Liderët botërorë shprehin ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Françeksut
Papa Françesku ose siç kishte dhe emrin e vërtetë Jorge Mario Begoglio ndërroi jetë mëngjesin e 21 prillit në moshën 88-vjeçare, si Papa i 226-të i Kishës Katolike Romake. Ai lindi më 17 Dhjetor të vitit 1936 në Buenos Aires të Argjentinës. Të dielën e Pashkëve, 20 prill 2025, ai doli në publik për të [...]Read More...

Papa Françesku ose siç kishte dhe emrin e vërtetë Jorge Mario Begoglio ndërroi jetë mëngjesin e 21 prillit në moshën 88-vjeçare, si Papa i 226-të i Kishës Katolike Romake. Ai lindi më 17 Dhjetor të vitit 1936 në Buenos Aires të Argjentinës. Të dielën e Pashkëve, 20 prill 2025, ai doli në publik për të uruar të gjithë besimtarët, kjo ishte dhe dalja e fundit e tij.
Vdekja e tij ka tronditur mbarë botën, prandaj dhe reagimet e liderëve botërorë kanë qenë të shumta dhe mjaft të ndjera. Të gjithë shprehin ngushëllimet dhe kujtojnë mësimet e vyera për dashurinë dhe paqen që shpërndante Papa në çdo dalje të tijën.
Në një reagim në platformën “X” Shtëpia e Bardhë në SHBA ku shkruan: “U prefsh në paqe Papa Françesku.”
Një mesazh pati dhe nga vetë Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili ka shkruar: “ “U prehsh në paqe Papa Françesku! Zoti e bekoftë atë dhe të gjithë ata që e donin!”
Presidenti italian Sergio Mattarella në një postim ngushëllimi tha se Papa Françesku vendosi që të bënte të daljen e fundit publike në të dielën e Pashkëve, njësoj siç u prezantua për herë të parë në vitin 2013.
“Një mendim spikat mbi gjithçka, atë që ai vendosi të bënte dje në Pashkë, me bekimin e tij për botën dhe turneun e tij në shesh mes besimtarëve, me kujtimin e tij të fundit për parimin e humanizmit si kriterin e sjelljes për çdo person. Sot duket si një përshëndetje për kishën, për gratë dhe burrat në mbarë botën”, tha Sergio Mattarella.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se lajmi për vdekjen e Papa Françeskut ishte një lajm shumë i trishtë.
“Na trishton thellësisht, pasi po i themi lamtumirën një njeriu të madh. Kam pasur privilegjin që të shijoj miqësinë, këshillat dhe mësimet e tij, të cilat nuk më kanë dështuar kurrë. Por, ne e dimë që tani ai është në shtëpinë e Zotit”, tha Meloni.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shprehu gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
“Sot bota mban zi për vdekjes e Papa Françeskut. Ai frymëzoi miliona njerëz, përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë kaq të pastër. Ngushëllimet e mia janë me të gjithë ata që e ndjenë këtë humbje kaq të thellë. Le të gjejmë ngushëllim në idenë se trashëgimia e Papa Françeskut do të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve drejt një bote më të drejtë, paqësore dhe më të dhembshur”, ka shkruar Ursula von der Leyen në llogarinë e saj në “X”.
“Ai dinte të jepte shpresë, të lehtësonte vuajtjet përmes lutjes dhe të nxiste unitetin. Ai u lut për paqen në Ukrainë dhe për ukrainasit. Kujtim i përjetshëm!”, ka shkruar ndërkaq Presidenti i Ukrainë Volodymyr Zelenskyy në “X”, duke e lidhur me situatën e luftës me Rusinë.
Ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare shprehu dhe kryeministri i Holandës, Dick Schoof. Në reagimin e tij Schoof thotë se Papa ishte një njeri i popullit.
“Komuniteti katolik në mbarë globin i jep lamtumirën një udhëheqësi, që njohu çështjet e ndezura të ditëve tona dhe tërhoqi vëmendjen ndaj tyre. Me mënyrën e tij të matur, veprimet në shërbim të njerëzimit dhe dhembshurinë, Papa Françesku ishte një model për shumë njerëz katolikë dhe jo vetëm”, ka shkruar Schoof në “X”.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog tha se Papa Françesku nxiti lidhje të forta me hebrenjtë dhe avancoi dialogun ndërfetar.
“Unë me të vërtet shpresoj që lutjet e tij për paqen për Lindjen e Mesme dhe për kthimin e sigurt të pengjeve do të marrin përgjigje së shpejti”, shkroi ai duke iu referuar thirrjeve të përsëritura të Papës për t’i dhënë fund luftës dhe lirimin e robërve të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Harris tha se mësimet e Papa Françeskut do të vazhdojnë që t’i shërbejnë botës, edhe pas ndarjes së tij nga jeta.
“Papa Françesku e duroi sëmundjen e tij me dinjitet dhe guxim të madh. Ndërsa shumë njerëz në Irlandë dhe të krishterë në mbarë botën vajtojnë humbjen e tij. Ne gjejmë forcë në mesazhet e tij të shpresës, mëshirës dhe dhembshurisë që do të vazhdojnë që të na frymëzojnë për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Simon Harris./abcnews.al