonte Serbinë, të mos shkonte as në Bosnjë e Hercegovinë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prej vitesh ka pasur një raport të ngrohtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit shpesh i është drejtuar me fjalët “i dashur Aleksandar”. Kjo qasje është kritikuar nga ekspertë që merren me Ballkanin Perëndimor.
Ishte spekuluar se von der Leyen nuk do ta vizitonte Serbinë gjatë turneut ballkanik për shkak të tensioneve politike dhe shoqërore në vend, ndërsa varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid, kishte nxitur reagime të ashpra në Bashkimin Evropian. Edhe disa deputetë të Parlamentit Evropian i kishin bërë thirrje shefes së Komisionit Evropian që të mos udhëtonte në Beograd.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe të përgjithshme në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, presidentja e Komisionit Evropian planifikon t’i vizitojë këto dy vende më vonë, tha Podesta.
Ky do të jetë turneu i gjashtë i von der Leyen në rajon, një vizitë që tashmë është bërë traditë para publikimit të paketës vjetore të raporteve të progresit për vendet kandidate për anëtarësim në BE.
“Siç tha presidentja në samitin e qershorit, Bashkimi ynë nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Gjatë bisedimeve me partnerët, ajo do të diskutojë për hapat e nevojshëm në rrugën e këtyre vendeve drejt Bashkimit Evropian, si dhe për procesin e integrimit gradual, të mbështetur nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha zëdhënësja Podesta.
The post Von der Leyen anashkalon Serbinë dhe Bosnjën në turneun e saj në Ballkan appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



