Lidhja e Bizneseve të Kosovës bën thirrje të protestohet kundër rritjes së çmimit të rrymës
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka ftuar bizneset të ngrihen kundër rritjes së çmimit të energjisë, duke shprehur kështu mbështetjen e fuqishme për protestën e thirrur më 5 prill, si një akt të domosdoshëm për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar dhe të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike. LBK thotë se kjo rritje nuk është

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka ftuar bizneset të ngrihen kundër rritjes së çmimit të energjisë, duke shprehur kështu mbështetjen e fuqishme për protestën e thirrur më 5 prill, si një akt të domosdoshëm për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar dhe të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike.
LBK thotë se kjo rritje nuk është barrë që duhet ta mbajnë qytetarët dhe bizneset, por është pasojë direkte e dështimeve të institucioneve.
Tutje, ajo shton se bizneset nuk mund të jenë viktima të mosveprimit institucional.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës thotë tutje se rritja e çmimit të energjisë është një sulm direkt ndaj ekonomisë dhe sipas saj do të shkaktojë:
-Rënie të fitimit për mijëra biznese;
-Humbje të vendeve të punës;
-Mbyllje të ndërmarrjeve të vogla;
-Rritje të çmimeve për qytetarët;
-Dobësim të konkurrencës vendore përballë tregjeve të huaja.
“Shumë biznese kanë shprehur gatishmërinë të investojnë në energji të pastër – por ligjet aktuale nuk i lejojnë. Po u mbyll një derë zhvillimi, po hapet dera e krizës. Për më tepër, propozimi për shtimin e blloqeve të konsumit mbi 800 kWh është një tjetër goditje për biznesin dhe qytetarin. LBK nuk do të heshtë. Nuk do të lejojmë që rritja e çmimit të energjisë të kalojë pa kundërshtim”, thuhet tutje në njoftim.
“Ky është momenti për të qëndruar bashkë dhe për të mbrojtur të ardhmen tonë ekonomike. Nëse nuk veprojmë sot, do të paguajmë më shumë nesër”.