Lidhja Demokratike Boshnjake në Maqedoni kallëzim penal kundër zyrtarit qeveritar, Kitanoviqit që glorifikoi Mlladiqin

Lidhja Demokratike Boshnjake në Maqedoni kallëzim penal kundër zyrtarit qeveritar, Kitanoviqit që glorifikoi Mlladiqin

Lidhja Demokratike Boshnjake (BDS) në Maqedoninë e Veriut dje ka paraqitur kallëzim penal kundër Dalibor Kitanoviqit, drejtor i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, për shkak të veprimit të tij publik me të cilin glorifikohet dhe madhërohet Ratko Mlladiq, kriminel i dënuar me vendim të plotfuqishëm për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë, përcjell INA.

“Mendojmë se është e papranueshme që bartësi i një funksioni publik me veprimet dhe mesazhet e tij publike të relativizojë krimet e luftës dhe të fyejë dinjitetin e viktimave. Veçanërisht e theksojmë përgjegjësinë që mban drejtori i një institucioni, roli bazë i të cilit është realizimi dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve më të vogla, gjegjësisht pakicave etnike në Maqedoninë e Veriut. Nga një institucion i tillë dhe udhëheqësia e tij presim respektim të të gjitha komuniteteve, dinjitetit të tyre, si dhe ndjeshmëri ndaj viktimave të krimeve të luftës. Presim që institucionet kompetente ta shqyrtojnë kallëzimin në përputhje me ligjin, t’i përcaktojnë të gjitha faktet relevante dhe të ndërmarrin masat përkatëse. BDS do të vazhdojë të veprojë në mënyrë institucionale dhe të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat e parapara me ligj në mbrojtje të dinjitetit të viktimave, të vërtetës dhe parimeve të përgjegjësisë. Krimet e luftës nuk guxojnë të jenë objekt glorifikimi. Viktimat meritojnë respekt. Institucionet duhet të jenë shembull i përgjegjësisë dhe respektit ndaj të gjitha komuniteteve”, thuhet në reagimin e BDS.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.