Lladrovci për Kurtin: Formula “kush nuk është me ne, është kundër nesh”, është e rrezikshme
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për Front Online ka folur pas thirrjes së Këshillit të Sigurisë nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me akuzat ndaj Serbisë për ndërhyrje flagrante në sovranitetin shtetëror të Kosovës. Lladrovci ka theksuar se akuzat për presion ndaj komuniteteve jo shumicë dhe jo serbe janë të padrejta. Ai ka shtuar

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për Front Online ka folur pas thirrjes së Këshillit të Sigurisë nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me akuzat ndaj Serbisë për ndërhyrje flagrante në sovranitetin shtetëror të Kosovës.
Lladrovci ka theksuar se akuzat për presion ndaj komuniteteve jo shumicë dhe jo serbe janë të padrejta.
Ai ka shtuar se, nëse ka fakte për ndërhyrje nga Serbia, është detyrë e organeve përkatëse.
“Nëpërmjet Këshillit të Sigurisë së Kosovës të gjendet fajtori për pengimin e krijimit të institucioneve të reja, është e paqëndrueshme. E konsideroj si presion ndaj pakicave jo serbe, të cilat u vunë indirekt nën fokusin e dyshimeve sikur janë të ndikuara nga Serbia. Nëse paska fakte për këtë, janë organet përkatëse që me detyrë zyrtare i ndjekin këto fenomene negative”, deklaroi Lladrovci.
Lladrovci gjithashtu ka kritikuar formulën e përdorur nga partia në pushtet, duke theksuar se krijimi i ndarjeve brenda shoqërisë kosovare dhe presioni mbi deputetët e komunitetit joserb është i rrezikshëm për stabilitetin e vendit.
“E konsideroj të padrejtë dhe të pandershme këtë lloj presioni nga partia e cila synon ta bëj paketimin e dhjetë deputetëve të komunitetit joserb dhe e shoh si presion ndaj deputetëve të cilët kanë kërkesa për komunitetin e vet, kërkesa mbi të cilat edhe kanë marrë vota. Formula kush nuk është me ne është kundër nesh, është tejet e rrezikshme dhe thellon ndarjen e brendshme të shoqërisë tonë me traditë jo aq të gjatë demokratike”, shprehet Lladrovci për Front Online.